Lajme

Kush do ta drejtojë Cyrihun? Në mesin e kandidatëve edhe Përparim Avdili

Një shqiptar në garë për drejtimin e Cyrihut: Kandidatura e Përparim Avdilit

Pas 17 vitesh në krye të qytetit, Corine Mauch largohet nga posti i kryetares së Cyrihut. Më 8 mars qytetarët do të zgjedhin pasardhësin ose pasardhësen e saj. Në garë janë tre kandidatë dhe një kandidate, transmeton albinfo.ch.

Përparim Avdili (FDP)

Një nga figurat më të spikatura të kësaj gare është Përparim Avdili, kandidat i FDP.Die Liberalen. 38-vjeçari ka tërhequr vëmendje që në fazat e hershme të fushatës me një prezencë të dukshme publike, përfshirë një paraqitje në skenë së bashku me reperin EAZ, të dy me prejardhje nga familje emigrantësh shqiptarë.

Ndonëse me sfond migrimi, Avdili ka zgjedhur të angazhohet politikisht në FDP, duke theksuar se është bindur nga kombinimi i vlerave liberale dhe politikave të orientuara drejt ekonomisë së tregut.

Në planin profesional, ai punon në një kompani që merret me mbështetjen dhe mentorimin e nxënësve praktikantë. Prej tetë vitesh është anëtar i parlamentit të qytetit të Cyrihut, ndërsa që nga viti 2022 drejton degën e FDP-së në qytet. Në programin e tij politik, Avdili kritikon shumicën e majtë për vendime që, sipas tij, nuk reflektojnë mjaftueshëm realitetin e qytetarëve, duke përmendur si shembull kufizimin e ndjeshëm të reklamave në hapësirat publike, transmeton tutje albinfo.ch.

Raphael Golta (SP)

Si favorit konsiderohet Raphael Golta nga Sozialdemokratische Partei der Schweiz (SP). 50-vjeçari ka përvojë të gjatë qeverisëse dhe prej 12 vitesh drejton dikasterin social të qytetit.

Golta ka testuar shpesh kufijtë politikë me vendimet e tij. Ai vendosi një ndihmë financiare bazë për personat pa leje qëndrimi, një vendim që u kundërshtua nga qarqet borgjeze dhe u rrëzua juridikisht. Megjithatë, shumica e parlamentit të qytetit paraqiti rekurs, shkruan SRF.

Në krahun e majtë të partisë, qasja e tij gëzon mbështetje të madhe, ndërsa partitë borgjeze e kritikojnë për mosrespektim të kornizave ligjore. Me partinë më të madhe në qytet pas vetes, Golta shihet si kandidati me shanset më të mira për të fituar.

Ueli Bamert (SVP)

Prej 36 vitesh, Schweizerische Volkspartei (SVP) nuk është pjesë e qeverisë së qytetit të Cyrihut. Deputeti kantonal Ueli Bamert synon ta ndryshojë këtë realitet dhe kandidon edhe për postin e kryetarit.

46-vjeçari kritikon ashpër politikën që ai e quan “anti-makinë”. Sipas tij, duhet të ketë hapësirë për të gjithë përdoruesit e rrugës. Ai mbështet kufizimin e shpejtësisë në 30 km/h në lagje, por kundërshton uljen e shpejtësisë në rrugët kryesore.

Bamert është aktiv në disa shoqata ekonomike, përfshirë sektorin e karburanteve. Megjithatë, për shkak të pozitës së dobët të SVP-së në qytet, shanset e tij për fitore janë të kufizuara.

Serap Kahriman (GLP)

Serap Kahriman, përfaqësuese e Grünliberale Partei Schweiz (GLP), kandidon për herë të dytë për një post në ekzekutivin e qytetit dhe njëkohësisht për kryetare.

35-vjeçarja, juriste me profesion, drejton zyrën e koordinimit për mbrojtjen e mjedisit në kantonin Schaffhausen dhe që nga viti 2022 është pjesë e parlamentit të qytetit. Ajo e përshkruan veten si social-liberale me komponent të fortë të gjelbër dhe synon ndërtimin e aleancave.

Kahriman e konsideron kujdesin ndaj fëmijëve si detyrë shtetërore, duke mbështetur shtetëzimin e çerdheve – një qëndrim i afërt me të majtën. Nga ana tjetër, ajo kundërshton kërkesa si vendosja e pagës minimale.

Edhe për të, shanset për të fituar postin e kryetares apo një vend në qeverinë e qytetit mbeten të vogla.

Një garë me favorit të qartë

Me përkrahjen e partisë më të madhe dhe përvojën e gjatë ekzekutive, Raphael Golta hyn në zgjedhje si favorit. Megjithatë, gara e 8 marsit pritet të tregojë nëse Cyrihu do të vazhdojë kursin e majtë apo do të shohë një ndryshim politik në drejtimin e qytetit. /Albinfo.ch