Lajme
Kushti i Kurtit për dorëzimin e Radoiçiqit, ende i paplotësuar, takimet në Bruksel vazhdojnë
Takimi i fundit në nivel kryenegociatorësh është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel
Bashkimi Evropian ka konfirmuar të martën se takimi i radhës në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh, do të zhvillohet më 17 dhjetor në Bruksel dhe se të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim.
Megjithatë, ky takim do të ndodhë pa plotësimin e kushtit të “vendosur” më parë nga kryeministri Albin Kurti, i cili ka kërkuar vazhdimisht ekstradimin e kryekriminelit serb, Milan Radoiçiq, në Kosovë, apo njohur ndryshe si njeriu që udhëhoqi sulmin e 24 shtatorit e vitit të kaluar në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Hera e fundit, por jo edhe e vetmja, që Kurti kërkoi dorëzimin e Radoiçiqit tek drejtësia kosovare ishte pas takimit me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, që ndodhi pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, shkruan lajmi.net.
“Kryekrimineli i bandës që kreu këtë (sulmin mbi Ibër-Lepenc) mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Ne kërkuam, si në çdo takim tjetër, dorëzimin e Radoiçiqit tek autoritetet e Kosovës, pasi Prokuroria tani ka aktakuzë prej 160 faqësh dhe grupin e tij prej mbi 40 personave”, kishte thënë Kurti pas takimit.
Paraprakisht, kreu i ekzekutivit, gjatë mbledhjes së Qeverisë më 28 qershor, kishte njoftuar mbi takimin e dështuar në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në fjalën e tij, Kurti pati thënë se nuk ka mirëbesim në dialog pa dorëzimin e kryeterroristit serb dhe grupit të tij, për të cilët pati deklaruar se mbështeten nga shteti serb.
“Të mërkurën u mbajt takimi i radhës i nivelit të lartë në Bruksel. Ishte takimi i parë i nivelit të lartë pas sulmit terrorist në Banjskë me organizimin dhe financim të shtetit të Serbisë. Pas nëntë muajve nga sulmi, kryeterroristi Radoiçiq është i lirë dhe mbrohet nga Serbia. Ne nuk mund ta ngjallim heroin tonë Afrim Bunjaku, por Serbia mund ta dorëzojë grupin paramilitar serb me kryeterroristin Radoiçiq që të përballen me drejtësinë në Kosovë. 39 nga 47 të identifikuar për sulmin ndodhen në listën e kërkimit ndërkombëtar të INTERPOL-it. Për sa kohë Radoiçiqi dhe grupi i tij enden të lirë në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim”, ishte shprehur Kurti.
Të njëjtën kërkesë Kurti e kishte shprehur edhe gjatë intervistës me Bloomberg, ku kishte kërkoi gjithashtu BE-së të ushtrojë më shumë presion mbi Beogradin për të ndihmuar në lehtësimin e tensioneve me një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.
Ky është takimi i parë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, pas sulmit terrorist të 29 nëntorit në Ibër-Lepenc, teksa kërkesa e Kurtit ka mbetur pa u plotësuar.
Takimi i fundit në nivel kryenegociatorësh është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel.
Kosova do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave Viruse që qarkullojnë gjerësisht dhe zyrat e mjekëve të mbyllura gjatë pushimeve shpesh sjellin pritje të... -
Diskutohet roli i shtëpive të pleqve në asistimin e vdekjes në Lucern -
Orari i ri i SBB-së ka hyrë në fuqi sot me ndryshime të mëdha -
Mediumi zviceran shkruan për vizitën e Kurtit në Zvicër para zgjedhjeve të parakohshme -
Policia e Bernës në kërkim të një personi të rrezikshëm, situata në Reconvilier është qetësuar













