Tematike

Letër kryetarit të Gjenevës

Letër nga UPSH-ja drejtuar kryetarit të Gjenevës, Pierre Maudet

Në pamundësi për të marrë pjesë në takimin e organizuar me komunitetin kosovar ne Gjenevë, po përfitoj nga rasti t’ju përcjell reflektimet e Universitetit Popullor Shqiptar mbi evoluimin e këtij komuniteti dhe problematikat që lidhen me të.

Krijimi i Universitetit Popullor Shqiptar (UPSH) iu imponua themeluesve të saj, si pasojë emigrimit të numrit të madh me origjinë shqiptare në Gjenevë, për shkak të luftës në ish-Jugosllavi, duke përfituar po ashtu nga vënia në jetë në Zvicër e një politike të re të emigracionit, me qëllim të orientimit të shërbimeve sociale të Gjenevës përballë kësaj popullsie emigrante të re, shumë pak e njohur dhe me probleme specifike.

Projekt pilot në nivel evropian, i mbështetur nga autoritet federale, kantonale dhe komunale, ky projekt është realizuar në një kohë rekord mbi bazën e një investimi fillimisht tejet të paktë, si vetmi institucion i këtij lloji aktiv jashtë shqiptarisë, i mbajtur gjallë falë përpjekjeve dhe kontributit vullnetar gjatë këtyre 15 viteve të fundit.

Universiteti Popullor Shqiptar është një qendër pritjeje, formimi dhe informimi për rreth 8 mijë shqiptarë të Gjenevës, sikurse edhe për bashkatdhetarët në Zvicër, punëtorë apo refugjatë me origjinë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria.

Universiteti Popullor Shqiptar (UPSH) propozon aktivitete që i përgjigjen nevojave të komunitetit shqiptar, që kontribuojnë në fushën e integrimit në gjirin e shoqërisë pritëse, si dhe në përmirësimin e dialogut midis emigrantëve shqiptarë dhe popullsisë zvicerane.

Popullsia në fjalë, që është në epiqendër të aktivitetit të Universitetit Popullor Shqiptar (UPSH) përbën komunitetin e katërt të huaj në Gjenevë, me më shumë se 8 mijë persona të gjuhës dhe kulturës shqiptare, pjesa më e madhe e të cilës vjen nga Kosova.

Më shumë se 6‘500 prej tyre janë natyralizuar, kanë vizën B apo C, ose përfitojnë nga leja e qëndrimit të përkohshëm, duke mos harruar edhe personat pa dokumente të rregullta.

Kjo popullatë është tashmë pjesë e peizazhit demografik, politik dhe social të kantonit dhe paraqet një forcë të konsiderueshme në ndryshimet dhe zhvillimet në vend.

Shqiptarët kanë hasur për një kohë të gjatë vështirësi integrimi për shkak të problemeve të konfliktit dhe pasigurisë në vendin e origjinës, pa projekte për të ardhmen në Zvicër edhe për shkak të problemeve të lojalitetit karshi vendit të origjinës dhe familjeve të mbetura atje.

Sot, ajo jeton në një transformim të paparë më herët dhe e shikon të ardhmen nga një këndvështrim tjetër. Shqiptarët ndjehen pjesë përbërëse e vendit mikpritës, i cili pak nga pak po bëhet edhe atdheu i tyre.

Shumë shqiptarë kosovarë aderojnë në partitë politike, duke marrë pjesë aktive në gara zgjedhore dhe shprehen lirshëm. Ata përbëjnë po ashtu një elektorat me peshë, shpesh i anashkaluar.

Shumë prej tyre vazhdojnë studime së shkallës së lartë dhe bëjnë karrierë akademike, krijojnë ndërmarrje të suksesshme, dhe bëhen punëdhënës. Është vështirë të mos përmendësh se ata përbëjnë një masë të pëlqyer dhe të vlerësuar të krahut të punës së kualifikuar apo më pak të kualifikuar t¨w domosdoshme për ekonominë të Gjenevës.

Megjithatë, mund të konstatojmë se mbetet ende shumë për të bërë në rrugën e integrimit edhe pse komuniteti po përparon me hapa të shpejtë në drejtimin e duhur.

Është e rëndësishme të theksojmë që integrimi nuk mund të bëhet i vetëm. Shoqëria pritëse është po ashtu një faktor i rëndësishëm në këtë proces. Nganjëherë ajo qëndron anash me indiferencë, nganjëherë në rastin më të keq, ajo është stigmatizuese dhe përjashtuese. Një hapje më e gjerë e shoqëruar me një vizion më të qartë institucional do të mundësonte kapërcimin më të lehtë të kësaj gjendjeje.

Zoti kryetar, shqiptarët i janë mirënjohës Zvicrës, zviceranëve, institucioneve dhe klasës politike. Ata janë qytetarë të devotshëm dhe të besueshëm, partnerë të vërtetë dhe një forcë e ardhmërisë së këtij vendi.

Ju mund të llogaritni në kontributin tonë si Universitet Popullor Shqiptar, si shqiptarë, dhe për një pjesë prej nesh edhe njëkohësisht si shqiptarë e zviceranë në ndërtimin dhe përparimin e shoqërisë së larmishme të Gjenevës.