Kosova

Lirohet me kusht Isni Kilaj

Kjo është hera e dytë që Kilaj lirohet me kusht nga Gjykata Speciale, pasi në maj 2024 ishte liruar pas dhënies së një dorëzanie prej 30.000 eurove

Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, është liruar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, pasi gjykatësi vendosi se mbajtja e tij në paraburgim nën akuzat për pengim të drejtësisë nuk ishte “as e arsyeshme, as proporcionale”.

Gjykata Speciale njoftoi të mërkurën se gjykatësi erdhi në përfundim se e drejta themelore e Kilajt për lirim peshon më shumë sesa rreziku që ai të ketë ndikim në procesin e drejtësisë në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili është buzë përfundimit.

Kilaj – së bashku me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliun – akuzohen për pengim të drejtësisë në gjyqin për krime lufte kundër Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Gjykimi ndaj tyre do të nisë më 24 shkurt.

Kilaj u arrestua dhjetorin e kaluar dhe prej atëherë është mbajtur në paraburgim në qytetin holandez. Ai është deklaruar i pafajshëm për këto akuza.

Gjykatësi tha në vendimin e tij se rrethanat kanë ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit të Kilajt në tetor dhe se mbajtja e tij në paraburgim nuk ishte më e arsyeshme.

Gjykatësi gjithashtu mori parasysh se koha që Kilaj e ka kaluar në paraburgim tani e tejkalon dënimin minimal sipas ligjit me të cilin ai do të përballej në qoftë se do të shpallej fajtor për veprat penale për të cilat është akuzuar, sipas njoftimit.

“Nuk është paraqitur asnjë provë që tregon se Kilaj ishte orvatur të pengonte procesin gjatë periudhës së lirimit të tij të mëparshëm me kushte në vitin 2024; se ka përfunduar paraqitja e provave në çështjen Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe se rreziku që Kilaj mund të ndikojë në dëshmitarët e prokurorisë në Çështjen 12 është shumë i ulët duke marrë parasysh rrethanat e tyre specifike”, thuhet në njoftim.

Kjo është hera e dytë që Kilaj lirohet me kusht nga Gjykata Speciale, pasi në maj 2024 ishte liruar pas dhënies së një dorëzanie prej 30.000 eurove.

Ndër arsyet e lirimit të tij asokohe ishte edhe fakti se aktakuza ndaj tij për pengimin e drejtësisë pritej të ndryshonte. Kilaj i kaloi pothuajse gjashtë muaj në paraburgim pas arrestimit fillestar. Gjykata Speciale e Kosovës e ka selinë në Hagë të Holandës dhe përbëhet nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, pasi u themelua Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, për t’i gjykuar rastet kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së sipas ligjit të Kosovës.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi për krime lufte, pritet të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm. Që të gjithë ata i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999.