Muzikë

Luan Durmishi në garë për të përfaqësuar San Marinon në Eurovision 2026

Këngëtari shqiptar Luan Durmishi në përzgjedhjet e San Marinos për Eurovision

Këngëtari shqiptar Luan Durmishi ka hyrë zyrtarisht në garë për të përfaqësuar San Marinon në edicionin e Eurovision Song Contest 2026. Ai është pjesë e fazës së casting-ut të “Dreaming San Marino Song Contest”, festivalit përzgjedhës përmes të cilit përcaktohet përfaqësuesi i këtij shteti në skenën evropiane, përcjell albinfo.ch.

Në kuadër të kësaj gare, Durmishi do të interpretojë live para një jurie profesionale, duke prezantuar projektin e tij më të ri muzikor, këngën “Summa Summarum (Cogito, Ergo, Sum)”. Projekti është realizuar nga vetë Luan Durmishi, në bashkëpunim me kompozitorin dhe dirigjentin e muzikës klasike dhe bashkëkohore Kushtrim Gashi, si dhe producentin muzikor Tomor Kuçi. Teksti i këngës është shkruar nga Luan Durmishi dhe Artrit Bytyqi.

Kënga është e frymëzuar nga thënia e njohur e filozofit francez René Descartes, i konsideruar si babai i filozofisë moderne. Sipas artistit, ky projekt përfaqëson një nga punët më të rëndësishme dhe më domethënëse të karrierës së tij muzikore deri më tani.

Me një identitet artistik modern dhe një përvojë të gjatë në muzikë, Luan Durmishi synon të sjellë një interpretim autentik dhe me dimension ndërkombëtar, duke prezantuar potencialin e tij në një nga skenat më prestigjioze të industrisë muzikore evropiane./kultplus