Lajme
Macron uron 12-vjetorin e pavarësisë
Presidenti francez ka shkruar se që prej vitit 2008 dy vendet tona kanë ndërtuar marrëdhënie miqësie e mirëbesimi, me këtë rast përmend edhe heqjen e taksës
Është bërë e ditur se presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar sot një letër urimi për 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Presidenti francez ka shkruar se që prej vitit 2008 dy vendet tona kanë ndërtuar një marrëdhënie miqësie e mirëbesimi.
“Franca qëndron përkrah Kosovës për ta ndihmuar në tejkalimin e sfidave me të cilat përballet ajo sot, veçanërisht në konsolidimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, në kuadër të strategjisë franceze për Ballkanin Perëndimor, të cilin e kam miratuar pranverën e kaluar. Agjencia Franceze e Zhvillimit planifikon të fillojë punën në Kosovë këtë vit. Bashkëpunimi ynë dypalësh mbështet gjithashtu agjendën evropiane të reformës në vend”, ka shkruar ai.
Kjo është letra e plotë e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron:
Zoti Kryetar,
Me rastin e festës kombëtare të Republikës së Kosovës, jam i lumtur t’ju adresoj, në emrin tim dhe në emër të popullit francez, urimet e mia të sinqerta.
Që prej vitit 2008, dy vendet tona kanë ndërtuar një marrëdhënie miqësie mirëbesimi. Franca qëndron përkrah Kosovës për ta ndihmuar në tejkalimin e sfidave me të cilat përballet ajo sot, veçanërisht në konsolidimin e shteti të së drejtës, zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, në kuadër të strategjisë franceze për Ballkanin Perëndimor të cilin e kam miratuar pranverën e kaluar. Agjencia Franceze e Zhvillimit planifikon të fillojë punën në Kosovë këtë vit. Bashkëpunimi ynë dypalësh mbështet gjithashtu agjendën evropiane të reformës në vend.
Dëshiroj po ashtu të përshëndes zhvillimin e qetë të zgjedhjeve legjislative të datës 6 tetor si dhe formimin, tash së voni, të qeverisë së re të Kosovës. Është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë përpjekjet e saj për të zbatuar reformat e nevojshme të brendshme dhe që vendosmërisht të angazhohet në kërkimin e arritjes së një marrëveshje me Serbinë.
Siç edhe e kam cekur më 12 nëntor të vitit të kaluar, gjatë Forumit të Paqes në Paris, ju mund të llogarisni në mbështetjen dhe gatishmërinë time për të mirëpritur, në Paris, një samit që bashkon liderët e Kosovës dhe të Serbisë, me Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, për të lehtësuar rifillimin e dialogut. Për këtë priten veprime nga të dy palët: pezullimi nga Kosova i taksës 100% për produktet nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina; dhe pezullimi i fushatës për “çnjohje” nga ana e Serbisë. Pasi rifillimit të dialogut, është radha e ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian, me mbështetjen e Francës, të lehtësojë bisedimet midis dy palëve me synimin e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe të detyrueshme ligjërisht.
Duke përtërirë urimet e mia të ngrohta, ju lus të pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Nata e dytë e Tri Net Film Fest Mbrëmja ritheksoi nevojën për përgjegjësi kolektive ndaj kulturës dhe pjesëmarrjes aktive të publikut... -
Votuesit e regjistruar për të votuar jashtë Kosovës nuk mund të votojnë brenda vendit -
Sot është afati i fundit për regjistrimin e votuesve nga diaspora -
Berlin
Berlin, shfaqja e dokumentarit të ARTE-s mbi traditën dhe inovacionin kosovar -
Nju-Jork
Orna, violonçelistja nga Nju Jorku që prej 30 vjetësh i jep shpirt Operës së Seviljes
Jeta në Zvicër
-
UBS mund të shkurtrojë deri në 10,000 vende pune deri në vitin 2027 UBS po përgatitet të njoftojë mijëra shkurtime të vendeve të punës. Sipas raportimeve të gazetës SonntagsBlick,... -
Legalizimi i kanabisit ndan partitë dhe organizatat politike në Zvicër -
Java shkollore 4-ditore midis shpresave dhe dyshimeve në Zvicër -
“Jo një Zvicre prej 10 milionë banorësh”, më shumë pro sesa kundër -
Gjashtë lajme të rëndësishme nga Zvicra për këtë javë













