Lajme
Mangrove GS: Algoritmi i IA-së që parashikon rrezikun e përhapjes së kancerit
Një algoritëm i bazuar në inteligjencë artificiale, i quajtur Mangrove GS, mund të përmirësojë ndjeshëm luftën kundër metastazave. I zhvilluar nga shkencëtarë të Universitetit të Gjenevës, ky mjet synon të përdorë të dhëna gjenetike për të parashikuar me sa më shumë saktësi rrezikun e përhapjes së kancerit.
Metastazat janë përgjegjëse për shumicën e vdekjeve të lidhura me kancerin. Për këtë arsye, kuptimi dhe parashikimi i zhvillimit të tyre mbetet një prioritet kyç për kërkimin mjekësor. “Trajtimi i metastazave vazhdon të jetë problematik,” shpjegon Ariel Ruiz i Altaba, profesoreshë në Departamentin e Mjekësisë Gjenetike në Universitetin e Gjenevës, në emisionin CQFD, transmeton albinfo.ch.
Duke u mbështetur në më shumë se 20 vite kërkimesh themelore, ekipi i saj ka zbardhur mekanizmat gjenetikë dhe epigjenetikë që qëndrojnë në bazë të këtij procesi. Studiuesit zbuluan se metastazat ndjekin një program gjenetik të ngjashëm me atë të qelizave embrionale — një program që zakonisht çaktivizohet pas lindjes, por që në disa raste riaktivizohet dhe çon në formimin e tumoreve të reja.
Rezultate inkurajuese
Algoritmi Mangrove GS bazohet në analizën e nënshkrimeve gjenetike, pra grupeve të gjeneve, shprehja e të cilave lidhet me potencialin metastatik të qelizave tumorale. “Çdo rrënjë, ashtu si te një mangrovë, përfaqëson një nënshkrim gjenetik,” shpjegon Ariel Ruiz i Altaba. Kjo qasje i jep algoritmit qëndrueshmëri dhe aftësi përgjithësimi, duke e bërë të përshtatshëm për popullata të ndryshme pacientësh dhe për lloje të ndryshme kanceri.
Fillimisht i testuar në kancerin e zorrës së trashë, duke përdorur të dhëna retrospektive, Mangrove GS tregoi rezultate “të jashtëzakonshme”. Edhe më befasuese është se gjenet e identifikuara gjenden edhe në lloje të tjera kanceri, përfshirë atë të gjirit, pankreasit dhe mushkërive. Kjo hap rrugën për përdorimin më të gjerë të algoritmit në parashikimin e metastazave në forma të ndryshme të kancerit.
Drejt mjekësisë së personalizuar dhe më ekonomike
Qëllimi i Mangrove GS është optimizimi i trajtimeve. “Sfida është të trajtohen në mënyrë efektive pacientët me rrezik të lartë, duke shmangur mbitrajtimin e atyre me rrezik të ulët,” thekson studiuesja. Kjo qasje mund të ulë efektet anësore të panevojshme për pacientët dhe njëkohësisht të reduktojë barrën ekonomike mbi sistemet shëndetësore.
Megjithëse mjeti ndodhet ende në fazën kërkimore, tashmë janë në zhvillim bashkëpunime me spitale zvicerane, përfshirë Spitalet Universitare të Gjenevës. Në perspektivë, Mangrove GS mund të bëhet i aksesueshëm përmes një platforme “cloud”, duke i lejuar spitalet në mbarë botën ta përdorin për të përmirësuar vendimmarrjen terapeutike dhe për të rritur normat e mbijetesës së pacientëve.
E-Diaspora
-
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani Nga 22 maji kanë hyrë në fuqi rregulla të reja për regjistrimin, ri-fitimin dhe natyralizimin e... -
Albin Kurti nesër në Zvicër, takim me mërgatën shqiptare në Cyrih -
LDK mban takim me bashkatdhetarë në Vjenë -
Koncerti Zvicerano-Kosovar bashkon diplomacinë, kulturën dhe miqësinë në SHBA -
Zvicër
Policia zvicerane arreston 67-vjeçarin nga Kosova si të dyshuar për tentim mashtrimi me telefon
Jeta në Zvicër
-
Mijëra zviceranë demonstrojnë kundër iniciativës “10 milionë” Në pankarta shkruante veç tjerash, se do të ishte më mirë të kufizoheshin emetimet e CO2... -
Jans nxit reagime me krahasimin e nismës “10 milionëshe” me Brexit-in -
Zvicra zgjeron sanksionet ndaj Rusisë -
Dy gjyqtarët në lidhje dashurie mbeten në detyrë -
Spitali Universitar i Cyrihut raporton në prokurori 10 vdekje të dyshimta













