Tematike

“Marko New York Ink”, studioja në Zvicër ku bëjnë tatuazh shqiptarët e famshëm

Në studion “Marko New York Ink” në Rorschach, mysafirë të shpeshtë janë vip-at shqiptarë si: Blerim Destani, Noizy etj. ndërsa në pritje janë edhe futbollistët si Xhaka, Bunjaku dhe të tjerë

Reperi Noizy dhe aktori Blerim Destani janë në mesin vip-ave që kanë zgjedhur studion shqiptare “Marko New York Ink” në Rorschach për të pikturuar në trupin e tyre tatuazhet e preferuara nga dora e artistit tiranas, Marko Zyfi.

Noizy dhe Destani kanë bërë një vazhdimësi tatuazhesh në studion shqiptare në Rorschach.

“Tatuazhet e mëdha, nuk bëhen me një seancë”, thotë Marko, dhe merr shembullin e aktorit Blerim Destani I cili ka bërë 800 kilometra rrugë për tri seanca për realizimin e tatuazhit të tij.

Noizy

Në mesin e personave-vip që mbajnë tatuazhe dhe janë në proces të bërjes, janë disa futbollistë shqiptarë të Superligës zvicerane që preferojnë studion “Marko New York Ink”.

Klienti duhet të dijë çfarë kërkon

“Prej futbollistëve kemi disa që kanë qenë këtu, por koha e tyre dinamike nuk i lejon ata që ta fillojnë dhe përfundojnë një tatuazh në një afat të shkurtër kohor”, tregon Marku. Ai zbulon se janë në pritje të Xhakës, Albert Bunjakut dhe disa futbollistëve të tjerë që kanë konsultuar atë dhe planifikojnë të bëjnë tatuazh në studion “Marko New York Ink”.

Bunjaku

„Paraprakisht është e rëndësishme që klienti të jetë i vetëdijshëm çfarë do të bëjë, çfarë kuptimi do t`i japë tatuazhit, dhe shumë e rëndësishme, të kujdeset që përzgjedhja e tatuazhit të jetë e personalizuar e të ketë kuptim, pa ndonjë „copy-paste“.

Shqiponja, Skënderbeu, Nënë Tereza, Adem Jashari… ndër motivet më të dashura

Shqiponja dykrenare është tatuazhi më i përhapur “copy-paste” që mbajnë shqiptarët në trupin e tyre, por kjo nuk paraqet shqetësim për askënd, madje shihet me simpati.

“Tatuazhi i shqiponjës tejkalon kërkesat e trendit dhe ndërhyjret mund ta deformojnë mesazhin e simbolit tonë kombëtar”, thotë pronari i studios, Driton Kelmendaj.

“Megjithatë, me kalimin e viteve dhe futjen e shqiptarëve në këtë biznes dhe sidomos me hapjen e studiove shqiptare ne Zvicër, ky trend tek shqiptarët ka ndryshuar. Kërkesat e tyre për tatuazhe me motive kombëtare vazhdojnë të mbizotërojnë, mirëpo shqiponja nuk është më trendi i kërkesave”, thotë Kelmendaj.

Vendin e shqiponjës po e zë Nënë Tereza, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e Adem Jashari. Kjo dukej qartë në trupin e  shefit të studios, Driton Kelmendaj, i cili ka të mbushur trupin me figura kombëtare. Helmetën Ilire, Lidhjen e Prizrenit, Flamurin dardan, Gjergj Kastriotin e shumë data tjera historike të popullit shqiptar i ka të lidhura në një tatuazh që nganjëherë duken si herioglife që kërkojnë durim për t`i zbërthyer.

Mjeshtri i tatuazheve, Marko, ka bërë qindra tatuazhe, por ato që i kanë lënë më së shumti mbresa, janë tatuazhet me një mesazh të fortë patriotik e social.

Te shqiptarët mbizotërojnë tatuazhet me motiv patriotik

Te shqiptarët dominojnë tautazhe me motive patriotike, si realizimi i Adem Jasharit, Nënë Terezës, Skënderbeut, kurse kërkesat e zviceranëve për tatuazhe me motive patriotike, janë shumë të rralla, thotë Zyfi që për trupin e tij ka preferuar Marylin Monron dhe artistë të tjerë nga bota hollivudiane.

“Mua më ka rënë vetëm një herë për këto vite të bëj një tatuazh me motive patriotike zvicerane. Te zviceranet, trendi është familja“.

Trendi i momentit është se njerëzit nuk kërkojnë më tatuazhe të vogla, një tatuazh realistik nuk bëhet më i vogël, ai duhet të ketë një lidhshmëri dhe përshtatje me trupin.

Rregullat:

Rregullat  thonë se nën moshën 16 vjeç nuk lejohet në asnjë mënyrë të bëhet tatuazh. Nga mosha 16 deri në 18 vjeç lejohet vetëm me nënshkrim dhe i shoqëruar nga  prindërit. Kurse pas kësaj moshe, merr vendimin e përjetshëm i vetëm. Zvicra është njëri nga vendet më të rrepta në Europë për përdorimin e ngjyrave, e cila lejon përdorimin e vetëm një ngjyre, e ajo kërkohet të jetë vegane, 100% bimore dhe pa asnjë efekt anësor.

Higjiena:

Nuk duhet harruar se tatuazhi është një mini operacion dhe duhet pasur shumë kujdes te pjesa higjienike. „Në momentin kur një person vendos të bëj një tatuazh në trupin e tij dhe të ketë zgjedhur dizajnin, shumë e rëndësishme është që të gjej një artist profesionist, i cili përveç pjesës optike, njeh edhe rregullat higjienike“, këshillojnë drejtuesit e studios  „Marko New York Ink“ Driton Kelmendaj dhe Marko Zyfi. Klienti duhet ta dijë se çdo gjë që përdoret në trupin e tij, duhet të jetë njëpërdorimshe dhe e sterilizuar. Xhilpëra, tapa, ngjyra dhe të gjitha sendet tjera që artisti përdor, duhet të jenë të kamufluara kurse ngjyra duhet të jetë bimore ose vegjetariane.

„Efektet anësore mund të paraqiten në qoftë se ju bëni një tatuazh privat apo në shtëpi, atëherë automatikisht jeni i rrezikuar seriozisht për të marrë infektime  të rënda apo ndonjë virus vdekjeprurës“, tërheq vërejtjen artisti me një përvojë dhjetëvjeçare, Zyfi.

Dy studio tatuazhi

Marko Zyfi është 26 vjeçar. Aktualisht ai drejton dy studio tatuazhi në Zvicër, në Rorschach dhe Oerlikon-Cyrih. Hapat e parë në art i ka filluar në liceun artistik „Jordan Misja“ në Tiranë. Pastaj ka studiuar për katër vite në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe prej tre vjetësh jeton në Zvicër.