Lajme
Mbështetje e kundërshtime ndaj reformës tatimore për taksimin individual
Një valë kundërshtimesh nga kantonet është duke u ngritur kundër reformës së re tatimore që synon të zëvendësojë sistemin aktual të përbashkët me taksimin individual për çiftet e martuara, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.
Vendimi i Parlamentit Federal dy javë më parë për të hequr të ashtuquajturin “dënim martesor” ka nxitur jo vetëm një referendum kombëtar të nisur nga katër parti politike, por edhe një iniciativë të rrallë për referendum kantonal, që do të ndodhte për herë të dytë në historinë e politikës zvicerane.
Pas ftesës së Konferencës së Drejtorëve të Financave Kantonale (FDK), disa kantone kanë ndërmarrë hapat e parë drejt organizimit të një referendumi kantonal. Të premten, qeveritë e kantoneve Appenzell Innerrhoden, Appenzell Ausserrhoden, Thurgau dhe Nidwalden njoftuan se do ta propozojnë këtë nismë në parlamentet e tyre kantonale.
Mbështetje për referendumin kanë shprehur edhe kantonet Glarus dhe Zug, ndërsa në kantonet St. Gallen, Graubünden, Aargau, Uri dhe Lucern vendimi ende nuk është marrë. Ndërkohë, kantonet Berna dhe Solothurn janë deklaruar kundër, transmeton albinfo.ch.
Drejtorët e financave kantonalë paralajmërojnë për një barrë të rëndë administrative që do të sillte ndarja e deklaratave tatimore për çiftet e martuara. Në Thurgau, reforma do të nënkuptonte 65,000 deklarata tatimore shtesë, me një kosto të llogaritur prej 5 milionë frangash zvicerane.
“Ky është një përbindësh burokratik”, deklaroi drejtori i financave të Thurgaut, Urs Martin, duke shtuar se përveç vlerësimit, administrata tatimore do të përballej me sfida praktike si ndarja e pronësisë mbi shtëpitë apo makinat.
Drejtoresha e financave të Appenzell Ausserrhoden, Hansueli Reutegger, tha se sistemi i ri krijon pabarazi, sidomos në zonat rurale, ku çiftet shpesh nuk kanë të ardhura të barabarta. Megjithatë, ajo pranoi se në rastet kur të dy bashkëshortët fitojnë njësoj, taksimi individual mund të jetë i përshtatshëm.
Për të zhvilluar një referendum kantonal, është e nevojshme që të paktën tetë parlamente kantonale ta miratojnë këtë iniciativë brenda 100 ditëve nga publikimi zyrtar i ligjit federal. Seancat e shtatorit të parlamenteve kantonale mbesin vendimtare, pasi ato ndodhen brenda këtij afati.
Ndërkohë, edhe referendumi federal i nisur nga SVP, EVP, EDU dhe Partia e Qendrës është në proces. Nëse grumbullohen 50,000 nënshkrime, atëherë qytetarët zviceranë do të votojnë në vitin 2026 për ligjin mbi taksimin individual, transmeton albinfo.ch.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave Viruse që qarkullojnë gjerësisht dhe zyrat e mjekëve të mbyllura gjatë pushimeve shpesh sjellin pritje të... -
Diskutohet roli i shtëpive të pleqve në asistimin e vdekjes në Lucern -
Orari i ri i SBB-së ka hyrë në fuqi sot me ndryshime të mëdha -
Mediumi zviceran shkruan për vizitën e Kurtit në Zvicër para zgjedhjeve të parakohshme -
Policia e Bernës në kërkim të një personi të rrezikshëm, situata në Reconvilier është qetësuar













