Lajme
Mbi 148 mijë vetura të paregjistruara sfidojnë Kartonin e Gjelbër
Përpjekjet e autoriteteve në Kosovë për anëtarësim në Këshillin e Byrove Evropiane, që siguron Kartonin e Gjelbër, po sfidohen nga dy probleme thelbësore. Së pari, Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe së dyti, në Kosovë ka një numër të madh të automjeteve të paregjistruara, të cilat janë edhe të pasiguruara në qarkullim, çka e bën të pamundur sigurimin e Kartonit të Gjelbër.
Kartoni i Gjelbër, vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).
Blerim Pushkolli, drejtor ekzekutiv në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS) në një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, tha se parakushtet tjera të kërkuara nga Këshilli i Byrove në vitin 2011, janë plotësuar qysh kur është dorëzuar edhe aplikacioni për anëtarësim.
“Mirëpo mosanëtarësimi në OKB vazhdon të na penalizojë në procedim të mëtejshëm në lidhje me pranimin e Kosovës në këtë Këshill”, tha ai.
Këshilli në atë kohë, rikujton Pushkolli, kishte kërkuar që Kosova të miratojë Ligjin për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia, themelimin e Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe Qendrës Informative si dhe Fondin Garantues në shumën prej 4 milionë eurosh, kushte këto që, sipas tij, janë përmbushur.
Por, përveç mosanëtarësimit të Kosovës në OKB, problem mjaft serioz, thotë Pushkolli, paraqet numri i automjeteve të paregjistruara. Ai kërkon përkushtim nga drejtoria e Policisë Rrugore të Kosovës dhe po ashtu edhe të institucioneve tjera shtetërore që kjo çështje të rregullohet si në vendet e Bashkimit Evropian.
Fokusi aktual i BKS-së është në uljen e këtij numrit të veturave të paregjistruara, pasi që paraqitet si një prej parakushteve teknike për anëtarësimin e Kosovës në sistemin e Kartonit të Gjelbër. Mirëpo, sipas BKS-së, për t’u arritur një gjë e tillë, duhet që përqindja të ishte jo më pak se 2 për qind e veturave të paregjistruara dhe pasiguruara. Aktualisht ky numër sipas BKS-së rezulton të jetë nga 35 deri në 50 mijë.
Edhe drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve, Sami Mazreku thotë se numri i automjeteve të paregjistruara përveç se paraqet problem në sigurimin e Kartonit të Gjelbër, paraqet rrezik serioz për jetën e qytetareve, pasi që automjetet e tilla nuk iu kanë nënshtruar fare kontrollit teknik si veprim i obligueshëm ligjor para regjistrimit të automjetit.
Prandaj, thotë ai, është e domosdoshme që institucionet e vendit, në këtë rast Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), të nxjerrë rregullore apo edhe udhëzime përmes së cilave kërkohet që qytetarët që nuk i përdorin veturat, t’i ç’lajmërojnë, derisa ata që i përdorin, t’i regjistrojnë ato.
“Për të sjellë rregull në këtë drejtim, praktikat ekzistojnë dhe ne vetëm duhet t’i marrin dhe t’i zbatojmë”, tha Mazreku, shkruan REL, përcjell Albinfo.ch
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Miratohet unanimisht Marrëveshja për Tregti të Lirë të Kosovës me EFTA Me 190 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Dhoma e Përfaqësuesve e Parlamentit të Zvicrës... -
Mustafa kritikon presidenten Osmanin për takimet me diasporën gjatë fushatës -
Slloveni
Ganimet Shala, asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lubjanës -
Lir Hajrizi: Pianisti që po tejkalon kufijtë e talentit -
Mërgata do të votojë më 27 dhjetor në përfaqësitë diplomatike, KQZ jep udhëzime për procesin
Jeta në Zvicër
-
Swisscom do të heqë plotësisht teknologjinë 3G deri në fund të vitit 2025 Siç ishte njoftuar më parë, operatori Swisscom do të ndërpresë përdorimin e teknologjisë 3G deri në... -
Marketingu i influencerëve në Zvicër: Praktika jo të rregulluara dhe të dëmshme për të rinjtë, paralajmëron FRC -
Zgjedhjet komunale në Vernier konfirmohen nga Këshilli i Shtetit -
Dyqanet në Gjenevë hapen këtë të diel -
Parlamenti i Zvicrës miraton unanimisht marrëveshjen për tregti të lirë të Kosovës me EFTA













