Futboll

Mediat botërore shkruajnë për Kosovën në prag të finales për Botëror

Kombëtarja e Kosovës sot luan ndeshjen më të rëndësishme në historinë e saj, me synimin për të siguruar kualifikimin në Kampionatin Botëror.

Të gjithë sytë janë të drejtuar nga Prishtina, ku zhvillohet përballja vendimtare ndaj Turqisë në orën 20:45, përcjell albinfo.ch.

Kjo ndeshje është cilësuar si një moment historik, që mund të përcaktojë fatin e një vendi në garën më të madhe të futbollit botëror.

Interesi ndërkombëtar për Kosovën është i jashtëzakonshëm, me media të njohura botërore që i kanë kushtuar hapësirë të gjerë këtij rrugëtimi.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters e ka përshkruar Kosovën si një ekip që po kërkon historinë e Kupës së Botës në ndeshjen vendimtare ndaj Turqisë, duke theksuar rrugëtimin e saj deri në finalet e plejofit. Ky artikull është postuar edhe nga shumë media të tjera ndërkombëtare.

Edhe mediume të njohura si BBC dhe The Guardian kanë shkruar për momentin historik të Kosovës dhe mundësinë e saj për të arritur në Botëror.

Një artikull i veçantë i është kushtuar Kosovës edhe nga gazeta italiane “Corriere dello Sport”, e cila e ka përshkruar kombëtaren si një ekip të ndërtuar mbi dy realitete: lojtarë nga vendi dhe lojtarë të diasporës, të lidhur nga një fanellë e vetme dhe një identitet i përbashkët.

Sipas medias italiane, Kosova është një skuadër që përfaqëson një “hartë emocionale të Evropës”, me shumë prej lojtarëve të lindur e rritur jashtë vendit, por të bashkuar nga ëndrra për të shkruar histori me vendin e tyre.

“Më shumë se një kombëtare, Kosova është pothuajse një hartë gjeografike sentimentale. Nga 23 të grumbulluarit, 13 kanë lindur jashtë dhe vetëm 10 në vend. Zvicra, Gjermania, Suedia, Kroacia, madje edhe Belgjika: harta e Kosovës kalon nga aty, nga bijtë e diasporës të rritur larg, por që kanë mbetur të lidhur me një fanellë që për shumë prej tyre përfaqëson diçka shumë më të thellë se thjesht futbolli. Është një skuadër e ndërtuar mbi dy shpirtra: ai i atyre që kanë qëndruar dhe ai i atyre që janë larguar. Dhe ndoshta pikërisht kjo është pika e saj më e fortë”,shkruhet në artikull.

Po ashtu, për Kosovën kanë shkruar edhe media të tjera ndërkombëtare si AS në Spanjë, Kicker në Gjermani dhe media në Hungari, duke e vendosur ekipin në qendër të vëmendjes së futbollit evropian.