Lajme
Microsoft gjobitet me 20 milionë dollarë
Microsoft do t’ua paguajë 20 milionë dollarë rregullatorëve federalë të SHBA-së, pasi u zbulua se gjiganti amerikan i teknologjisë kishte grumbulluar në mënyrë të paligjshme të dhëna për fëmijët që kishin hapur llogari në Xbox.
Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) arriti një marrëveshje me kompaninë më 5 qershor – marrëveshje kjo që përfshin edhe mbrojtje shtesë për videolojërat e fëmijëve.
Në mesin e disa shkeljeve, FTC-ja zbuloi se Microsoft nuk kishte informuar prindërit për politikat e saj të mbledhjes së të dhënave.
Gjobitja e Microsoft vjen pas një vendimi të ngjashëm të bërë ndaj kompanisë Amazon për pajisjen e saj, Echo.
FTC-ja tha se Microsoft e ka shkelur Aktin e Mbrojtjes së Privatësisë së Fëmijëve në internet, duke mos marrë siç duhet pëlqimin prindëror dhe duke grumbulluar të dhëna personale për fëmijët nën 13 vjeç, për llogaritë e krijuara para vitit 2021.
Ligji kërkon që shërbimet online dhe faqet e internetit për fëmijë të marrin pëlqimin e prindërve dhe t’i informojnë prindërit për të dhënat personale që mblidhen për fëmijët e tyre.
Përdoruesit e Xbox duhet të krijojnë një llogari për t’i përdorur disa shërbime të caktuara. Informacionet si emri i plotë, adresa e emailit dhe data e lindjes mblidhen si pjesë e hapave të konfigurimit.
Vetëm pasi merrte edhe informacione personale, si për shembull numrin e telefonit të fëmijës, Microsoft kërkonte që një prind të jepte leje.
Nga viti 2015 deri në vitin 2020, Microsoft mbajti të dhëna “nganjëherë me vite” nga llogaritë e konfiguruara, edhe kur një prind nuk e përfundonte procesin e dhënies së lejes, tha FTC-ja në një deklaratë.
Kompania gjithashtu nuk informoi prindërit për të gjitha të dhënat që po mblidhte, si foton e profilit të përdoruesit dhe nuk u tregoi atyre se të dhënat po u shpërndaheshin palëve të treta.
Si pjesë e marrëveshjes së arritur me FTC-në, Microsoft duhet gjithashtu të krijojë mbrojtje të reja sigurie për fëmijët. Kjo përfshin mbajtjen e një sistemi për t’i fshirë të gjitha të dhënat personale pas dy javësh nëse nuk merret pëlqimi prindëror.
Urdhri duhet të miratohet nga një gjykatës federal përpara se të hyjë në fuqi.
Javën e kaluar, Amazon ra dakord të paguante 25 milionë dollarë pasi FTC-ja zbuloi se kishte ruajtur të dhëna të ndjeshme, përfshirë regjistrimet zanore të fëmijëve, për vite me radhë.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap 23 kuti postare për votuesit e diasporës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vënë në funksion 23 kuti postare në shtete të... -
Ministrja shqiptare paralajmëron iniciativa për të drejtat e diasporës në Greqi -
Udha e Lorik Canës: Sporti, Kultura dhe Kombi -
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato
Jeta në Zvicër
-
Uber: Trendet e përdoruesve zviceranë në vitin 2025 Uber ka publikuar për herë të parë detaje se si banorët zviceranë e përdorin shërbimin e... -
Sondazh: Zviceranët duan të paguajnë më pak për shërbimet dixhitale -
Rinovimet në aeroportin e Bazelit, do të operojë vetëm një linjë -
Pse Zvicra duhet të përqendrohet më shumë te kursimi i energjisë? -
Temu, Shein, AliExpress: A duhet Zvicra të taksojë paketat kineze si BE-ja?












