Tematike

Ministri Makolli i afrohet diasporës shqiptare

Ministri i diasporës, Ibrahim Makolli ka zhvilluar takime me komunitetin shqiptar në Jura dhe me përfaqësues institucionesh të kantonit

Nën organizimin e Shoqatës “Bashkësia Shqiptare në Jura “, Zvicër, të martën dhe të mërkurën më 21-22 qershor priti Ministrin për diasporë Ibrahim Makollin dhe stafin e tij Banush Pacolli zëvendës Ministër i infrastrukturës, Halil Mustafa këshilltar i jashtëm i ministrit, si dhe këshilltari për diasporë Ahmet Hasani me qëndrim në Zvicër. Ata fillimisht u pritën dhe u nderuan në komunën e Baskurtit nga autoritete komunale pjesë e së cilës është edhe këshilltari komunal Demush Memeti.

Të mërkurën, Pierr Kohler kryetari komunës Delemont, kryeqyteti i kantonit Jura, shtroi drekë për Ibrahim Makollin dhe shoqëruesit e tij nga Kosova. Ministri pati takim edhe me personalitete të Qeverisë Kantonale, Philippe Receveur Ministër i Ambientit dhe Planifikimit, Charles Juillard Ministër i Financave, Drejtësisë dhe Policisë, ku prej tyre mori premtime për mbështetje në realizimin e projekteve që lidhen me diasporën.

Gjithashtu ata ishin të ftuar dhe morën pjesë në një seancë në Parlamentin e Jurës.

Ndërsa mbrëmë në restorantin “Titanik ” kryetari i Bashkësisë shqiptare Xhevxhedin Ahmeti ftoi bashkatdhetarët për një mbrëmje kuvendimi me ministrin Makollin. Ndër të tjera ai me këtë rast tha: “Diaspora shqiptare është pjesë e pandarë e qenies sonë kombëtare. Ajo, edhe pse e ndodhur fizikisht larg vendit të vet , vazhdimisht luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ngjarjeve në trojet e veta shqiptare, duke u përpjekur që tërë potencialin e saj mendor, material dhe ekonomik të angazhonte në interes të çështjes sonë kombëtare.

Në anën tjetër, Diaspora shqiptare numerikisht është shumë e madhe, është vështirë për të iu qasur në çdo aspekt ashtu siç e meriton. Por, do të mundohem që me tërë qenien tonë të përballemi me tri çështjet kryesore të saj: Organizimin e diasporës përmes qendrave kulturore siç është e paraparë me ligjin mbi mërgatën, organizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe të ketë kahe institucionale, që të dyja këto do të ndihmojnë integrimin e shqiptarëve në vendet ku jetojnë.

Ministria mban dyert e hapura për diasporën

Të rinjtë shqiptarë do ta kenë derën hapur në zyrën tonë në Prishtinë, përmes bashkëpunimit ata do të kenë rast të japin kontributin e tyre intelektual në atdhe duke kryer punë praktike apo duke bërë ndonjë hulumtim të frytshëm i cili do të jetë i pritshëm dhe i mirëseardhur për të dy palët. Si këshillë, ministri udhëzoi mërgimtarët që të dinë ta respektojnë dhe të bashkëpunojnë me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, sepse ajo i bën të gjithë të barabartë, ajo është e jona, është e gjithëve.

Ndër pyetjet që ju parashtruan nga bashkatdhetarët ishte: A do të ketë mundësi Ministria për diasporën t’i ndalë veprimtaritë jo të mira të disa klubeve shqiptare, individ të caktuar marrin lej për hapjen e tyre në emër të komunitetit shqiptar e më pastaj ato keqpërdoren vetëm për lojë bixhozi apo diç tjetër? Është me rëndësi që klubet të kenë rolin e vet kulturor shqiptar, me themelimin e qendrave kulturore në mënyrë institucionale veprimtarive jo të mira do të ju këputën degët, nuk do të kenë mundësi të marrin leje në emër të komunitetit përveç se të hapin restorante në emër të vet, klubet do të mbushen me libra në gjuhën shqipe që do të shërbehen brezat për ta ruajtur apo përvetësuar gjuhën amtare.

Ministri viziton nxënësit me mësim plotësues në Delemont

Dje, pasdite ministri Ibrahim Makolli vizitoi shkollën shqipe në Delemont. Ishte një ditë e veçantë për nxënësit dhe mësuesen Nexhmije Mehmetaj, e cila e falënderon sinqerisht ministrin për nderin e madh që ua ka bërë me këtë rast. “Fakti që ministri nga Kosova angazhohet për të mirën e fëmijëve të popullit të vet në mërgim, nuk është aspak diçka që vetëkuptohet. Për mua kjo vizitë e pasqyron vullnetin e tij të madh që do të bëj çmos për fëmijët dhe rininë shqiptare që kërkon rrugë për të përmirësuar perspektivat e saj jashtë Atdheut. Ju përgëzoj për vullnetin tuaj fisnik, duke ju shprehur respektin tim të thellë. Investimet në të ardhmen e rinisë janë me vlerë të veçantë pikërisht brezi i ri i formuar në nivel të lartë, përfaqëson edhe një burim të rëndësishëm po për Atdheun”, thotë mësuesja Nexhmije Mehmetaj.

(Autorja është mësuese në Jura, Zvicër)