Tematike

Mjekët gjermanë operojnë pa pagesë Gjyle Jahën

Gylja mund të shpresojë, falë mjekëve humanistë gjermanë: Landzettel, Helga Bernhard, Bernhard Lettgen dhe Gerhard Becker

Gjyle Jaha, një vajzë 15 vjeçe nga Grabanica e Klinës, Kosovë, si pasojë e një tumori në tru, ka humbur të parët para pesë vitesh. Por tash Gjyles i janë ngjallur shpresat se së shpejti mbase mund të shohë jetën që zhvillohet rreth saj. Një grup mjekësh të profileve të ndryshme kanë mundësuar që ajo t`i nënshtrohej një operacioni pa pagesë, në klinikën Onkologjike në Darmstadt të Gjermanisë.

Aktualisht ajo është në fazën e rehabilitimit, në klinikën e fëmijëve “Princesha Margarita” dhe ende nuk i është kthyer të parët. Ajo nuk e kupton as gjuhën që flitet në klinikën ku është shtruar por e ndjen se të gjithë ia duan të mirën dhe e di se pa ndihmën e pakursyer dhe vetëmohuese të mjekëve gjermanë ajo nuk do të mbijetonte gjatë.

Shkaktari i humbjes së syve ishte një tumor i madh që i ishte zhvilluar në tru dhe ia kishte dëmtuar nervin që mundëson të parit. Mjekët në Prishtinë ashtu si dhe ata nga Tirana, nuk kishin guxuar t`ia hiqnin tumorin. Për fat, Gjylia ka një dajë që jeton në Büttelborn, Rrustem Kameraj, i cili i gjendet asaj në momentet më të rënda të jetës.

Kameraj e njeh prej vitesh mjekun e fëmijëve nga Darmstadti, Hans Joachim Landzettel dhe e di nga përvoja se ky mjek do t`i vinte në lëvizje të gjitha levat dhe njohjet e tij personale për të mundësuar shërimin e fëmijëve të sëmurë, shkruan eco-online.de.

Siç e pranon dr. Landzettel, që është bashkëkryetar i organizatës për ndihmë kundër kancerit në Hessen, Rrustemi e kishte kontaktuar disa herë në ditë atë për ta lutur që t`ia bënte këtë të mirë. Daja i vajzës së sëmurë kishte sjellë edhe fotografitë e tumorit të Gjyles, të cilat dr. Landzettel, pa ndonjë shpresë të madhe ia kishte kaluar shefes së mjekëve në Klinikën e Onkologjisë, dr. Helga Bernhard.

Pasi që kjo e fundit, së bashku me drejtuesit e Klinikës për fëmijë “Princesha Margaritë” dr. Bernhard Lettgen dhe Gerhard Becker ishin zotuar se do të ndihmonin në trajtimin pa pagesë të Gjyles, asgjë më nuk e ndalonte ardhjen në Gjermani të vajzës së sëmurë nga Kosova.

Ndërsa, për biletën e saj të udhëtimit paratë i kishin mbledhur bashkëfshatarët e saj. Kështu, sistemi social i Gjermanisë nuk dëmtohej me asgjë.

Operacioni ishte bërë para një jave. Rreth 5 orë kishte zgjatur ndërhyrja e ndërlikuar të cilën e kishte udhëhequr neurokirurgu dr. Gerhard Birn, me ndihmën e mikroskopit. Vendi ku është operuar Gjylja vazhdon të jetë i ënjtur por ka shpresë që së shpejti ajo të jetë në gjendje që së paku të dallojë dritën nga hija.

Me gjithë faktin se tumori, shumë i rrallë, në kokën e vajzës nga Kosova është beninj, për faktin se ajo vuan edhe nga sëmundja e trashëguar neurofibromatose, ekziston rreziku i krijimit të tumoreve të reja nervore.

Mjeku i fëmijëve dhe neonatologu Sebastian Krümpelmann së bashku me mjekët e specializimeve të ndryshme është duke e bërë planin e trajtimit të pacientes së re. Për ta bërë këtë, duhet të qartësohet se çfarë pajisje dhe përgatitje kanë mjekët në Prishtinë. Krümpelmann shton se, sikur të trajtohej më herët, Gjylja tashmë mund të shihte.

Ai thotë po ashtu, nëse ajo do të ishte me qëndrim në Gjermani gjithçka do të ishte më e lehtë. Në gjendjen që është, shton me keqardhje mjeku gjerman, “shanset e përgjithshme të saj nuk janë të mira.