Mantelbardhët shqiptarë në Zvicër

Mjekët nga Maqedonia “vërshojnë” Evropën

Gjermania është destinacioni të cilin mjekët nga Maqedonia e zgjedhin më shpesh për të punuar, por këtu është edhe Zvicra dhe vende tjera të Evropës. Gjatë 5 viteve të fundit rreth 900 mjekë kanë kërkuar dokumentet e tyre nga Oda e Mjekëve e Maqedonisë që të mund të angazhohen jashtë

Mantelbardhët e Maqdedonisë vazhdojnë të ikin. Kjo dukuri është shpeshtuar sidomos vitet e fundit, ku si arsye është punësimi i tyre në shtetet ku pagesa është më e mirë. Kështu, gjatë 5 viteve të fundit rreth 900 mjekë kanë kërkuar dokumentet e tyre nga Oda e Mjekëve e Maqedonisë që të mund të angazhohen jashtë. Gjermania është destinacioni më i preferuar të cilin mjekët e zgjedhin më shpesh për të punuar, por këtu është edhe Zvicra dhe vende tjera të Evropës, (për Zvicër, hëpërhë nuk mund të jepet një shifër e saktë sa është ky numër i mjekëve që kanë braktisur këtë shtet).

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari në një prononcim për Albinfo.ch ka thënë se vetëm në dy vitet e fundit numri i mjekëve të larguar nga Maqedonia për në shtetet e Evropës kalon 200-shin. Në shëndetin publik shpeshherë, madje mungojnë infermiere. I fundit është shembulli në spitalin e përgjithshëm të qytetit “8 shtatori” në Shkup, ku për shkak të mungesës së instrumenteve teknike dhe infermiereve, përkohësisht janë mbyllur disa departamente dhe salla të operimit. Ky staf profesional ngadalë, por sigurt po humbet, ndërsa një nga arsyet kryesore është po ashtu punësimi në vende jashtë shtetit. Vlerësohet se së paku 400 infermiere kanë ndërruar uniformën nga shëndeti publik dhe kanë veshur ose uniformën e ndonjë spitali privat në Maqedoni, apo i janë bashkangjitur kolegëve në Kroaci, Gjermani apo Austri, disa dhe në SHBA dhe Australi.

Vetëm sivjet, 120 kërkesa

Numri i mjekëve që janë larguar nga vendi për të punuar në shtete të tjera është vazhdimisht në rritje. Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve në Maqedoni në vitin 2012, 138 mjekë kanë kërkuar vërtetim që të mund ta kryejnë punën e mjekut jashtë vendit, ndërsa në vitin 2016 këtë dokument e kanë kërkuar 172 mjekë.

“Gjatë vitit 2017, deri në ditën e enjte nga Oda e mjekëve 120 mjekë kanë kërkuar një vërtetim me të cilin do të mund ta ushtrojnë profesionin mjekësor edhe jashtë vendit”, thonë nga Oda e Mjekëve të Maqedonisë.

Ministri i shëndetësisë, Arben Taravari për mediat në Maqedoni paralajmëroi se do të aktivizohen masa me të cilat do të parandalohet largimi i mjekëve nga vendi. “Biseduam me shumë qendra evropiane por edhe me qendra në SHBA, që mjekët të mos largohen nga vendi tërësisht, por të shkojnë e të qëndrojnë atje 3-6 muaj ose një vit, e pastaj me eksperiencën që do ta marrin atje prapë të kthehen këtu. Kuptohet se me Qeverinë kemi biseduar edhe për rritjen e pagesës për kujdestarinë e mjekëve. Për shembull, një mjek të mos marrë 10 euro, por kompensimin ta rrisim aq sa është e nevojshme”, ka thënë ministri Taravari, ndryshe edhe kandidat për kryetar të komunës së Gostivarit nga Aleanca për shqiptarët.

Kompetentët, madje alarmojnë nga pasoja e këtilla, ndërsa fajin hedhin në politikat e gabuara që seriozisht po prekin sistemin shëndetësor.

“Mjekët si profesion janë të nënçmuar deri në atë masë që nuk duan të punojnë më këtu. Arsyet dihen, politikat shëndetësore të pushtetit të deritanishëm apo regjimi që solli në atë që një numër i madh i tyre të mos pajtohen të punojnë në Maqedoni. Kushtet të cilat po përjetojnë mjekët në Maqedoni nuk ekzistojnë as në Ballkan apo vend tjetër. Arsyet ekonomike janë me rëndësi, por jo edhe vendimtare”, ka pohuar Dejan Stavriq, ish lider i Sindikatës së mjekëve në Qendrën klinike në Shkup, njofton Albinfo.

 Çmimin do e paguajnë qytetarët

Dëmi që pëson sistemi shëndetësor, sipas tij është i madh, ndërsa çmimin do e paguajnë qytetarët.

Për atë se pse ikin dhe si të mbahet ky personel në spitalet shtetërore, nga Shoqata e Infermierëve të Maqedonisë, thonë se ka disa arsye. “Shumë nga infermieret, të cilat kanë mbaruar shkollimin e mesëm profesional, përecaktohen për profesione të cilat paguhen më mirë dhe ku mund të ndërtojnë karrierë akademike. Pesha e punës dhe puna me ndërrime është gjithashtu një nga arsyet për mungesën e infermiereve tek ne, nëse merret parasysh fakti se shumica nga të punësuarit janë gra, të cilat kanë rol kyç në familjen. Me liberalizimin e vizave, shumë infermiere nga Maqedonia vendosën karrierën e tyre profesionale ta vazhdojnë në vendet e zhvilluara evropiane, ku gjithsesi motiv janë të ardhurat mujore, por dhe zhvillimi i karrierës dhe mundësia për përvetësim më të lartë të arsimimit në magjistraturë apo doktor në infermieri”, thonë nga Shoqata e Infermiereve të Maqedonisë.

Mirëpo nuk është vetëm paga arsye për largimin e këtij stafi nga spitalet dhe klinikat, por dhe ngarkesa e punës. Në vendet e BE-së, norma mesatare është 8.4 infermiere në 1000 banorë, për dallim nga Maqedonia ku kjo mesatare është 4. Këto janë të dhënat nga publikimi i fundit “Health at a glance” e Këshillit të Evropës në vitin 2016. Në lidhje me raportin mjek-infermiere, norma mesatare në BE është 2.5 infermiere në 1 mjek, ndërsa në Maqedoni është 1.4 infermiere në 1 mjek, që tregon se infermieret janë kuadër deficitar në shëndetin publik, të mbingarkuar me punë.