Lajme

Mungesa e drithërave vë në rrezik sigurinë ushqimore

Lufta, moti ekstrem dhe kontrollet e eksportit po kontribuojnë në këtë gjendje, shkruan The Economist

Në vitin 2001, babai i Olena Nazarenkos filloi të merrej me bujqësi në Lukashivka, një fshat i vogël rreth 100 km në veri të Kievit. Ai kishte vetëm tri lopë dhe një kalë të quajtur Rosa (që do të thotë “vesë” në gjuhën ukrainase).

Në vitin 2020, zonja Nazarenko dhe bashkëshorti i saj, Andriy, trashëguan fermën prej 400 hektarësh, që tani mban emrin Rosa. Në fillim të këtij viti ata morën një hua të konsiderueshme për të paguar plehrat kimike për kultivimet e ardhshme të grurit në pranverë.

Por, më 9 mars trupat ruse pushtuan fshatin dhe çifti u largua. Më 31 mars, kur pushtuesit ishin larguar, çifti u rikthye. Kthimi në shtëpi ishte i vështirë. Ndërtesa kryesore e fermës ishte shkatërruar nga një granatë. Tre traktorë ishin prishur dhe u kishte rrjedhur nafta.

Nga 117 lopët në fermë, 42 kishin ngordhur dhe pjesa tjetër qëndronin nëpër fusha të mbushura me mbeturina, mina, predha, bomba të pashpërthyera dhe kamionë të djegur. Pesëdhjetë tonë grurë, fara luledielli dhe thekër ishin shkatërruar, duke i kushtuar çiftit me dhjetëra mijë dollarë. “Nuk kemi para”, thotë zonja Nazarenko. “Nuk kemi asgjë për të shlyer detyrimet dhe po paguajmë me vështirësi interesin e kredisë”.

Në Lukashivka dhe fshatrat përreth, me mijëra tonë drithëra janë shkatërruar ose janë lënë të kalben. Kjo vihet re edhe në të gjitha zonat e luftës të vendit. Forcat ruse kanë vënë në shënjestër fushat e grurit dhe fabrikat e plehrave kimike, duke e shkatërruar infrastrukturën.

Sasia e të korrave të drithit të vitit të kaluar që ka mbetur ende në vend, rreth 25 milionë tonë, ka ngecur aty, pasi janë bllokuar portet e Odessa-s, nëpërmjet të cilave zakonisht kalojnë 98% e eksporteve të drithit. Transportimi i grurit përmes porteve alternative në Rumani, Bullgari dhe vendet baltike është diçka e vështirë.

“Para luftës, Ukraina eksportonte rreth 5 milionë tonë drithëra në muaj”, thotë Mykola Solskiy, ministri i Bujqësisë. “Muajin e kaluar, ne arritëm të nxjerrim vetëm 1.1 milion tonë”.

Vikas Kumar Singh, fermer në Dharauli, një fshat në Uttar Pradesh, rreth 700 km në juglindje të Delhit, nuk ka pse të shqetësohet për bomba. Por edhe për të, muaji mars ka qenë i trazuar. “I nxehti erdhi shumë herët”, shpjegon ai, duke marrë një grusht gruri të korrur së fundmi, me një pamje të dëshpëruar në fytyrë.

“Shikoni, kokrrat janë më të holla se zakonisht”. Pasi u godit nga erërat e forta dhe breshëri në shkurt, rrethi Chandauli ku ndodhet fshati Dharauli, përjetoi një mot tepër të nxehtë, që tkurri kallinjtë e grurit në një periudhë kur duhej të ishin duke lulëzuar. E njëjta gjë ndodhi në pjesën më të madhe të vendit. “Gjërat janë shumë më keq në Maharashtra”, thotë Awadh Bihari Singh, i cili punon aty pranë.

Vikas Singh llogarit se rendimenti është ulur me rreth një të katërtën në krahasim me vitin e kaluar. Rrethi në tërësi ka korrur rreth një të pestën më pak grurë se në një vit normal, llogarit Awadh Singh.

Përpara valës së të nxehtit, qeveria kishte pritur me padurim që monedha indiane të forcohej nga eksportet e drithërave. Kur pritshmëritë për sasinë e të korrave ranë, monedha u zhvlerësua. Rritja e eksporteve e nxitur nga çmimet e larta jashtë vendit, shtoi shqetësimet për mungesat në vend.

Më 13 maj, qeveria indiane vendosi të ndalonte eksportin e grurit, megjithëse thotë se do të bëjë përjashtime për disa vende në nevojë; më 15 maj u raportua një marrëveshje me Egjiptin për 500,000 tonë drithëra. Aktualisht, 26 vende zbatojnë kufizime të rënda për eksportet e ushqimit. Në shumicën e rasteve, këto janë ndalime të plota. Masat e ndryshme kufizuese mbulojnë 15% të kalorive të tregtuara në mbarë botën.

Duhet një botë e tërë për të ushqyer një glob, dhe bota e realizon këtë përmes tregtisë. Sipas disa vlerësimeve, katër të pestat e popullsisë globale jeton në vende që janë importuese neto të ushqimit. Më shumë se 20% e kalorive të botës dhe më shumë se 18% e grurit të saj, kalon të paktën një kufi në udhëtimin nga parmenda në pjatë.

Në fillim të vitit 2022, sistemi botëror, i cili bën të mundur këtë, ishte tashmë në një situtë të shtrënguar. Sipas Programit Botëror të Ushqimit (WFP) të OKB-së, numri i njerëzve që vuanin nga mungesa ushqimore deri në atë pikë sa t’u rrezikohej jeta, ishte rritur nga 108 milionë, në 193 milionë, gjatë pesë vjetëve të fundit.

Një pjesë e madhe e arsyes për këtë rritje të jashtëzakonshme të “pasigurisë akute ushqimore” ishte pandemia Covid-19, e cila uli të ardhurat dhe ndërpreu punën në ferma si dhe zinxhirët e furnizimit.

Një tjetër faktor ishte rritja e çmimeve të energjisë dhe transportit detar. Gjërat u përkeqësuan nga gripi i derrave në Kinë dhe një sërë korrjesh të këqija në vendet eksportuese, disa prej të cilave u shkaktuan nga La Niña që nisi në mesin e vitit 2020. La Niña është një term që u referohet rrymave të erës brenda dhe jashtë Paqësorit ekuatorial, të cilat kanë efekte mbarëbotërore.

Rezervat globale të grurit ishin pa dyshim mjaft të larta. Por ato ishin kryesisht në duart e vendeve të pasura importuese, jo ato të eksportuesve që ishin të prirur t’i shisnin ose importuesve të varfër që mund të kishin nevojë për to. “Nëse nuk e trajtojmë situatën menjëherë, – tha David Beasley, i cili drejton WFP-në, – gjatë nëntë muajve të ardhshëm, do të ketë zi buke, destabilizim të kombeve dhe migrim masiv”.

Vetëm gjashtë ditë pasi ai tha këto fjalë, Rusia dha një tjetër goditje të madhe. Në vitin 2021, Rusia dhe Ukraina ishin përkatësisht eksportuesit e parë dhe të pestë më të mëdhenj në botë të grurit, duke transportuar secili nga 39 milionë dhe 17 milionë tonë grurë, plot 28% të tregut botëror.

Dy shtetet gjithashtu kultivojnë shumë drithëra që përdoren për të ushqyer kafshët, si misri dhe elbi, dhe janë prodhuesi numër një (Ukraina) dhe numri dy (Rusia) i farave të lulediellit, që do të thotë se përbëjnë 11.5% të tregut të vajit bimor. Ata ofrojnë pothuajse një të tetën e kalorive të tregtuara në mbarë botën.

Eksportet e ushqimit ukrainas u frenuan menjëherë nga lufta; ato ruse u dëmtuan nga efektet e sanksioneve. Çmimet e grurit u rritën. Më 16 maj, ditën e parë të tregtimit pasi India vendosi kufizimet e saj, çmimet e grurit në Çikago u rritën me 6%; më 18 maj, ishin 39% më të larta se kur Rusia nisi pushtimin.

Departamenti Amerikan i Bujqësisë (USDA) vlerëson se lufta dhe moti i keq do të ndikojnë që prodhimi global i grurit të bjerë për herë të parë në katër vjet. Më e keqja është se gruri në të vërtetë nuk tregtohet globalisht. Blerësit shpesh kanë marrëdhënie të gjata dypalëshe me eksportuesit dhe vendosin kanale tregtare që e bëjnë të vështirë ndërrimin e furnizuesve. Sipas Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), gati 50 shtete varen nga Rusia ose Ukraina, ose nga të dyja, për më shumë se 30% të importeve të grurit; për 26 prej tyre, kjo shifër është mbi 50%.

Si u arrit deri këtu?

Vendet e Azisë Lindore si Indonezia, që importojnë shumë grurë nga Deti i Zi, mund ta zëvendësojnë pa problem grurin me oriz. Për shumicën e importuesve të tjerë të mëdhenj, ndërprerja e grurit do të përfshinte ndryshime drastike në dietë.

Shumë vende në Gjirin Persik dhe në Afrikën Veriore konsumojnë dy herë më shumë bukë për person sesa amerikanët. Disa drithëra mund të merren nga tregjet e tjera me çmimin e duhur dhe qeveritë europiane po kërkojnë në mënyrë aktive marrëveshje: “Gjithçka është në tryezë”, thotë një prodhues i madh francez.