Kosova
Mungon klimatizimi, Këshilli Gjyqësor paralajmëron ndërprerje të punës
Këshilli Gjyqësor i Kosovës u ka drejtuar një letër të hapur udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, me anë të së cilës paralajmëron ndërprerjen e punës për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së klimatizimit në Pallatin e Drejtësisë.
Në letrën drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, KGJK thotë se punonjësit në Pallatin e Drejtësisë janë duke punuar në kushte alarmante.
“Si pasojë e mosfunksionimit të sistemit të klimatizimit në Pallatin e Drejtësisë dhe rritjes së temperaturës në ambientet e punës deri me 35 gradë celcius, Këshilli Gjyqësor dhe kryetarët e Gjykatave që punojnë në Pallatin e Drejtësisë kanë vendosur që t’ju drejtohen me këtë letër të hapur: Edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, ndër vite, që bashkërisht me secilin nga përgjegjësit të punojmë për përmirësimin e kushteve elementare të punës në Pallatin e Drejtësisë, gjendja është përshkallëzuar më tepër dhe tani kemi arritur në situatën që gjyqtarët dhe punonjësit e Gjykatës Supreme, Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, të Gjykatës së Apelit, të Gjykatës Komerciale dhe të Gjykatës Themelore të Prishtinës të punojnë në kushte alarmante të punës, si rezultat i mos funksionimit të sistemit të ajrosjes në Pallatin e Drejtësisë”, thuhet në letrën e KGJK-së drejtuar krerëve të Qeverisë së Kosovës.
Tutje, thuhet se edhe kontrata për mirëmbajtjen e higjienës tashmë ka mbaruar, gjë për të cilën Ministria e Punëve të Brendshme sipas tyre nuk është duke marrë përgjegjësi.
“Siç të gjithë jeni në dijeni, që nga ndërtimi i Pallatit të Drejtësisë në vitin 2010 përgjegjës për “mirëmbajtjen e higjienës” dhe “mirëmbajta teknike” është Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (ish MAP). Në vitin 2022 pas diskutimeve me personat përgjegjës nga MAPB jemi pajtuar që Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) të marrë përsipër mirëmbajtjen e higjienës, por paraprakisht të bartet buxheti i domosdoshëm nga MAPB dhe KGJK dhe kjo nuk ka ndodhur as me Ligjin për Buxhet të vitit 2023. Edhe pse përgjegjësit në MAPB ishin në dijeni se KGJK nuk ka buxhet të dedikuar për mirëmbajtjen e Pallatit të Drejtësisë, në muajin maj 2023 kanë informuar Sekretariatin e KGJK-së se kontrata për “mirëmbajtjen e higjienës” e lidhur mes MAPB dhe një kompanie private ka skaduar dhe nga ajo ditë MAPB nuk merr asnjë përgjegjësi”, thuhet në reagimin e KGJK-së.
Mes tjerash në këtë letër thuhet se për shkak të gjendjes së krijuar, Këshilli Gjyqësor ka mbetur i vetëm në përpjekje për të gjetur zgjidhje të situatës duke kërkuar nga stafi i Pallatit të Drejtësisë të kujdesën për higjienën.
Megjithatë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës paralajmëron ndërprerje të punës deri në përmirësimin e gjendjes teknike ose rënies së temperaturave.
“Ndërsa, me datë 19 korrik 2023, Këshilli Gjyqësor është informuar se kontrata tjetër e MAPB për “mirëmbajtjen teknike” ka skaduar ( që përfshinë edhe klimatizimin) dhe si pasojë menjëherë të nesërmen temperaturat në hapësirat në Pallat kanë arritur në nivel prej 35 gradë celsius, që është e papërballueshme dhe e dëmshme për shëndetin e punonjësve dhe të palëve në procedurë. Të gjendur në këtë situatë, Këshilli Gjyqësor në koordinim me Kryetarët e Gjykatave që punojnë në Pallatin e Drejtësisë është i detyruar që në takimin e paralajmëruar për datën 25 korrik 2023 të merr vendim për ndërprerjen e punës deri në përmirësimin e gjendjes teknike ose rënies së temperaturave”.
Në letrën e hapur të KGJK-së, drejtuar qeveritare thuhet se ata mbesin me shpresë që të ndërmerren masa të menjëhershme për përmirësimin e gjendjes në të cilën ndodhen sepse në të kundërtën do të dëmtohen një numër i konsiderueshëm i proceseve gjyqësore si dhe do të pamundësohen shërbimet ndaj qytetarëve./Albinfo.ch
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Albin Kurti në Cyrih: Siguria si garanci e paqes dhe shtetndërtimi si përgjegjësi historike Në vazhdën tubimin elektoral me mërgatën shqiptare në Zvicër, Kryeministri në detyrë ndali veçmas te mbrojtja,... -
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Fondet mjaftojnë vetëm për 24 avionë luftarakë në rast ekstrem Për të qëndruar brenda kufirit të kostos, paratë potencialisht do të ishin të mjaftueshme vetëm për... -
Gjykohet një mercenar zviceran që ka luftuar për Ukrainën -
Ticino: Gjenden 40 kilogramë kokainë në makinën e serbit dhe italianes -
Kishte kërcënuar me sulm në Eurovision në Bazel – Dëbimi i tij ngre pyetje -
Lindjet në kantonin zviceran bien në nivelin më të ulët rekord











