Tematike

Nägeli, kosovarëve: “Ju po ndihmoni për të bërë një Zvicër edhe më të mirë”

Nga pritja e Ambasadës së Kosovës në Bernë për korin diplomatik, bashkëpunëtorët, përfaqësuesit e komunitetit dhe gazetarët

Në përmbyllje të vitit, Ambasada e Kosovës në Bernë ka mbajtur të premten një pritje për korin diplomatik, bashkëpunëtorët, përfaqësuesit e komunitetit dhe gazetarët.

Në këtë pritje kanë marrë pjesë një numër diplomatësh nga vende të ndryshme ndërsa nga Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës ka qenë i pranishëm diplomati dhe ish Shefi për çështje të komunitetit në ICO në Kosovë, z. Raphael Nägeli.

© albinfo.ch

Kishte edhe mysafirë nga institucionet kosovare, si zëvendësministri i diasporës, Çerim Bajrami, avokati i popullit, Sami Kurteshi etj.

Në margjina të aktivitetit të mbajtur në hoitelin Bellevue Pallace, në sallën ngjitur me atë ku zhvillohej solemniteti, është prezantuar vepra artistike e piktorit shqiptar me qëndrim në Lozanë, Samedin Asllani. Ajo ka ngjallur mjaft interes në mesin e të publikut, në veçanti atij zviceran dhe të huaj.

© albinfo.ch

Në një fjalë rasti, ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj ka bërë fjalë për sfidat dhe të arriturat e vitit që po lëmë pas dhe i ka shprehur mirënjohje mërgatës për vënien e urave të afrimit të Kosovës me Zvicrën. Falënderime të posaçme z. Malaj i ka drejtuar shtetit mikpritës, popullit dhe institucioneve të tij, për përkrahjen që i kanë dhënë dhe po i japin ndërtimit të shtetit të ri të Koeovës.

Ai ka vënë theksin në zhvillimet që kanë karakterizuar jetën në Zvicër gjatë vitit që po shkon, në të cilat kanë dhënë vulën e tyre edhe kosovarët. Ndër ato zhvillime ambasadori ka përmendur zgjedhjet federale, në të cilat kanë marrë pjesë për herë të parë edhe kandidatë kosovarë, duke shfrytëzuar të drejtën që ua mundëson shtetësia zvicerane.

Po ashtu ai ka folur edhe për sukseset individuale të futbollistëve kosovarë në Zvicër, të cilët kanë zënë vendin e nderit në arenën e këtushme sportive.

© albinfo.ch

 

Por, ambasadori ka tërhequr vërejtjen edhe për paragjykimet ende të pranishme mbi komunitetin tonë këtu. “Ashtu si shoqëria zvicerane në tërësi, komuniteti kosovar nuk duhet të jetë viktimë e paragjykimeve dhe stigmatizimeve tendencioze si pasoje e disa akteve të izoluara, të cilat ndodhin në çdo shoqëri”, ka thënë Malaj.

Të pranishmëve, me një fjalë mjaft përmbajtjesore u është drejtuar diplomati zviceran Raphael Nägeli. Ai ka përshëndetur me këtë rast “personat me origjinë nga Kosova, të cilët, që disa vite, janë plotësisht të integruar në shtetin tonë, dhe kontribuojnë në prosperitetin e tij. Të gjitha këtyre grave, burrave, dhe fëmijëve, dua t`ju ritheksoj se janë shumë të çmuar dhe të vlerësuar në Zvicër për përpjekjet e tyre”.

Pastaj ai ka theksuar faktin se Zvicra ka qenë njëri nga shtetet e para që ka mbështetur pavarësinë e Kosovës, si zgjidhje më e mirë për të garantuar paqen, stabilitetin, zhvillimin ekonomik dhe politik në Ballkan. Dhe, për këtë arsye, ka thënë Nägeli, Zvicra vazhdon angazhimin për të ndihmuar zhvillimin e Kosovës.

Më tutje, diplomati zviceran ka nënvizuar kontributin e diasporës nga Kosova për përforcimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve. “Ju, Zonja dhe Zotërinj, si përfaqësuese dhe përfaqësues të diasporës kosovare në Zvicër keni një rol të veçantë në zhvillimin e mëtejshëm të vendit tuaj të origjinës.

Ju e merrni këtë përgjegjësi në shumë aspekte: taksat tuaja që i paguani në Zvicër, ndihmojnë në financimin e aktiviteteve të Zvicrës në Kosovë”. Por, ka shtuar Naegeli, “diaspora kosovare mund të bëjë edhe më shumë. Kosova ka nevojë veçanërisht për investime, vende pune dhe Know-How”.

Diplomati zviceran me përvojë kosovare, Raphael Nägeli më tutje ka folur fjalë të mira për përfaqësuesin e shtetit të Kosovës në Zvicër, ambasadorin Naim Malaj.

“Kosova ka një ambasador të shkëlqyer në Bernë, të cilin e kam këtu afër. Por në fakt Kosova ka 180.000 ambasadore e ambasadorë të Kosovës në Zvicër”.

Imazhi i kosovarëve në Zvicër po ashtu është prekur nga z. Naegeli. “Mediat flasin me dëshirë për yjet e futbollit. Kjo është gjithmonë e bukur. Gjithashtu, unë jam i gëzuar për çdo gol që shënon Xherdan Shaqiri për Zvicrën. Por, ai është një rast individual. Mediat shpesh raportojnë për njerëzit që bien ndesh me ligjin. Kjo është e trishtueshme, por e pashmangshme. Falë Zotit, ato janë raste individuale”.

Mirëpo, ka shtuar Naegeli, mediet më rrallë merren me shumicën e heshtur dhe korrekte të kosovarëve në Zvicër. “Nga këta njerëz ka me dhjetëra mijëra. Pa ta, Zvicra nuk do të funksiononte. Ata e meritojnë një njohje më të madhe”.

Në përmbyllje, Naegeli ka evokuar kohën prej tri vitesh të qëndrimit të tij në Kosovë, si një kohë interesante. Dhe ka bërë vlerësimin interesant: “Që atëherë unë jam një shtetas zviceran me prejardhje imigrantësh”.

Ai ka kërkuar që edhe vlerat që i ka mësuar në Kosovë, si mikpritja, dashuria për fëmijët, për familjen, të përhapen edhe në Zvicër. “Nëse ju më ndihmoni për të përhapur tutje këto vlera në Zvicër, atëherë ju jeni duke ndihmuar për të bërë Zvicër edhe pak më të mirë”, ka përfunduar diplomati zviceran Raphael Naegeli.

Foto galeria