Lajme

Naser Ulaj rizgjidhet kryetar i LAPSH-it në Kantonin e Cyrihut

Në Glattbrug të Cyrihut të dielën është mbajtur kuvendi i rregullt zgjedhor i LAPSH „Naim Frashëri“ për Kantonin e Cyrihut. Kuvendi i ka dhënë besimin edhe për një mandat kryetarit të deritanishëm mësuesin, Naser Ulaj

Delegatë, mësimdhënës nga shkollat ku zhvillohet mësimi plotësues në gjuhën shqipe janë mbledhur në Glattbrug të dielën për të marrë pjesë në kuvendin zgjedhor të LAPSH-it „Naim Frashëri“ për Kantonin e Cyrihut.

Në këtë kuvend ishte i pranishëm edhe shefi i Konsullatës së Kosovës në Cyrih, Sami Kastrati, i cili duke përshëndetur punimet e këtij Kuvendi, ka vlerësuar lart punën e mësuesve në ruajtjen e gjuhës shqipe te fëmijët mërgimtarë.

Pastaj kuvendarët, mësuesit dhe prindërit zgjodhën Këshillin drejtues të kuvendit, i cili nën udhëheqjen e Gëzim Kasumaj, nënkryetar, drejtoi punimet e kuvendit.

Para se të raportonte kryetari i deritanishëm, Naser Ulaj, për punën e LAPSH-it në kohën sa e kishte udhëhequr këtë organizim për Kantonin e Cyrihut, është miratuar statuti dhe një plan për riorganizimin strukturor të LAPSH-it në kantonin e Cyrihut. Me këtë strategji synohet të shtohet numri i nxënësve nga 470 në 1000 në vitin 2023.

Mësuesi Ulaj në raportin e tij tha se prioritet i LAPSH ,,N. Frashëri” për Kantonin e Cyrihut ka qenë rritja dhe përfshirja sa më e madhe e fëmijëve shqiptarë në mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe.

“Në kantonin tonë numërojmë 470 nxënës, 361 prindër dhe 45 paralele. Këto pika shkollore mbulohen me 10 mësimdhënës/se prej tyre 7 janë mësuese dhe 2 mësues. Përfshirë dhe administratorin, numërojmë 10 dhe 3 anëtare të kryesisë nga prindërit gjithsej 13”, ka bërë të ditur Ulaj, duke bërë thirrje që të gjithë të angazhohen në mënyrë që të rritët sa më shumë numri i nxënësve.

Ndërsa Nexhat Maloku në cilësinë e koordinatorit ka raportuar për punët e kryera, duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë me autoritetet arsimore të Kantonit të Cyrihut dhe me Drejtorinë e Arsimit të Kantonit të Cyrihut.

Më pas, arkëtari Lulzim Hasi ka paraqitur raportin financiar me të dhëna konkrete për këtë periudhë të funksionimit të shkollave shqipe në Kantonin e Cyrihut.

Delegatët e pranishëm kanë theksuar nevojën e angazhimit konkret në rritjen e numrit të nxënësve që do të vijojnë mësimin në gjuhën shqipe.

Gjithashtu është theksuar nevoja e një koordinimi më të mirë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe LAPSH-it në Cyrih.

Në vazhdim delegatët me një votim të fshehtë zgjodhën kryesinë e re të LAPSH-it për Kantonin e Cyrihut si dhe anëtarët e kryesisë së LAPSH-it.

Kryetar i ri u zgjodh Naser Ulaj, i cili nga 1993 është duke e kryer misionin e mësuesit në kuadër të LAPSH-it.

Kryesia e  re e zgjedhur e Cyrihut numëron gjithsej tetë anëtarë, 4 mësimdhënës dhe 4 prindër.

Kuvendi mbylli punimet në një atmosferë konstruktive, duke i falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për mbarëvajtjen e mësimit plotësues në Kantonin e Cyrihut, thuhet në një njoftim të LAPSH-it për Cyrih.

Kuvendi i përgjithshëm i LAPSH-it „N. Frashëri“ për Zvicër do të mbahet gjatë muajit të ardhshëm.

Foto: Lulzim Hasi

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI