Lajme
Nata e parë e Tri Net Film Fest, një fillim i mbarë i festivalit
Tri Net Film Fest nis edicionin 2025. Salla e Neues Kino mirëpriti mbrëmë natën e parë të festivalit, që do të vazhdojë me dy netë të tjera programi
“Tri Net Film Fest”, i organizuar nga Studio e Aktrimit në Zvicër, hapi mbrëmë zyrtarisht edicionin e tij të ri, të katërt, duke përmbyllur me sukses natën e parë të festivalit që do të zgjasë tri netë. Evenimenti u zhvillua në Neues Kino, Freienstein, në një atmosferë të përzgjedhur, ku afërsia mes publikut dhe artit krijoi një prezencë të fortë kulturore.
Albinfo.ch është sponsor medial i aktivitetit.
Ceremonia u nderua nga përfaqësues diplomatikë të rajonit: Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë, Rexhep Demiri; Zëvendësambasadorja e Republikës së Kosovës në Bernë, znj. Shukrije Ramadani; Sekretari i Parë i Ambasadës së Shqipërisë, Valon Gashi si dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha. Prania e tyre i dha ngjarjes një dimension institucional dhe ndërkulturor që pasqyron rëndësinë e festivalit në diasporë.

Programi u moderua nga aktorja Arjola Demiri, ndërsa përzgjedhja e filmave, nën kurimin e kineastit Ben Apolloni, solli një qasje të balancuar dhe profesionale. Lidhja Shqiptare në Botë, me në krye z. Nazmi Jakurti, ndau tri mirënjohje për Arjola Demirin, Yllka Zuzaku Mustafën – përfaqësuese e Studios së Aktrimit – dhe Ben Apollonin regjisor dhe seleksionues i programit të festivalii, duke vlerësuar kontributin e tyre në skenën kulturore.
Filmat e shfaqur në natën e parë
“Një histori e pa rrëfyer” – Sara Hoxhaj
Trajton mënyrën se si një realitet jetësor i periudhës komuniste shqiptare rikthehet sot në formë artistike, duke vënë përballë dy epoka politike dhe dy këndvështrime krijuese. Në qendër të tij qëndron pyetja se çfarë fiton dhe çfarë humbet e vërteta historike kur rrëfehet në një kohë që nuk i përket më, ndërsa rikujton absurditetin e një sistemi ku për një kanaçe Coca Cola mund të humbisje lirinë. Filmi prek gjithashtu klimën e vëzhgimit të vazhdueshëm dhe spiunimit 24 orësh, një realitet ku frika ishte aq e ngjeshur sa njerëzit duket sikur “nuk merrnin dot frymë”.
“Emri im është Sonila” – Suela Bako
Filmi ndjek Sonin, e cila, pasi i vidhet portofoli në autobus, përpiqet të gjejë hajdutët, por përballet më shumë me ngurtësinë e burokracisë policore sesa me krimin vetë. Me një qasje të mprehtë dhe realiste, filmi – i përzgjedhur dhe i vlerësuar në shumë festivale ndërkombëtare – shpalos absurditetin e një sistemi ku viktima shpesh humbet energjinë duke kaluar pengesat institucionale, jo duke kërkuar drejtësi.
“Në sytë e Xhelos” – Besa Tusha
Filmi i shkurtër na shpie në Shkupin e vjetër përmes vështrimit të Xhelos, një zejtar i mirëfilltë i Çarshisë, i cili rrëfen histori që ndërlidhin të shkuarën e qytetit me krizën ekonomike, politike dhe sociale që ai ka përjetuar ndër vite. Filmi ngre pyetje mbi mënyrën se si ndërtesat e reja dhe transformimet urbane mund të fshijnë gjurmë të rëndësishme historike, duke ndikuar mbi jetën e njerëzve dhe mënyrën se si ata e shohin të ardhmen e Shkupit. Po ashtu, diskutimi prek pabarazitë rajonale në proceset e rindërtimit, duke sugjeruar se ndryshimi nuk vjen njësoj për të gjithë.
“Mbijetesa dhe Shkolla” – Ilir Kabashi
Dokumentari sjell fatin e njerëzve që përballen me kohë të liga, varfëri, frikë dhe një realitet të përditshëm që shpesh vinte në pikëpyetje vetë jetën. I zhvilluar gjatë luftës në Kosovë, filmi ndjek historinë e një shkolle të improvizuar prej najloni në Malet e Berishës, ku rreth 200 nxënës gjenin një oaz paqeje dhe qëndrueshmërie në mes të pasigurisë. Ai është vlerësuar me çmime prestigjioze ndërkombëtare – ndër to edhe Çmimin e Kritikës në Festivalin “World Film Carnival”, Singapor – një dëshmi e forcës së rrëfimit të tij dokumentar.
“Atje ku qershitë janë gjithmonë të kuqe” – Shqipe Bebe Krasniqi
Dokumentar që eksploron përmes rrëfimit personal dhe materialeve arkivore mënyrën se si kujtesa, vendlindja dhe përjetimet familjare ndërthuren me historinë e një komuniteti. Filmi ndalet te migrimi, trauma e bartur dhe lidhja emocionale me hapësirat e humbura, duke dokumentuar se si brezat e rinj e ruajnë dhe e rikrijojnë rrëfimin e origjinës së tyre.
Filmat do të vlerësohen nga publiku por edhe nga juria profesionale e përbërë nga: Isuf Sherifi, poet, përkthyes dhe aktivist kulturor, Sabri Pajaziti, regjisor, skenarist dhe menaxher kulture dhe Burim Haliti, regjisor, skenarist dhe ligjërues
Pas shfaqjeve, të ftuarve iu ofrua një apero, e cila krijoi mundësi për rrjetëzim mes artistëve, profesionistëve të kulturës, diplomacisë dhe artdashësve.
Programi i natës së dytë – Sonte (5 dhjetor 2025, ora 19:30)
“Sharing” – Granit Dragaj; “Në kërkim” – Alban Goranci; “Bleifrei 95” – Tina Muffler & Emma Hütt; “Astra la vista” – Johannes Bachmann”
Programi i plotë dhe rezervimet online:
https://www.albinfo.ch/ky-eshte-programi-zyrtar-i-festivalit-tri-net-film-fest/
Rezervime të drejtpërdrejta: www.neueskino.ch
Biletat mund të blihen edhe në vendngjarje.
E-Diaspora
-
E drejta e votës për të huajt: Një debat qytetar përballë sfidave të stigmatizimit I organizuar nga Shoqata Kulturore Dora d’Istria, takimi mblodhi ekspertë akademikë, aktorë politikë dhe qytetarë të... -
Në nderim të kujtesës historike për gjenocidin serb në Kosovë -
Zvicër
Nis “Swissbau 2026” në Zvicër, prezantohen 27 kompani nga Kosova -
Angli
Angli, hapen klasa të reja për mësimin e gjuhës shqipe -
Dortmund
Mediat gjermane i kushtojnë vëmendje mërgimtarit nga Kosova që shpëtoi katër persona nga mbytja
Jeta në Zvicër
-
Cilat janë të rejat më të fundit mbi hetimin zviceran për zjarrin vdekjeprurës në një bar? Gati tre javë pas zjarrit vdekjeprurës të Vitit të Ri në një bar në një resort... -
Pse elita globale mblidhet në resortin zviceran të Davosit? -
Stuhia e fortë diellore sjell dritat veriore në Zvicër -
E drejta e votës për të huajt: Një debat qytetar përballë sfidave të stigmatizimit -
Kurti nga Davosi: Epoka e korrupsionit ka përfunduar në Kosovë


















