Shqipëria
Ndizen dritat e festave të fundvitit në Tiranë
Tirana ndezi mbrëmë dritat e pemës së festave të fundvitit në sheshin “Skënderbej”, duke përcjellë mesazhe shprese të një qyteti që nuk përkulet e që sheh përpara.
Në respekt edhe të vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve lidhur me masat anti-Covid, 10 vogëlushë të Korit të Fëmijëve “Mrekullia” ndezën dritat e pemës festive.
Në mesazhin drejtuar qytetarëve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se Tirana ndonëse kaloi vështirësi këtë vit, gjeti forcë të ngrihet si kurrë më parë.
“Ky ka qenë një vit pazakontë, ndoshta viti më i vështirë në historinë 100-vjeçare të Tiranës kryeqytet. E megjithatë, jeta vazhdon, e megjithatë dielli lind çdo mëngjes, e megjithatë pas vështirësive ne çohemi sërish në këmbë për të ecur përpara. Ndaj, këtë fundvit, duhet të merrnim një vendim, nëse do të vazhdonim me festën, nëse do të vazhdonim me zbukurimin e qytetit, nëse do të vazhdonim me harenë dhe vendosëm që “PO”, për hir të fëmijëve, për hir të atyre që nuk kanë bërë asnjë mëkat dhe që meritojnë të gëzojnë edhe këtë fundvit”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se 2020 ishte një vit i vështirë për shumë familje, të cilat humbën banesat e tyre ose të afërmit, por komuniteti i Tiranës tregoi se bëhet bashkë si në ditët e vështira, ashtu dhe në ditët e gëzimit. “Unë e di që ky vit prej tërmeteve, prej pandemisë, ka qenë shumë i vështirë për shumë familje. Disa kanë humbur shtëpinë, disa kanë humbur të afërmit e tyre, disa të tjerë janë ende duke vuajtur pasojat e Covid-it ose duke u përballur në frontin e parë të kësaj beteje. E megjithatë, duhet të japim mesazhe shprese të një Tirane që nuk përkulet, të një qyteti që ecën përpara, të një komuniteti që bëhet bashkë si në ditët e vështira, ashtu dhe në ditët e gëzimit. Prej protokollit të pandemisë shumë aktivitete janë të ndaluara, shumë tubime, shumë festa, shumë organizime me njerëz janë gjithashtu të ndaluara. Kjo është arsyeja pse sot sheshit “Skëndërbej”, në këtë ndezje të dritave të festave ua kemi lënë 10 vogëlushëve, sa është numri që lejohet në çdo aktivitet”, nënvizoi Veliaj.
Po ashtu, ai bëri thirrje për më shumë solidaritet, duke qëndruar pranë atyre që kanë nevojë dhe për të inkurajuar ata që edhe këtë fundvit do të jenë në frontin e parë të betejave të rëndësishme, si pandemia apo procesi i rindërtimit.
“Shumë gjëra janë ndaluar këtë fundvit, por nuk është ndaluar dashuria, nuk është ndaluar mirësia, nuk është ndaluar bamirësia, nuk është ndaluar solidariteti. Ndaj duhet të gjejmë kurajo për t’u ngritur bashkë përtej vështirësive për t’i qenë pranë atyre që kanë nevojë ose për të inkurajuar ata që edhe këtë fundvit do të jenë në frontin e parë të betejave tona të rëndësishme, si pandemia apo i gjithë procesi i rindërtimit. Gëzuar festat”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.
Krahas Sheshit “Skënderbej”, godinat pranë tij dhe në rrugët kryesore të Tiranës, janë mbushur plot me drita dhe me zbukurime, duke sjellë edhe pak lumturi në ditë të vështira, të mbushura me shqetësimin nga pandemia e koronavirusit. Bashkia e Tiranës është kujdesur deri në detaje për atmosferën festive. Kanë qenë të shumtë qytetarët, të cilët kanë zgjedhur që të ruajnë një kujtim nga zbukurimet e shumta.




E-Diaspora
-
Stokholm
Filmi shqiptar “Derë e Hapur” shfaqet në Stokholm në kuadër të muajit të Frankofonisë Një histori e fuqishme familjare dhe shoqërore sjell kinemanë shqiptare më afër publikut suedez... -
Nga një fëmijëri e integruar në Cyrih drejt një zëri me peshë në shoqërinë zvicerane -
Thonex: Punonjësi me origjinë shqiptare denoncon racizëm në polici -
Kantoni i Cyrihut i dhuron një automjet zjarrfikës qytetit të Gjilanit -
Vjenë
Trupat e pajetë nga tragjedia e Vjenës nisen sot për Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Qeveria Federale planifikon mbrojtjen e të moshuarve nga dhuna Në këtë kuadër, qeveria ka miratuar një program stimulues për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të... -
Këshilli Federal kërkon katër miliardë franga për forcimin e ushtrisë -
Makina godet një grup nxënësish – Mendohet se ka humbur jetën një person -
Çmimet vazhdojnë të rriten: Nafta tani kushton 2.10 franga për litër -
Këshilli Federal propozon masa të reja kundër mungesës së barnave













