Kosova
Thaçi: “Në Berlin as nuk lindi, e as nuk u varros ideja për kufijtë”
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbërritur në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Presidentëve të Rajonit që mbahet nesër, ku në fokus do të jetë dialogu Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se takimi i Berlinit ka qenë krejt i zakonshëm, rutinë, i dëgjimit të deklaratave të të gjithë pushtetarëve që kanë qenë aty nga Ballkani Perëndimor.
“Aty nuk ka pasur as varrosje dhe as lindje të ndonjë ideje apo prezantimi të ndonjë alternative. Në pjesën e dytë ka pasur diskutim edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe mundësinë e arritjes së ndonjë marrëveshjeje, por në të njëjtën kohë edhe pozicionimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në mbështetje të këtij procesi”, ka thënë Thaçi për Top Channel, përcjell Albinfo.ch.
Çfarë prisni nga ky samit në Tiranë?
Si zakonisht, të gjitha takimet janë takime të pjesëmarrjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor, të iniciuar nga Sllovenia dhe Kroacia. Është fat që mbahet ky takim nesër në Tiranë, ku do të jetë mundësia për të prezantuar arritjet e tij secili shtet, në të njëjtën kohë raportet ndërfqinjësore, por edhe zotimin për të ardhmen evropiane dhe pastaj nxirret një deklaratë e përbashkët e të gjitha vendeve pjesëmarrëse.
Zoti President, a është e drejtë të thuhet që në Samitin e Berlinit u varros ideja për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë?
Aty nuk ka pasur as varrosje dhe as lindje të ndonjë ideje apo prezantimi të ndonjë alternative. Takimi i Berlinit ka qenë takim krejt i zakonshëm, rutinë, i dëgjimit të deklaratave të gjithë pushtetarëve që kanë qenë aty nga Ballkani Perëndimor. Në pjesën e dytë ka pasur diskutim edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe mundësinë e arritjes së ndonjë marrëveshjeje, por në të njëjtën kohë edhe pozicionimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në mbështetje të këtij procesi. Prandaj e theksoj edhe një herë që as nuk është varrosur ndonjë ide dhe as nuk është prezantuar ndonjë ide e re. E theksoj se takimi i Berlinit nuk ka dhënë ndonjë rezultat, nuk ka nxjerrë atë që është menduar të realizohet, por në të njëjtën kohë e vlerësoj vullnetin e mirë të kancelares Angela Merkel dhe zotimin që në takimin e Parisit të arrihen gjëra konkrete.
Zoti President, do të doja të ngulmoja në këtë çështje, pasi si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë ka pasur debate të forta. Ideja e korrigjimit të kufijve, a e gëzon mbështetjen e SHBA-së apo është vetëm zoti John Bolton ai që e mbështet këtë ide?
Unë jam ideator i angazhimit për korrigjimin e padrejtësive përmes përfshirjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me territorin e Republikës së Kosovës, në territorin aktual të Kosovës, pa u cenuar asnjë centimetër i territorit të Kosovës, duke mbetur Kosova multietnike. Kjo është një e drejtë historike dhe unë do të insistoj edhe nesër në samit, edhe në çdo samit që do të mbahet, pasi mund të ndodhë që në 10-20 vjet nuk do të ketë fare më shqiptarë në atë hapësirë, ndërsa theksoj se qëndrimi i SHBA-së është shumë i qartë: nuk kanë vija të kuqe. Mesazhi i SHBA-së është i përmbledhur në dy letrat e dërguara nga Presidenti Trump për mua dhe Presidentin e Serbisë, Vuçiq. Aty është korniza e qartë e SHBA-së për procesin e dialogut Kosovë-Serbi: nuk ka vija të kuqe.
Nëse një ditë do të ketë realizim të korrigjimit të kufijve, a do t’i hapte kjo rrugë bashkimit të Shqipërisë me Kosovën? Një frikë kjo që ekziston në kancelaritë evropiane.
Unë edhe sot kam diskutuar me kryeministrin Edi Rama për gjendjen në Kosovë dhe Shqipëri dhe vlerësojmë se hapja e tërësishme e kufirit Kosovë-Shqipëri vetëm sa e ndihmon hapjen e tërësishme të kufijve ku jetojnë shqiptarët që të jetojnë në një hapësirë në Ballkanin Perëndimor pa kufi, nën ombrellën evropiane, gjithmonë nën angazhimin tim që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t’i bashkangjiten shtetit të Kosovës. Askush nuk duhet të ketë frikë që Kosova dhe Shqipëria të mos kenë kufij mes tyre.
Zoti President, homologu juaj serb, Aleksandër Vuçiq, ka bërë një deklaratë të fortë. Ai ka thënë: më vrisni, Kosovën nuk e njoh! Si e shikoni këtë deklaratë?
Mendoj se është një deklaratë për konsum të brendshëm, populiste. Vuçiq e di që njohjen e Kosovës e ka kusht për të ardhmen evropiane. Në emër të bashkangjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, mendoj se si shpërblim Serbia do ta kishte të ardhmen evropiane më të afërt, shkruan Top Channel, përcjell Albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut Aktiviteti synon ruajtjen e kujtesës kolektive, nderimin e viktimave dhe përcjelljen e së vërtetës historike... -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato -
PSHDK mohon legjitimitetin e degës së pretenduar në Vjenë -
Abdixhiku i drejtohet mërgatës: “Më 28 dhjetor, ejani dhe shpëtojeni Kosovën” -
“Netzwerk Dua”, inteligjenca që mbron pronën tënde në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Zvicra me çmimet më të larta në Evropë Sipas të dhënave të vitit 2024, Zvicra është deri tani vendi më i shtrenjtë me një... -
Sa kushton marrja e shtetësisë zvicerane -
Linjat telefonike pediatrike në kantone për të shmangur mbipopullimin e urgjencave -
Diskutohet roli i shtëpive të pleqve në asistimin e vdekjes në Lucern -
Orari i ri i SBB-së ka hyrë në fuqi sot me ndryshime të mëdha













