E-Diaspora
Në Lugano, gjurmëve të Moisiut dhe Kodrës
Kryqëzimi i rrugëve të dy artistëve të mëdhenj shqiptarë në Lugano, do t`i ngarkonte Sylë Mujës një mision: lidhjen e fijeve të gjurmëve shqiptare në kantonin jugor të Zvicrës
Kantonin e Tesinës (Ticino) jo rastësisht e quajnë “ballkoni diellor i Zvicrës”. Pozicionin më jugor që ka dhe klima ndjeshëm më e butë që mbretëron këtu në krahasim me pjesën tjetër të Zvicrës e përligjin këtë emërtim. Palmat që i has ngado, fryma e jugut dhe çdo gjë tjetër në këtë “ballkon” të kujtojnë jugun dhe Mesdheun. Prandaj, duke përfituar nga standardi i lartë jetësor i Zvicrës dhe nga ndjenja zvicerane për rregull e qetësi, Lugano, qyteti më i madh i këtij kantoni, përbën një kombinim shumë të lakmuar për të jetuar në të.
Në Lugano dhe rrethinë, mund të kenë jetuar shqiptarë edhe më parë. Por, ajo që dimë është se gjurmët e tij të çmuara këtu i ka lënë artisti i madh me prejardhje shqiptare, Aleksandër Moisiu. Në vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar, Moisiu kishte zgjedhur këtë kënd të bukur e të ngrohtë për të ngrysur vitet e tij të fundit në këtë botë. Sot, në fshatin piktoresk të Luganos, Morcote, në një lartësi impozante gjendet varri i tij që shikon nga dielli dhe nga liqeni. E matanë liqenit, në pjesën italiane, ndodhet vila e bukur e Moisiut.
Një shqiptar tjetër dhe artist i madh, piktori Ibrahim Kodra, banor i Milanos, metropolit italian jo larg Zvicrës, në Lugano ka kaluar një pjesë të mirë të kohës së tij, sidomos në vitet e pleqërisë. Ky i fundit, njërën ndër strehët e tij të ngrohta në këtë qytet, e ka gjetur edhe te artisti dhe ish i burgosuri politik nga Kosova, Sylë Muja. I cili merrte frymëzim nga vepra e Kodrës së madh.
Dhe, ky kryqëzim rrugësh i dy artistëve të mëdhenj në këtë qoshe të vogël të botës, do të shtynte Mujën t`i ngarkonte vetes një mision: përpjekjen për të lidhur fijet e gjurmëve shqiptare në kantonin jugor të Zvicrës, në Tesinë.
Me emrin e Sylë Mujës lidhet organizimi, në vitin tashmë të largët, 1994, i përvjetorit të 60 të vdekjes së Aleksandër Moisiut. Ka qenë po ashtu Syla ai që në këtë organizim ka përfshirë edhe maestro Kodrën, dhe pastaj edhe shumë emra të kulturës shqiptare nga Shqipëria, Kosova dhe nga arbëreshët e Italisë.
Sylë Muja sot, në një bisedë të bërë në Lugano, zbulon fillet e interesimit të tij për Moisiun, njohjen e tij me Kodrën dhe në përgjithësi, aventurën e tij të bujshme me artin, në cepin diellor të Zvicrës.
Preokupimi me trashëgiminë e Moisiut dhe miqësia me Kodrën
Me të arritur në Zvicër, pak pasi ishte liruar nga burgu, ku kishte mbajtur 9 vite si i burgosur i ndërgjegjes, Syla kishte kërkuar azil dhe fati e kishte sjellë në Lugano.
“Me ardhjen time në këtë qytet kam filluar përçapjet për të zbuluar gjurmët që Aleksandër Moisiu kishte lënë këndej pari. Kisha dëgjuar në fakt se para meje ka qenë tenori ynë i njohur Bashkim Paçuku që, deri sa po qëndronte në specializim në Skala të Milanos, kishte provuar të bënte diç në atë drejtim. Të organizonte ndonjë manifestim në shenjë të Moisiut. Dhe, më patën thënë se ai kishte qarë, kur kishte kuptuar se nuk mund ta bënte dot…”.
Pastaj, në vitin 1993 Sylë Muja me një grusht shokësh nga shoqata “Aleksandër Moisiu” dhe me Bashkësinë e Klubeve Shqiptare të Zvicrës që funksiononte në atë kohë, e nisi aventurën e madhe. Kurorëzimi i parë i saj do të bëhej në prill të vitit 1994, në manifestimin e madh treditësh të shënimit të 70 vjetorit të vdekjes së Aleksandër Moisiut. Sot, gati 20 vjet më vonë, Mujaj e kujton me mall dhe me mburrje këtë organizim.
“Ishte diçka e paparë që në një organizim kulturor të shqiptarëve të mbushej përplot salla e kongreseve në Lugano, që zë 1500 veta”, thotë ai tek kthen kujtesën 20 vjet prapa. “Anën financiare, që ishte shumë e kushtueshme, e pati mbuluar Bexhet Pacolli”, shton Mujaj, duke theksuar se në Lugano ato ditë në kuadrin e manifestimit, po qëndronin shumë artistë të mëdhenj nga Shqipëria, Kosova e më gjerë.
Ibrahim Kodra përbën kapitullin tjetër të misionit të Sylë Mujës në Lugano. Me artistin e madh të kubizmit, ai është takuar nga viti 1991 përmes Dhimitër Patituçit, arbëreshit që punonte sekretar personal i Kodrës, në Milano.
“Me Dhimitrin njiheshim nga viti 1981, kur ai, si student në Universitetin e Prishtinës, ishte pjesëmarrës në demonstratat e njohura të atij viti. Pak pas ardhjes sime në Zvicër, në Lugano, në vitin 1991, Dhimitri bashkë me Kodrën nisin të bëhen pjesë e familjes sime. Mund të them se Ibrahim Kodra u bë jo vetë mysafir i rregullt te unë po në një mënyrë edhe gjysh i familjes sime. Pothuaj çdo fundjavë ai vinte te ne. Rreth vitit 2001-2002, kur Kodra ishte lodhur nga pleqëria ai kishte ardhur të banonte në hotelin e Pacollit dhe gëzonte kujdesin e tij dhe timin”.
Në po këtë kohë, themelohet fondacioni për fëmijët e botës, me emrin “Ibrahim Kodra”. Ky fondacion merret me ofrimin e kurseve dhe shkollimit në arte pamore për fëmijët e talentuar, shqiptarë dhe të tjerë.
“Janë të lutura shkollat shqipe në Zvicër që t`i zgjedhin një numër prej 20 nxënësish më të talentuar për art dhe, pas seleksionimit, tre prej tyre do t`i shkollojë fondacioni. Në dispozicion për t`i shkolluar ata do të jenë 25 mësues-artistë, duke më përfshirë edhe mua. Ne e kemi dërguar kërkesën në LAPSH, në ambasadë dhe në konsullata. Por duhet të them se nga neglizhenca e njerëzve tanë, shumë pak është shfrytëzuar”. Megjithatë, shton Mujaj, ka pasur vizita të nxënësve të shkollës shqipe me mësueset e tyre nga e gjithë Zvicra. Nga ana tjetër, fëmijë zviceranë dhe të tjerë i shfrytëzojnë kurset për vizatim dhe pikturë që i ofron fondacioni.
Fondacioni ruan dhe i ka të ekspozuara në hotel “Diamond” të Luganos një numër punimesh të Kodrës.
Në pritje që shtëpia e Moisiut t`i dorëzohet komunitetit shqiptar dhe kulturës
Por, shumë para fondacionit, është themeluar shoqata “Aleksandër Moisiu”. Ajo daton që nga viti kur bashkëbiseduesi ynë ka ardhur në Zvicër, pra nga viti 1990. “E themeluam bashkërisht, si shoqatë, por ndërkohë angazhimi më mbeti vetëm mua…” thotë Muja. Shoqata ka bërë përpjekje të mbledhë dokumente e të dhëna nëpër biblioteka e arkiva, që flasin për praninë e Moisiut në Lugano me rrethinë. Kemi bërë edhe kërkesa për kthimin e shtëpisë së tij në duart e komunitetit shqiptar. Këtë e kemi bërë duke iu referuar testamentit të tij ku aktori i madh i skenave evropiane ka shkruar se shtëpia, që ishte pronë e tij, duhet t`iu jepet njerëzve të `gjakut të tij`”. Por, me “gjakun e tij”, thotë Muja, ai ka pasur parasysh jo familjarët por njerëzit e kulturës së tij në përgjithësi.
“Presim një përgjigje nga komuna e Luganos, të cilës i kemi bërë kërkesën përkatëse. Po ashtu presim që një shesh i njohur i Luganos të marrë emrin e Moisiut”.
I njohur për “Portretet e burgut”, vizatime të realizuara ilegalisht në burgjet e viteve 80-a, Sylë Mujaj ka vazhduar krijimtarinë e tij artistike kryesisht në teknikën e grafikës, edhe në Zvicër. Por, prej më se dhjetë vitesh ai merret me ksilografi, një teknikë specifike që punohet me rërë, gurë dhe akrilik.
“Punimin e parë që e kam bërë në këtë teknikë, e kam realizuar nën përkujdesjen e maestro Ibrahim Kodrës”, na tregon Mujaj. Pas kësaj jam orientuar në mozaik artistik ku e ndjej veten më mirë.
Duke shfletuar fotografitë e punimeve të tij, ai na tregon se njëri ndër to është punuar për pishinën e Mbretit të Spanjës. I është dashur të qëndronte me javë të tëra atje, shpalos artisti këtë përvojë interesante, duke na sqaruar hollësitë teknike të kësaj dhe të veprave tjera.
“Secili punim ka 200 deri 300 kilogramë peshë”, tregon ai, duke na e bërë të qartë arsyen përse nuk mund t`i shohim punimet e tij në origjinal.
Ndërkohë, Sylë Muja bën ecejaket e tij të rregullta Zvicër-Kosovë-Zvicër, duke marrë frymëzim për punën e tij të mëtejme artistike. Dhe për të vazhduar misionin e tij fisnik: hulumtimin e gjurmëve te Moisiut në Zvicër dhe ruajtjen e përcjelljen te brazat e rinj të veprës së Ibrahim Kodrës.
Blerim Shabani
Të tjera nga E-Diaspora
E-Diaspora
-
Zvicra dhe Kosova drejt një epoke të re ekonomike Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet shteteve të EFTA-s dhe Republikës së Kosovës po hyn në... -
KQZ lejon votimin në përfaqësitë diplomatike edhe me dokumente të skaduara -
Vritet një grua e moshuar nga Kosova në Buchs ZH: tre arrestime deri tani -
Krishtlindja dhe Viti i Ri: Saktësia teologjike e gjuhës në traditën katolike dhe etërve të Kishës -
Leyla Ibrahimi-Salahi uron udhëtarët: “Na pret një 2026 plot risi”
Jeta në Zvicër
-
Nga viti 2026, kursimtarët në Zvicër do të mund të plotësojnë kontributet e humbura në shtyllën e tretë të pensioneve Sigurimi privat i pensionit përmes shtyllës së tretë mbetet një nga format më të përhapura të... -
Zyrtarët e zgjedhur zviceran duan të promovojnë verën vendase -
Më shumë se gjysmë milioni njerëz marrin pjesë në tregun e Krishtlindjeve në Montreux -
Ticino është kantoni më i prekur nga gripi -
Ndërhyrjet e pazakonta të policisë dhe zjarrfikësve në Zvicër gjatë vitit 2025












