E-Diaspora

Në mes të lojës Lorik Cana jep autograf

Autogoli i Hamdi Salihit në minutën e 82-të vendosi fatin e miqësores historike të kombëtares së Shqipërisë me Italinë

Të martën, qyteti i Xhenovas në Itali është vërshuar nga shqiptarët. Tifozë kuqezi kishin ardhur edhe nga Zvicra, Franca apo Gjermania për të mbështetur Shqipërinë në miqësoren me Italinë, takim ky që përfundoi me rezultat 1:0 për italianët.

Përveç ndeshjes që ishte cilësuar historike, një ngjarje e pazakont kishte ndodhur teksa zhvillohej ndeshja në stadiumin “Luigi Ferraris”.

Një tifoz shqiptar kishte depërtuar në fushë me flamurin shqiptar dhe me një stilolaps në dorë, duke u drejtuar nga kapiteni Lorik Cana.

Tifozi vuri flamurin në tokë, u ul në gjunjë dhe iu lut futbollistit shqiptar që ta firmoste flamurin me autografin e tij.

Cana ia plotësoi dëshirën dhe pas kësaj punonjësit e fushës e shoqëruan tifozin jashtë terrenit të lojës.