Shqipëria
Në Shqipëri protestohet për 1 Maj, kërkohen më shumë të drejta për punëtorët dhe kushte për të rinjtë
Në këtë protestë u bë thirrje që të rinjtë të luftojnë për të drejtat e tyre në punë dhe të mos largohen nga Shqipëria
Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, në Tiranë u zhvilluan disa protesta. Në njërën prej tyre, një grup i njerëzve u grumbulluan në rrugën që lidh Tiranën me aeroportin e Rinasit.
Në këtë protestë u bë thirrje që të rinjtë të luftojnë për të drejtat e tyre në punë dhe të mos largohen nga Shqipëria.
Drejtues të Konfederatës së Sindikatave thanë se vendi ka nevojë për punëtorë, pasi që shumë biznese vuajnë nga ky problem, por shtoi se të rinjve nuk u ofrohen paga dhe kushte dinjitoze, raporton Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.
“Mos u largoni, atdheu ka nevojë për ju”, ishte një prej pankartave që mbanin protestuesit në këtë protestë.
“Të rinjtë nuk do të detyroheshin të emigronin nëse politikbërësit hartojnë politika për t’i mbajtur ata këtu, duke i motivuar dhe vlerësuar”, tha një prej protestuesve.
Në një tjetër protestë të mbajtur për të shënuar 1 Majin, punëtorët e arsimit u mblodhën para Ministrisë së Arsimit duke kërkuar paga më të larta dhe kushte më të mira pune.
Me pankartat ku shkruhej “Nuk ka arsim cilësor pa mësues të mirëpaguar”, “zbatoni kontratën kolektive” e “shpërblim në fund të vitit për mësuesin”, punëtorët e arsimit shprehën pakënaqësitë e tyre.
Ata kërkuan dyfishim të pagave duke theksuar që vetëm kështu maturantët mund të zgjedhin të studiojnë për t’u bërë mësimdhënës, që gjë gjithnjë e më pak të rinj po zgjedhin ta bëjnë. Paga mesatare për një mësues në Shqipëri është 60 mijë lekë, apo rreth 600 euro, në muaj.
“Ne kërkojmë që kryeministri ta mbajë premtimin që buxheti për arsimin do jetë 5 për qind e prodhimit të brendshëm bruto. Kjo duhet zbatuar sa më shpejt të jetë e mundur, s’mund të ketë infrastrukturë, s’mund të ketë laboratorë dhe as rritje pagash pa rritur buxhetin. Pa arsim cilësor nuk mund të ketë të ardhme ky vend”, tha Isa Halilaj, përfaqësues i Sindikatës së Arsimit.
Më pas, mësuesit iu bashkuan protestës që u mbajt para Kryeministrisë nga punëtorë të sektorëve të ndryshëm si minatorë, naftëtarë, e punonjës të qendrave të thirrjeve.
Protesta u organizua nga Unioni i Sindikatave të Shqipërisë dhe Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë. Me thirrjet “Dinjitet për punëtorët” protestuesit kërkuan që qeveria të reflektojë duke paralajmëruar protesta më masive ditët në vijim.
Gratë pjesëmarrëse në protestë ngritën zërin për hendekun e pagave mes burrave dhe grave dhe vështirësitë e tyre për të përballuar jetesën përballë çmimeve të larta.
“Flasim sot për drejtat e punëtoreve në fabrikat e këpucëve dhe veshjeve, a keni shkuar ndonjëherë aty? A i keni pyetur ato gra, a i keni pyetur nëse e marrin pagën minimale? Flasim për pagë minimale kur Evropa, madje edhe Ballkani flet për pagë cilësore, që të mundëson të paguash mjekun në fund të muajit, shportën me ushqime cilësore, jo ushqime të skaduara me ofertë nëpër markete”, tha një nga pjesëmarrëset në protestë.
E-Diaspora
-
Albin Kurti në Cyrih: Siguria si garanci e paqes dhe shtetndërtimi si përgjegjësi historike Në vazhdën tubimin elektoral me mërgatën shqiptare në Zvicër, Kryeministri në detyrë ndali veçmas te mbrojtja,... -
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Gjykohet një mercenar zviceran që ka luftuar për Ukrainën Kjo është hera e parë që sistemi i drejtësisë ushtarake ka paditur një mercenar zviceran që... -
Ticino: Gjenden 40 kilogramë kokainë në makinën e serbit dhe italianes -
Kishte kërcënuar me sulm në Eurovision në Bazel – Dëbimi i tij ngre pyetje -
Lindjet në kantonin zviceran bien në nivelin më të ulët rekord -
Ulen kostot e shtetësisë zvicerane në Bazel dhe Bernë










