E-Diaspora

Në Wil të Zvicrës po mbahet “Tri net film fest”

Aktiviteti, me shfaqjen e gjithsej 12 filmave (nga 3 në çdo mbrëmje), ka filluar të enjten mbrëma dhe përfundon sonte

“Tri net filmfest” mban emrin revyja e filmave të shkurtër artistikë, e organizuar nga Studio “Aktrimi” i Cyrihut, i mbështetur nga Ministria kosovare e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. Aktiviteti ka filluar të enjten mbrëma dhe përfundon sonte, shkruan albinfo.ch.

Për çdo mbrëmje janë paraparë të shfaqen nga katër filma, kryesisht nga Kosova, por edhe nga Maqedonia dhe nga Shqipëria.
Në mbrëmjen e parë, të enjten që shkoi, në emrin e grupit “Aktrimi” festivalin e shpalli të hapur Fikrim Morina. Ai në fjalën e tij veç tjerash tha se “Aktrimi” deri tash ka qenë mjaft aktiv me reaklizimin dhe shfaqjen e shfaqjeve teatrore shqiptare në Zvicër. Por duke parë se në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare ka një krijimtari mjaft të dendur filmash, menduam se publikut në diasporë duhet t`ia sjellim një pjesë të tyre. Kjo për faktin se diaspora ka fare pak qasje në këtë krijimtari.

Ai ka falënderuar me këtë rast Ministrinë e Diasporës për mbështetjen e saj në këtë projekt.

Në emrin e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike ka folur Shyhrete Kastrati. Ajo ka theksuar se mbështetja nga ministria në fjalë vjen si vazhdimësi e mbështetjes së aktiviteteve kulturore që viteve të kaluara janë zhvilluar në Zvicër nën moton “Java e kulturës së Kosovës” ose “Ditët e Kulturës Shqiptare” këtu.

Konsullja në Konsullatën e Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani ka folur për vështirësitë me të cilat përballet promovimi i kulturës në diasporë. Ajo ka folur me tone kritike për sharjet dhe shprehjet banale që, sipas saj, janë së tepërmi të pranishme në filmat që krijohen në Kosovë, prandaj edhe në filmat e shfaqur natën e parë të festivalit. Znj. Ramadani është shprehur për një pasqyrim të realitetit në terren por me një notë më optimiste dhe me kujdes për mesazhin edukativ që duhet ta përçojë filmi.

Ramadan Morina, njëri ndër themeluesit e “Studios Aktrimi” është shprehur për konceptin e aktivitetit. Ai ka thënë për albinfo.ch se “qëllimisht i jemi shmangur termit “festival” si shumë pretendues dhe e kemi emërtuar si “Tri net Film Fest” që nënkupton një aktivitet më modest në këtë drejtim.

Këtu ai ka parasysh mungesën e karakterit garues dhe të aktiviteteve tjera shoqëruese që e cilëson këtë aktivitet. Lidhur me konceptin e festivalit ai ka thënë se filamt i lidh vetëm përpjekja për të paraqitur realitetin e atjeshëm në film dhe jo ndonjë tematikë e përbashkët. Përzgjedhja e filmave është bërë me ndihmën e regjisorit të njohur nga Prishtina, Ben Apolloni.

Në përmbyllje të natës së parë është mbajtur një debat i shkurtër rreth filmave të shfaqur, ku kanë marrë pjesë edhe Isuf Sherifi,. Shukrije Ramadani, Ramadan Morina etj.

Pastaj, për të pranishmit është shtruar një koktej rasti.