Lajme
Në Zvicër mbi 300 mijë të moshuar përballen me dhunë
Sipas ekspertëve, një në gjashtë persona mbi 60 vjeç përjeton dhunë ose keqtrajtim
Dhuna ndaj të moshuarve mbetet një problem shqetësues në Zvicra. Sipas të dhënave të publikuara nga organizata që merren me mbrojtjen e të moshuarve, një në gjashtë persona mbi moshën 60 vjeç përjeton dhunë ose forma të ndryshme keqtrajtimi. Në rastin e personave të moshuar që kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm, shifrat janë edhe më alarmante: rreth një në katër prej tyre përballet me dhunë, përcjell albinfo.ch.
Kjo do të thotë se në Zvicër më shumë se 300 mijë persona përjetojnë situata dhune apo abuzimi në moshë të shtyrë. Megjithatë, ekspertët besojnë se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi vetëm një pjesë e vogël e rasteve raportohen tek autoritetet ose institucionet përkatëse.
Sipas Ruth Mettler Ernst, drejtoreshë e qendrës së kompetencës Alter ohne Gewalt, kjo temë shpesh shoqërohet me turp dhe heshtje. Shumë të moshuar hezitojnë të flasin për keqtrajtimin që përjetojnë, sidomos kur ai vjen nga partneri apo nga njerëz të afërt.
Statistikat tregojnë se në shumicën e rasteve dhuna ndodh brenda shtëpisë dhe shpesh dyshohet se ushtrohet nga bashkëshorti ose bashkëshortja. Gratë rezultojnë të jenë më të rrezikuara, duke përbërë rreth 64 për qind të viktimave.
Dhuna ndaj të moshuarve nuk është vetëm fizike. Në rreth një të tretën e rasteve bëhet fjalë për dhunë psikologjike, si kërcënime, poshtërime, kritika të vazhdueshme apo fyerje. Edhe pse nuk lë gjurmë të dukshme, kjo formë dhune mund të jetë shumë e dëmshme për shëndetin emocional të viktimave.
Ekspertët theksojnë se edhe ndryshimet e mëdha në jetën e të moshuarve, si pensionimi, mund të ndikojnë në përkeqësimin e marrëdhënieve familjare. Sipas organizatës Pro Senectute, kalimi në pension ndonjëherë mund të shkaktojë ndjenjë humbjeje të rolit apo statusit, veçanërisht tek burrat e brezave më të vjetër, duke rritur stresin dhe pasigurinë financiare. Kjo situatë mund të çojë në tensione më të mëdha në familje dhe në izolimin social të viktimave.
Për këtë arsye, organizatat dhe institucionet zvicerane po përpiqen të rrisin ndërgjegjësimin mbi këtë fenomen dhe të inkurajojnë viktimat që të kërkojnë ndihmë. Përmes fushatave informuese dhe materialeve të shpërndara në farmaci, komuna dhe institucione për të moshuarit, synohet që qytetarët të informohen më shumë për mundësitë e ndihmës.
Ndërkohë, edhe qeveria zvicerane ka ndërmarrë hapa konkretë për të trajtuar këtë problem. Këshilli Federal i Zvicrës ka miratuar këtë vit një program të veçantë që do të zgjasë deri në vitin 2030, me qëllim parandalimin, zbulimin e hershëm dhe ofrimin e ndihmës së duhur për rastet e dhunës ndaj të moshuarve. /Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Francë
Në Francë mbahet edicioni i tretë i Ekselencës Sipërmarrëse të Diasporës Frankofone Ambasadori i Shqipërisë, Dritan Tola, theksoi rolin e rëndësishëm të diasporave si ura bashkëpunimi ekonomik dhe... -
Teatri “Mërgimtari” nga Kroacia sjell në Shqipëri shfaqjen “Kukulla” -
Budapest
Budapest: “Daily News Hungary” vlerëson ekspozitën personale të Jakup Ferrit -
Konsullata e Kosovës zhvillon takim me përfaqësues të shoqërisë civile për përfshirjen sociale -
Paradoksi shqiptar: mes Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Gjeneva, një nga qendrat botërore të industrisë së aromave dhe shijeve Përveç diplomacisë dhe orëve luksoze, ky kanton zviceran mban një rol kyç në krijimin e përbërësve... -
Çmimet e shtëpive në Zvicër po vazhdojnë të rriten -
Katër persona të plagosur në St. Gallen: arrestohet një shtetas i Serbisë -
Çfarë dihet për të gjithë shtetasit jo-BE që punojnë në Zvicër? -
A do të preken udhëtarët në Zvicër nga kriza e afërt e karburantit të avionëve në Evropë?











