Lajme

Nestlé dhe Danone tërheqin fshehurazi formulat për foshnje të kontaminuara me cereulid

Sipas një hetimi të realizuar nga RTS në bashkëpunim me Radio France dhe RTBF, kompanitë Nestlé dhe Danone kanë tërhequr në mënyrë “diskrete” produkte të formulave për foshnje nga farmacitë dhe supermarketet në disa vende të Evropës, pasi ishte zbuluar prania e cereulidit – një toksinë potencialisht e rrezikshme.

Sipas një raporti parlamentar francez të publikuar të martën, në këtë rast janë evidentuar “mangësi serioze” si nga autoritetet shtetërore ashtu edhe nga vetë prodhuesit, tranemeton albinfo.ch.

Tërheqje e heshtur nga tregu

Në bashkëpunim me autoritetet në Gjermani dhe Austri, Nestlé dhe Danone kanë hequr nga qarkullimi produktet e dyshuara pa bërë njoftim publik për konsumatorët.

Sipas autoriteteve të landit Hessen në Gjermani, ku ndodhet selia e Nestlé-së, tërheqja publike e produkteve të Nestlé është bërë më 5 janar 2026, ndërsa disa produkte ishin hequr nga tregu që më 24 dhjetor 2025, si pjesë e një tërheqjeje të heshtur.

Për Danone, tërheqja publike është bërë më 30 janar 2026, ndërsa disa produkte ishin hequr që më 24 janar 2026.

Prani e toksinës në nivele të ndryshme

Autoritetet austriake të sigurisë ushqimore kanë konfirmuar praninë e cereulidit në disa mostra të produkteve të Nestlé-së, me përqendrime 0.7 dhe 0.5 µg/kg pluhur. Këto nivele janë mbi vlerat referuese të përcaktuara nga Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA).

Megjithatë, autoritetet theksojnë se një tërheqje publike kërkohet vetëm kur produkti vlerësohet si i rrezikshëm për shëndetin.

Si pasojë, për disa javë, foshnja në Gjermani dhe Austri kanë konsumuar këto produkte pa u informuar për rrezikun e mundshëm, ndërsa në disa vende të tjera produktet kanë vazhduar të shiten.

Vonesa në tërheqje publike

Në rastin e formulës Aptamil të Danone, tërheqja publike e një lote është bërë më 29 janar 2026 në Shqipëri, më 31 janar në Luksemburg dhe më 6 shkurt në Mbretërinë e Bashkuar – disa ditë pas tërheqjes së heshtur në Gjermani dhe Austri.

Reagimet dhe padia në Francë

Sipas burimeve të hetimit, drejtoria franceze e mbrojtjes së popullsisë (DDPP) në departamentin Aisne ka referuar rastin në prokurori sipas nenit 40 të Kodit të Procedurës Penale, duke ngritur dyshime për shkelje të detyrimeve ligjore të njoftimit.

Në Francë, prodhuesit e ushqimeve janë të detyruar të njoftojnë menjëherë autoritetet nëse ekziston dyshim për rrezik ndaj shëndetit publik. Mosrespektimi i këtij detyrimi mund të dënohet me deri në 6 muaj burg dhe gjobë deri në 150,000 euro.

Qëndrimi i kompanisë Nestlé

Nestlé ka deklaruar se prioriteti i saj kryesor është siguria e konsumatorëve dhe se tërheqja publike bëhet vetëm pasi të jenë verifikuar plotësisht faktet dhe produktet e prekura.

Sipas kompanisë, veprimet e parakohshme mund të çonin në tërheqje të pasakta ose jo të plota të produkteve.

Kritika ndaj kontrolleve dhe sistemit të mbikëqyrjes

Raporti parlamentar francez gjithashtu ngre shqetësime mbi efektivitetin e kontrolleve ndaj furnizuesve dhe thekson mungesën e burimeve të mjaftueshme të autoriteteve mbikëqyrëse, të cilat shpesh mbështeten në vetëkontrollin e prodhuesve.

Ligjvënësit francezë kërkojnë që këto mangësi të adresohen urgjentisht për të shmangur kriza të ngjashme në të ardhmen.