Kosova
Nga rezervat deri te taksat: Rrugët për stabilizimin e çmimit të naftës në Kosovë
Rritja e vazhdueshme e çmimit të derivateve të naftës, si pasojë e konfliktit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, po ndikon zinxhirin e çmimeve në të gjithë ekonominë e Kosovës, duke e bërë të papërballueshme koston për qytetarët dhe bizneset. Çfarë rekomandojnë ekspertët për zbutjen e krizës?
Konflikti mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit ka shkaktuar probleme të mëdha në zinxhirin e furnizimit global me produkte të naftës, dhe i ka rritur ndjeshëm çmimet e karburanteve kudo në botë.
Vetëm brenda pak javësh, çmimi i një litri dizel në pikat e karburanteve në Kosovë ka arritur deri në 1.79 euro, krahasuar me 1.33 euro sa ishte më 3 mars, tri ditë pas nisjes së sulmeve nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit.
Shtrenjtimi pothuajse i përditshëm i karburanteve në Kosovë, që ka rritur koston e jetesës dhe u ka shkaktuar bizneseve vështirësi në operim, ka bërë që vëmendja tani të drejtohet nga rezervat shtetërore të naftës.
Por, sasia që Kosova e mban rezervë llogaritet se mjafton vetëm për rreth pesë ditë të konsumit.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se institucionet duhet ta lëshojnë atë në treg.
“Shteti duhet të lëvizë, të lëvizë me aq sa ka, dhe të jetë transparent. Rezervat e shtetit kanë këtë sasi, kaq ditë mund t’i mbulojmë nevojat, dhe mbaroi puna”, thotë Shaban Halimi, ish-drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.
Si mund të shfrytëzohen rezervat e naftës?
Në bazë të Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, shteti blen produkte esenciale: ushqime, barna dhe naftë.
Këto produkte mund të përdoren në rast të çrregullimit të tregut, luftërave dhe katastrofave natyrore.
Megjithatë, Halimi thotë se nëse rezervat përdoren në mënyrë të kufizuar dhe të orientuar, në mënyrë të duhur, shfrytëzimi i tyre mund të zgjatet deri në 10 ditë.
“Qeveria mund t’i reduktojë, vetëm për institucionet shtetërore, shëndetësore, industrinë, ekonominë, autobusët, dhe të tjerët jo”, pohon ai.
Vendndodhja e këtyre produkteve, sipas ligjit, mbetet sekret shtetëror, por ajo që dihet është se kontraktohen operatorët ekonomikë privatë për ruajtje, të cilët po ashtu mbikëqyren vazhdimisht.
MINTI-ja nuk ka dhënë përgjigje lidhur me sasinë e rezervave shtetërore të naftës, as nëse planifikohet aktivizimi i tyre në situatën aktuale.
Masat e Qeverisë dhe kërkesa për hapa të tjerë
Deri më tash, MINTI-ja ka caktuar vetëm fitimin maksimal të lejuar për shitjen me shumicë dhe pakicë të derivateve të naftës.
Sipas vendimit, marzha tregtare maksimale e lejuar për shitje me shumicë do të jetë deri në 2 centë për litër, ndërkaq me pakicë deri në 12 centë për litër.
Por, kjo masë po duket e pamjaftueshme. Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, subjektet ekonomike dhe partitë opozitare kanë kërkuar që Qeveria të ulë tatimin e akcizës dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), pasi rritja e çmimit të derivateve të naftës po ndikon edhe në çmimet tjera.
Ulja e tatimeve – akciza prej 0.36 euro dhe TVSH-ja prej 18 për qind të shumës së produktit – do ta lehtësonte barrën ndaj bizneseve dhe qytetarëve, thonë ata.
Megjithatë, Kreu i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, pohon për Radion Evropa e Lirë se në Qeveri “nuk e kanë parë të arsyeshme të ulin akcizën dhe TVSH-në”.
Ministrja e Industrisë, Mimoza Kusari Lila, tha së voni se “TVSH-ja nuk ka qenë opsion, për shkak se është shumë problem të përcillet”.
Kosova e varur nga importi i naftës
Kosova nuk ka rafineri të veten të naftës, dhe furnizohet tërësisht nga importet.
Nga muaji janar e deri më 23 mars të këtij viti, vendi importoi rreth 130 milionë euro naftë dhe benzinë. Të hyrat e shtetit nga akciza janë rreth 66 milionë euro, kurse nga TVSH-ja mbi 30 milionë.
Vitin e kaluar, sipas të dhënave të Doganës se Kosovës, janë importuar rreth 530 milionë euro naftë dhe benzinë.
Për këto derivate, rreth 350 milionë euro janë tatim për akcizën, dhe mbi 157 milionë euro për TVSH-në.
Furnizimet kryesore vijnë nga Gjermania, Hungaria, Greqia, Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa një pjesë e konsiderueshme hyn përmes terminalit të Porto Romanos në Durrës.
Kjo varësi strukturore e bën tregun e Kosovës jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj lëkundjeve globale.
Derisa në Kosovë ende nuk ka ndonjë vendim nga institucionet për masa lehtësuese, shtetet e Ballkanit Perëndimor tashmë kanë ndërmarrë hapa të ndryshëm për frenimin e rritjes së çmimeve në pompat e karburanteve./REL
E-Diaspora
-
Bern: Event mbi integrimin përmes punës dhe ndërmarrësisë Më 28 mars 2026, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bern, mbahet një... -
Gjenevë
Rënie e interesimit për mësimin e gjuhës shqipe në Gjenevë, apel për prindërit -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Kuzhina shqiptare në qendër të festimeve frankofone në Suedi -
Mëso shqip në diasporë: Regjistrimet hapen në shumë shtete
Jeta në Zvicër
-
Mënyra e duhur (dhe e gabuar) për t’iu përgjigjur telefonit në Zvicër Zvicra ka shumë rregulla (të shkruara dhe jo) rreth asaj që është një sjellje e pranueshme... -
Katër miliardë franga në shpenzime mjekësore “të pajustifikuara” në vit -
Gjeneva propozon pagesa për vreshtarët për të shmangur humbjen e vreshtave të saj -
Aeroporti Basel-Mulhouse me tetë destinacione të reja për verën -
Çmimet e karburantit vazhdojnë të rriten në Zvicër












