Shqipëria

Nisma e re për efiçencën e energjisë për bashkitë e Shqipërisë

Një projekt i ri nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë fillon operacionet në mbështetje të efiçencës së energjisë

Projekti i Bashkive me Shfrytëzim Inteligjent të Energjisë (SEMP) u prezantua sot për të mbështetur zbatimin e politikës kombëtare të energjisë dhe përdorimin e metodave të reja të menaxhimit të energjisë në Shqipëri, njofton albinfo.ch.

“Është kënaqësi që sot nisim zyrtarisht zbatimin e Projektit SEMP. Të katër bashkitë e projektit do të përdorin më shumë energji të rinovueshme, do të kenë ndriçim më të mirë rrugor dhe do të kursejnë konsumin e energjisë. Sot, përdorimi inteligjent i energjisë është kërkesë dhe jo sugjerim, dhe këtu vijnë së pari bashkitë”, tha zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja.

 

Ambasadori zviceran, Adrian Maître, nënvizoi rëndësinë e hapave që ka bërë Shqipëria në fushën e efiçencës së energjisë dhe mbështetjen zvicerane dhënë për këtë sektor.

“Shqipëria po bën hapa drejt efiçencës së energjisë. Ngjarjet aktuale po na tregojnë në mënyrë dramatike se sa e rëndësishme është gjetja e zgjidhjeve alternative të energjisë dhe ruajtja dhe përdorimi me zgjuarsi e furnizimeve tona të energjisë”, tha ambasadori zviceran, Adrian Maître.

Në një botë në ndryshim, ku siguria e furnizimit me energji dhe mungesa  e energjisë po fitojnë shumë rëndësi, qeverive u kërkohet të gjejnë zgjidhje të menjëhershme për të përmirësuar eficencën e energjisë (EE) dhe për të përdorur burime të reja energjie të rinovueshme. Në këtë situatë, SECO mbështet qeverinë shqiptare me zhvillimin e një sistemi të menaxhimit të energjisë të frymëzuar nga Çmimi Evropian i Energjisë në katër bashki pilot (Bashkitë Berat, Korçë, Përmet dhe Shkodër). Në këtë nismë gjithashtu është përfshirë dhe rritja dhe forcimi i kapaciteteve të bashkive për të zbatuar sa më mirë politikën kombëtare të energjisë në nivel lokal, veçanërisht për identifikimin e masave të infrastrukturës të lidhura me energjinë dhe për të përmirësuar kapacitetet në nivel bashkiak për të përgatitur propozime për financim.

Me rëndësi të madhe është rritja e ndërgjegjësimit për efiçencën e energjisë dhe masat e mundshme nw kwtw fushw për publikun, por mbi të gjitha për grupet vulnerabël të ndikuar drejt për drejt nga kriza botërore energjetike dhe ndryshimet klimatike. Janë ata që vuajnë më së shumti dhe kanë nevojë të fitojnë njohuri se çfarë mund të bëjnë edhe pse me burime të kufizuara, për të balancuar ndikimet negative që situata aktuale ka në jetën e tyre të përditshme.

Rezultatet e pritshme të këtij projekti janë:

Krijimi dhe fuqizimi i departamenteve bashkiake të menaxhimit të energjisë në katër bashkitë dhe hartimi i planeve bashkiake të energjisë dhe klimës.

Përgatitja dhe realizimi i masave të infrastrukturës në EE (investimet me realizim dhe përfitim të shpejtë).

Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për menaxhimin e energjisë në nivel bashkiak dhe për efiçiencën e energjisë në përgjithësi.

Hartimi i Kuadrit Shqiptar të Menaxhimit të Energjisë me potencial për t’u shtrirë në nivel kombëtar.

Projekti zbatohet nga një konsorcium kompanish ndërkombëtare dhe kombëtare që punojnë në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë për Efiçiencën e Energjisë (AEE) që vepron si Njësia e Menaxhimit të Projektit (NMP). Projekti do të zgjasë deri në fund të vitit 2024.