Kosova

Nita Kaprollit, shqiptarja që po ndërton karrierë të jashtëzakonshme në teknologji dhe AI

Nga një rrugëtim i hershëm akademik, deri te udhëheqja e projekteve të inteligjencës artificiale në një kompani amerikane, profili i Nita Kaprollit po shndërrohet në një histori frymëzuese suksesi për shqiptarët në diasporë.

Nita Kaprollit po afirmohet si një nga profesionistet e reja shqiptare me një profil të veçantë akademik dhe profesional në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton albinfo.ch.

Rrugëtimi i saj nis që në vitet e hershme të shkollimit, ku ajo ka përfunduar arsimin fillor dhe të mesëm brenda vetëm 10 viteve, duke u avancuar dy herë gjatë procesit arsimor dhe duke treguar rezultate të jashtëzakonshme në mësim.

 

Nita Kaprollit

 

Dy diploma universitare dhe specializim në MIT

Kaprollit ka ndjekur paralelisht dy drejtime universitare, duke u diplomuar në Inxhinieri Kompjuterikedhe në Matematikë e Informatikë, një kombinim i rrallë që i ka krijuar bazë të fortë në analizë dhe zhvillim teknologjik.

Studimet master i ka përfunduar në fushën “Software Application and Development”, ndërsa më pas ka vijuar edhe studime post-master në Massachusetts Institute of Technology (MIT) në programin “Applied Data Science – Leverage AI”, nën mentorimin e profesorit të njohur John Tsitsiklis, ku është vlerësuar me rezultate të larta, transmeton tutje albinfo.ch.

 

Çmime dhe vlerësime që në moshë të re

Që në moshë të hershme, Nita Kaprollit është shpërblyer me 16 çmime në fusha të ndryshme shkencore dhe letrare, në nivele komunale, republikane dhe ndërkombëtare.

Në matematikë ka arritur vendin e dytë në gara republikane, ndërsa gjatë studimeve universitare është shpallur oratorja më e mirë në nivel të universiteteve shtetërore dhe private.

 

Nita Kaprollit
Nita Kaprollit

 

Letërsi, media dhe angazhim publik

Përveç shkencës dhe teknologjisë, Kaprollit ka qenë aktive edhe në art dhe kulturë. Ajo ka nisur të shkruajë poezi që në moshën 11-vjeçare dhe është autore e librit “Po vij”, i financuar nga Ministria e Kulturës, si një nga talentet e reja të vlerësuara në letërsinë shqipe.

Në fushën e medias, ajo ka drejtuar për tre vite emisionin për fëmijë “Cicerimat e para”, ka punuar si gazetare dhe kolumniste, si dhe është nderuar me çmimin e parë kombëtar për emisionin “Sofra kulturore”, i cili promovonte instrumentin tradicional kavall në muzikën bashkëkohore.

Në Maqedoni, ajo ka mbajtur edhe funksionin e zëdhënëses në komunën e Gostivarit, duke qenë njëkohësisht pjesë e ekipeve zhvilluese në projekte programimi dhe aplikacione të ndryshme.

 

Karrierë e suksesshme në SHBA dhe çmim presidencial në vitin 2025

Në moshën 23-vjeçare, Nita Kaprollit u shpërngul në SHBA, ku u certifikua sipas standardeve profesionale amerikane dhe nisi karrierën si Data Scientist në kompaninë Managed Healthcare Associates, pjesë e grupit Roper Technologies.

Në këtë kompani, ajo kontribuoi në projekte të rëndësishme për automatizimin dhe përmirësimin e efikasitetit organizativ. Në vitin 2025, Kaprolli u nderua me Çmimin Presidencial të kompanisë për zhvillimin e aplikacioneve të avancuara me inteligjencë artificiale.

Aktualisht, ajo udhëheq departamentin e automatizimit, të organizuar në gjashtë njësi, duke luajtur rol kyç në transformimin digjital, rritjen e të ardhurave dhe optimizimin e proceseve në kompani.

 

Nita Kaprolliti

 

Studime shkencore dhe angazhim akademik

Në aspektin akademik, Kaprollit ka publikuar një studim mbi përdorimin e algoritmeve të machine learning për parashikimin e demencës. Po ashtu, është e angazhuar në një projekt kërkimor njëvjeçar me titull “Address Matching Decision Tree Solution”, i financuar nga kompania ku punon, transmeton albinfo.ch.

Paralelisht me karrierën në SHBA, ajo është edhe ligjëruese në King’s College, në departamentin CSI, ku jep lëndën “Programim i avancuar” dhe ndihmon studentët në certifikime dhe integrim në tregun ndërkombëtar të punës.

 

Vizioni: mbështetje për studentët shqiptarë dhe inkubator teknologjik

Duke qene se ajo ka lindur në Gostivar, vizionin e saj profesional dhe shoqëror, Nita Kaprolliti synon të ndihmojë studentët shqiptarë të arrijnë universitete prestigjioze, të krijojë një inkubator teknologjik, si dhe të kontribuojë në zhvillimin e talenteve të reja në teknologji dhe inteligjencë artificiale, në nivel global.

Historia e saj përfaqëson një shembull konkret të potencialit të rinisë shqiptare, kur ambicia, dijenia dhe përkushtimi ndërtohen mbi punë të vazhdueshme dhe vizion afatgjatë./Albinfo.ch