Kosova

Një vit pa Kadarenë: Ikonë që do të mbetet dëshmi e mendjes dhe shpirtit shqiptar


Një vit më parë u nda nga jeta, në moshën 88-vjeçare, gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare. Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, organizoi sot një aktivitet përkujtimor për shkrimtarin Ismail Kadare, përcjell albinfo.ch.

Në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vlerësoi figurën dhe kontributin e shkrimtarit Ismail Kadare për letërsinë shqipe.

“Sot nuk jemi këtu vetëm për të nderuar më të pazakonshmin e njeriut shqiptar që iku, por për të qëndruar në heshtje përballë një ikone që do të mbetet mes nesh si dëshmi e gjallë e mendjes dhe shpirtit shqiptar. Kur largohet një shkrimtar i përmasave të Ismail Kadaresë, fjala është gjithçka që mund të kemi dhe njëkohësisht ajo bëhet gjithçka që ka rëndësi. Sepse, megjithatë, vetëm fjala mbetet.

Sepse Kadareja nuk ka nevojë për lavdërime. Ai ishte dhe mbetet vetë lavdia,” tha Spiropali.

Kryeparlamentarja tha se Kadare mbetet simbol i dinjitetit, i mendimit të pavarur dhe i një përpjekjeje të jashtëzakonshme për të shpëtuar qenien shqiptare përmes letërsisë.

“Vëzhgues i përbindshëm i jetës, i ndjesive më të vogla e më njerëzore: zgjimi me një filxhan kafe, një bisedë e mbetur përgjysmë, një zhgënjim miqësor, një kravatë e re apo një heshtje që zgjat më shumë se duhet. Në këto gjëra të përditshme ai ndërtonte universin e tij të thellë, ku lexuesit ftoheshin për bashkëjetesë. Aty ishte antikiteti dhe e nesërmja, shqiptari dhe bota, Shqipëria dhe Europa,” tha Spiropali.

Sipas Spiropalit, Kadare besonte, me të drejtë, se bota që ndërtonte me fjalë ishte ndoshta më e drejtë, më e besueshme, më e vërtetë se ajo ku jetonim.

Më tej, në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit tha se edhe pse Kadare i është rikthyer tokës si rrënja më e çmuar e identitetit shqiptar, ai i përket qiellit më të epërm të vlerave njerëzore universale.

“I ndarë nga bota jonë, duke vendosur të ikë për të pushuar vetëm një çast, Kadare shënjoi dhe një nga paradokset e shumta të jetës së tij, duke i dhënë jetë edhe një paradoksi të ri, duke i dhënë paqe edhe armiqve të tij. Atyre që nën uniformën gri e monotone të mediokritetit shfaqeshin si një turmë plot me zulmë e zhurmë kritikësh dhe turmë ziliqarësh e lakmitarësh.”

Sipas Spiropalit, Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit.

“Kadare ishte një udhëtar i madh që u nda nga Gjirokastra për të udhëtuar në kohë dhe në hapësirë. Iu kthye antikitetit të Ilirisë dhe Greqisë së lashtë dhe mbërriti nga stepat sovjetike në brigjet e detit të Kinës në Lindje,” u shpreh Spiropali.

Kadare, sipas Spiropalit, ushqeu shpirtërisht dhe lartësoi mendërisht një popull të tërë.

Spiropali theksoi se duhet ta nderojmë, ta respektojmë dhe ta kujtojmë në pafundësi. Kjo është më e pakta që duhet dhe mund ta bëjmë për atë që erdhi, na fali gjithçka dhe iku pa na marrë asgjë.