Lajme
Operacion i madh kundër strukturave mafioze në Evropë
Gjithsej 108 urdhërarrestime u ekzekutuan gjatë këtij operacioni ndërkombëtar në shkallë të gjerë kundër mafisë. Një gjykatë në portin italian të Reggio Calabria kishte lëshuar urdhrat e arrestit me kërkesë të prokurorisë antimafia. Të dyshuarit akuzohen për anëtarësim në një organizatë mafioze, trafik droge dhe armësh, pastrim parash dhe krime të tjera.
Shumica dërrmuese e të pandehurve u arrestuan në Itali. Vetëm në Gjermani deri tani janë bërë më shumë se 30 arrestime. Në disa Lande, bastisjet kundër anëtarëve dhe ndihmësve të dyshuar të ‘Ndrangheta’s kalabreze ishin duke u zhvilluar natën dhe mëngjesin e sotëm. Urdhërarrestet janë ekzekutuar edhe në vende të tjera evropiane: ndaj gjashtë personave në Belgjikë, tre personave në Francë dhe një personi në Portugali, Rumani dhe Spanjë.
Në gjithë Gjermaninë u mobilizuan më shumë se 1000 policë, përfshirë forcat speciale. Sipas zyrës së policisë gjyqësore bavareze, autoritetet gjermane, belge dhe italiane morën pjesë në “operacionin Eureka” kundër ‘Ndrangheta’s kalabreze, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet evropiane Eurojust dhe Europol.
Goditje nga hetuesit në Bavari
Në Bavari autoritetet kanë hetuar tetë të dyshuar dhe urdhërarrestimet evropiane janë ekzekutuar kundër katër prej tyre. Disa kilogramë marihuanë janë sekuestruar në një nga lokalet e biznesit. Sipas autoriteteve bavareze, ato patën sukses edhe me një hap vendimtar për hetimet ndërkombëtare: ato arritën të identifikojnë një celular të koduar, që i përkiste një prej të dyshuarve kryesorë gjatë qëndrimit të tij në Bavari. Grupi me bazë në Mynih akuzohet ndër të tjera se ka marrë pjesë në financimin e trafikut ndërkombëtar të kokainës, se e ka mbështetur atë me mjete logjistike dhe për pastrim parash.
Ministri i Brendshëm bavarez, Joachim Herrmann, foli për një “hap të rëndësishëm për hetuesit italianë”. Operacioni i arrestimit dhe kërkimit i kryer në gjithë Evropën është globalisht “një goditje e rëndësishme për “Ndrangheta”n, tha ministri.
Disa urdhërarrestime në landin e Rinit Verior-Vestfalisë
Sipas informacioneve nga disa zyra të prokurorisë shtetërore dhe zyrave rajonale të hetimit penal, bastisjet në Gjermani u përqendruan në Bavari, Rin Verior-Vestfali, Rheinland-Pfalz, në landin e Zarës dhe në Tyringen. Kështu, në landin e Rinit Verior-Vestfalisë, rreth 500 forca të ndërhyrjes kontrolluan gjithsej 51 shtëpi, apartamente, zyra dhe ambiente biznesi të të dyshuarve dhe ekzekutuan 15 urdhër-arreste. Në Tyringen, Rheinland-Pfalz dhe në landin e Zarës, u arrestuan gjithsej njëmbëdhjetë persona dhe u kontrolluan më shumë se 50 apartamente dhe ambiente biznesi.
Në Itali, “Eureka” është një nga aksionet më të mëdha dhe më të rëndësishme të luftës kundër krimit të organizuar të viteve të fundit. Vetëm për periudhën nga tetori 2019 deri në janar 2022, autoritetet italiane dhe belge mund t’i atribuojnë ‘Ndrangheta’-s importin dhe trafikimin e gati 25 tonëve kokainë. Përveç kësaj, më shumë se 22 milionë euro kaluan nga Kalabria në Belgjikë, Holandë dhe Amerikën e Jugut.
Një organizatë e fuqishme mafioze
Ndrangheta është një nga organizatat mafioze më të fuqishme në botë dhe ka qenë prej kohësh aktive në nivel ndërkombëtar, përtej kufijve italianë. Ajo është e bazuar në rajonin e Kalabrisë, maja e “çizmes” italiane në kontinent, përballë ishullit të Siçilisë. Ajo dominon tregtinë ndërkombëtare të drogës, por gjithashtu fiton para përmes trafikut të armëve, pastrimit të parave dhe korrupsionit. Disa ekspertë e vlerësojnë xhiron e saj në më shumë se 100 miliardë euro. Në Kalabri ka rreth 160 klane, të cilat llogariten të kenë 6000 anëtarë.
Emri ‘Ndrangheta’ vjen nga greqishtja dhe afërsisht do të thotë guxim ose besnikëri. Organizata mafioze thuhet se është themeluar në vitet 1860, kur një grup sicilianësh u dëbuan nga ishulli nga qeveria italiane. Ndrangheta gjithashtu ka një bazë të fortë në Gjermani. Klanet e organizatës ishin, për shembull, përgjegjës për vrasjet mafioze në Duisburg, gjatë të cilave u qëlluan për vdekje gjashtë persona para një picerie, në vitin 2007./dw
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Një badhkatdhetar që po shkonte në Kosovë u arrestua në Serbi e më pas u lirua Një bashkatdhetar, i cili ishte arrestuar sot nga autoritetet serbe gjatë kalimit tranzit nëpër Serbi, është... -
Mërgimtarët në Kosovë për festa, këto janë pikat më të ngarkuara kufitare -
Bazel - Zvicer
Thesar Abdullahu dhe Morgan Hetemi drejt studimeve doktorale në Zvicër -
Vjenë
Kosti Deti mahnit me performancën e tij në Ambasadën Italiane në Vjenë -
Shefi i Ushtrisë Zvicerane, së bashku me Ylfete Fanaj, vizituan trupat në Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Akuza serioze ndaj Aare Seeland Mobil: Shoferët e trenave në kufijtë e durimit Shoferët e trenave të kompanisë zvicerane të transportit publik Aare Seeland Mobil (ASM) kanë ngritur akuza... -
Migros: Punëtorët e larguar nga puna mbeten pa dhurata të Krishtlindjeve -
Këshilli Federal heziton për masa më të forta në mbrojtjen e të rinjve në rrjetet sociale -
Përhapja e qirave Airbnb po rrit pakënaqësinë në Zvicrën frëngjishtfolëse -
Pritet rritje e çmimeve të ilaçeve në Zvicër










