Zhvillim
Orkestri i fëmijëve trason rrugën e shoqatës “Gjakova-Basel”
Qytetarë të shumtë nga Gjakova, sidomos nxënës të shkollës së muzikës, kaluan çaste të këndshme me pika muzikore të kompozitorëve zviceranë dhe shqiptarë, të cilët, falë ushtrimit të shkëlqyeshëm nuk dalloheshin fare se cili prej nga vjen
Ditë më parë, rreth 45 nxënës të korit të shkollës së muzikës nga Binningen-Bottmingen të Bazelit udhëtuan për në Gjakovë, që, së bashku me korin e nxënësve të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” nga Gjakova më 7 tetor të japin një koncert me pjesë të luajtura në shqip dhe gjermanisht.
Gjatë tërë javës, koret ushtruan bashkarisht pikat muzikore, të cilat, tashmë, në vendet e tyre i kishin ushtruar disa muaj rresht.
Qytetarë të shumtë nga Gjakova, sidomos nxënës të shkollës së muzikës, kaluan çaste të këndshme me pika muzikore të kompozitorëve zviceranë dhe shqiptarë, të cilët, falë ushtrimit të shkëlqyeshëm nuk dalloheshin fare se cili prej nga vjen.
Mrekullia e mbrëmjes, e që vlente si një model për nxënësit gjakovarë, ishte kompozitori 13-vjeçar nga Bazeli, Florian Krummenacher me kompozimin e tij “Things” (Gjërat). Duartrokitja e gjatë frenetike nga të pranishmit miratoi maksimën se, “vepra e mirë duhet të shpërblehet”. “Ishte kënaqësi të luash në praninë e kësaj mase njerëzish. Ndjehem i privileguar që kompozimi im u pranua shumë mirë nga publiku. Mezi po pres që në po këtë përbërje të takohemi dhe të luajmë para publikut të Bazelit”, tha Florian Krummenacher, duke përsëritur disa herë falënderimin e tij për orkestrin dhe publikun e mrekullueshëm.
Natyrisht, nuk ishte aq thjeshtë të ekzekutohen këngët shqipe nga zviceranët dhe e kundërta, por ushtrimet tejkalojnë të githa barrierat. Për lehtësim, këngët shqipe u dirigjuan nga dirigjentët kosovarë, Astrit Pallaska e Pëllumb Vula, kurse ato zvicerane nga dirigjenti Christian Reichert.
“Këngët shqiptare, janë shumë të bukura, ato tingëllojnë shkëlqyeshëm, por për fëmijët tanë nuk ishin dhe aq të thjeshta. Për ekzekutimin e tyre nevojitej të ushtrohej shumë”, u shpreh drejtoresha e shkollës së Binningenit, zonja Letizia Walser nga Bazeli, për të vazhduar se, “për këto këngë nuk mjaftoi vetëm një ditë ushtrime, as një javë e bile as edhe një muaj, por më shumë muaj, sepse ato, për nga rimika, janë ndryshe nga këngët zvicerane. Ritmet luhen në shtatë të tetat, në nëntë të tetat, njëmbëdhjetë të tetat, dhe e gjithë kjo të kombinohet në një orkestër kërkon angazhim të madh”.
Në pyetjen, nëse probleme të njëjta pati edhe kori shqiptar (me këngët gjermane) ajo u shpreh: “Mbase e njëjta gjë duhet të kishte qenë edhe me nxënësit shqiptarë, por meqë ky koncert, për këngët zvicerane, ka pasur një aranzhman modern, atëherë, me siguri, ata e kanë pasur më lehtë”, shprehet drejtoresha Walser.
Kurse në pyetjen se si lindi ideja që pikërisht në Gjakovë të vijnë nxënësit e kësaj shkolle, dhe se a ka ndikuar për këtë Shoqata ”GjakovaBasel”, zonja Walser tha: – Po, dy mësues që japin mësim në shkollën tonë, kanë qenë në Gjakovë për të mbajtur ca ligjërata, dhe ata kanë qenë të ngazëllyer me nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”. Kështu, ata më kanë propozuar që në Binningen të organizojmë një porjekt shkëmbimi, kështu që para një viti kemi filluar me organizimin e këtij bashkëpunimi.
Koncerti i kthimit në prill 2017
Koncerti në Gjakovë ishte vetëm pjesa e parë e këtij projekti, pasi që më 7 prill 2017 nxënësit nga Gjakova do të udhëtojnë për në Bazel, dhe do të jenë mysafirë të shkollës së muzikës të Binningen-Bottmingenit, për t’u prezantuar në fund para publikut të atjeshëm, në po këtë përbërje, me dy koncerte.
Padyshim, shtylla e gjithë këtij projekti është çifti Dorothea dhe Georg Fankhauser, të cilët jetojnë në Bazel, dhe se prej vitesh janë angazhuar, fillimisht për ndërtimin e objektit të shkollës së muzikës, pastaj për furnizimin me instrumente muzikore, sjelljen e mësuesve zviceranë për ligjërata, si dhe për gjithë mbarëvajtjen e këtij bashkëpunimi, e deri te themelimi i shoqatës “GjakovaBasel”.
“Ky projekt bashkëpunimi ndërmjet Binningen-Bottmingenit dhe Gjakovës, ku janë të involvuar nga rreth 45 nxënës nga të dy shkollat, ka lënë përshtypje të thellë te nxënësit zviceranë, të cilët, krahas ushtrimeve për koncert, u njohën edhe me qytetin e Gjakovës dhe thelluan më tej shoqërimin e ndërsjellë. Ata janë të moshës prej 12-20 vjet, dhe me siguri do të jenë ambasadorë të mirë për Kosovën”, shprehet Dorothea Fankhauser.
Nxënëset e korit të Gjakovës, Adea Zhaveli (12) dhe Lyra Pylla (12) janë të ngazëllyera nga ky bashkëpunim, në përgjithësi dhe nga ky koncert, në veçanti. “E kemi dhënë maksimumin e maksimumit për këtë koncert, jo vetëm ne shqiptarët, por edhe zviceranët e kjo u pa sidomos në ekzekutimin e këngëve shqip siç ishin: “Me lule të bukura”, “Prapa malit” dhe “Moj e bukura more” u shprehen (si në kor) Adea e Lyra.
Publikun e ngriti në këmbë kënga “Haleluja” që u interpretua për mrekulli nga rreth 110 pjesëmarrës të orkestrit, dhe siç u shpreh Adea Zhaveli “kjo ishte sikur qershia mbi torte”
Gjuha e muzikës – gjuhë universale
Drejtori i shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, z. Kastriot Sada falënderon gjithë akterët e këtij koncerti, duke filluar nga angazhimi i vazhdueshëm i çiftit Fankhauser, nxënësit e të dy shkollave, por edhe publikun e mrekullueshëm gjakovar, që, me pjesëmarrjen e tij, çmon lartë krijimtarinë muzikore.
Drejtori Sada, çelësin e këtij suksesi e sheh tek entuziazmi i madh i nxënësve dhe mësimdhënësve të tyre. “Siç e dimë të gjithë, muzika është gjuhë universale dhe kjo u pa edhe në këtë koncert ku muzicientët nga Zvicra dhe ata nga Kosova kanë folur me një gjuhë, pra me gjuhën e muzikës. Jo më kot thuhet se muzika, sporti e arti janë ambasadorët më të mirë në botë, dhe ne kështu po mundohemi që shtetin tonë ta bëjmë të njohur gjithandej”, u shpreh drejtori Kastriot Sada.
Ai, pa modesti, foli edhe për vështirësitë e koncertit të përbashkët për të vënë në pah se “në muzikën tonë popullore përdorim disa ritme të thyera siç janë ritmet shtatë të tetat, pesë të tetat, nëntë të tetat etj., kështu që sidomos këto këngë nuk ishte e lehtë të interpretohen nga zviceranët, sepse ky ritëm nuk është shumë familjar në Zvicër, por atë ata e bënë siç është më së miri dhe nuk u dalluan fare nga janë ata instrumentistë për çka dhe i përgëzoj”, tha z. Sada.
Drejtori Sada foli edhe për nevojat financiare për realizimin e projekteve të këtilla. “Natyrisht realizimi financiar i projekteve gjithmonë është problemor, por ne në bashkëpunim me Zvicrën këtë problem nuk e kemi: shtysja kryesore është Dorothea Fankhauser e cila siguron fondet e nevojshme. Mysafirët qëndruan për një javë në hotelin më të mirë të Gjakovës, te “Qarshia e Jupave”, ndërkaq gjatë javës kemi mbajtur edhe një koncert në fshatin Tërstenik. Me këtë rast nxënësit zviceranë kanë pasur rastin të njihen edhe me qytetin e Gjakovës, përkatësisht me shumë monumente kulturore e fetare siç janë: muzeu etnografik, “xhamia e Hadumit”, kisha katolike “Shën Ndou”, kisha ordodokse etj., pastaj kanë vizituar po ashtu edhe manastirin e Deçanit, qytetin historik – Prizrenin etj.”, tha për fund drejtori Sada.
Pas koncertit, nxënësit shqiptarë e zviceranë kaluan çaste argëtimi në hollin e shkollës së muzikës, në shoqërim të muzikës së luajtur nga Georg Fankhauser (kontrabas), Christian Reichert (kitarë), Dalvin Mamusha (violinë), Astrit Pallaska (fizarmonikë) dhe Adhurim Grezda (solokëndim).
Me këtë rast, nxënësit zviceranë shpërndanë dhurata për bashkëmoshatarët e tyre. Disa dhurata për kreun e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” u ndanë edhe nga drejtoresha e shkollës së Binningen-Bottmingenit, Letizia Walser.
Xhevdet Kallaba
Të tjera nga Zhvillim
E-Diaspora
-
Naim Dina u zgjodh asamblist në qytetin Renens të Kantonit Vaud "Ju informoj se jam zgjedhur këshilltar komunal në grupin e këshilltarëve të Partisë Socialiste", shkruan ai...
-
Presidentja Osmani takoi mërgatën në Francë
-
Vjenë: Shqiptarja tregon historinë e saj frymëzuese
-
Berlin: Shija dhe cilësia e produkteve shqiptare u komentua pozitivisht në Festivalin Mbarëkombëtar të Gastronomisë
-
51 kompani nga Kosova u prezantuan në panairin e gastronomisë shqiptare në Berlin
Jeta në Zvicër
-
Hotelet zvicerane, në rrugën e duhur për të shënuar rekord Industria zvicerane e hotelerisë strehoi më shumë mysafirë këtë gusht se sa një vit më parë....
-
Gjenevë: Paga minimale do të rritet vitin e ardhshëm
-
Universitetet zvicerane krijuan një institut të ri të AI
-
Katër lajme që karakterizuan ditën e sotme në Zvicër
-
Si mund të merrni kompensim nëse treni juaj zviceran vonohet ose anulohet?