Lajme
Osmani për mërgatën: Ju nuk jeni mysafirë, por shtyllë e shtetit të Kosovës
Në pritjen e fundvitit për bashkatdhetarët nga diaspora, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani falënderoi mërgatën për kontributin në ruajtjen e identitetit kombëtar, mbështetjen gjatë periudhave më të vështira dhe rolin e tyre në ndërtimin e së ardhmes së vendit.
Fjalimi i plotës i presidentës Osmani:
Shumë të dashur bashkatdhetarë nga mërgata, shumë të dashur motra e vëllezër,
“Mirë se erdhët në shtëpinë tuaj!
Ka vërtetë një pjesë të atdheut që nuk qëndron gjithnjë brenda kufijve të hartës, por zemra për atdheun u rreh edhe nga mijëra kilometra larg.
Ka një Kosovë që përveç gjuhës sonë të zemrës, gjuhës shqipe, flet edhe shumë gjuhë të tjera, që punon në shtete të largëta, por mendimin dhe zemrën gjithmonë i mban këtu. Kjo Kosovë është mërgata jonë, një copë atdheu që jeton larg dhe afër njëkohësisht, që nuk u shkëput kurrë, edhe kur u detyrua të largohej.
Nderi i një kombi matet me ata që i qëndrojnë atdheut pranë edhe atëherë kur fizikisht janë larg. Janë disa njerëz, të cilët asnjëherë nuk kërkuan lavdi, mirëpo me veprat e tyre gjithnjë i dhanë lavdinë më të lart atdheut.
E tillë është mërgata jonë!
Ajo, që i dha mbështetje vendit në kohët më të rënda, e ajo që na gjendet pranë edhe sot teksa vendi ynë përballet me sfida të reja.
Ju jeni dëshmi se atdheu nuk është vetëm vend, por është edhe besë, është kujtesë dhe njëkohësisht përgjegjësi.
Jeni ata që e mbajtët gjallë emrin e Kosovës në kohët më të rënda, ata që e bartët flamurin tonë kombëtar nëpër botë kur ai ende nuk valëvitej lirshëm këtu në Kosovë, ata që e ruajtët gjuhën edhe krenarinë në ditët më të vështira për ne.
Prandaj sot, kur ju themi të gjithëve mirë se erdhët në atdhe, nuk po ju presim si mysafirë, por si pjesë e pandashme e vetvetes sonë.
Të nderuar mërgimtarë,
Sot jemi këtu bashkërisht, në këtë fundvit, për ta dëgjuar sërish njëri-tjetrin, sepse për ne s’është hera e parë që takohemi, ju kemi pritur e na keni pritur vazhdimisht, pra për ta dëgjuar zërin e kujtesës, zërin e historisë dhe zërin e atdheut, që edhe kur është larg, asnjëherë nuk pushon së thirruri.
Kjo, ngase për ne shqiptarët e veçanërisht për mërgatën tonë, atdheu nuk është thjesht një simbol në hartë. Është një ndjenjë, është një kujtim dhe është një mall i pashuar. Është ai imazh që na ndjek në ditët e punës së rëndë dhe në netët e gjata të vetmisë. Është ajo pamje që, sikurse në këngët tona epike, rikthehet vazhdimisht në mendjen tonë.
Malet dhe fushat e Kosovës janë kujtesë kolektive, janë historia jonë e përbashkët, janë dëshmi e qëndrueshmërisë së një populli që, edhe kur dhunshëm është shpërndarë nëpër botë, nuk e ka humbur asnjëherë busullën shpirtërore dhe identitetin kombëtar.
Mërgata shqiptare, mërgata jonë, ka lindur nga nevoja, nga dhimbja, nga mungesa e perspektivës, por edhe nga padrejtësia, dhuna e dëbimet.
Megjithatë, ajo nuk u shndërrua kurrë në harresë. Përkundrazi, u bë forcë, u bë rezistencë dhe u bë mburojë e identitetit tonë kombëtar.
Prandaj, veprat e mërgatës sonë nuk janë thjesht pjesë e arkivës së historisë sonë, ato qëndrojnë në vetë themelet e shtetit tonë. Ju jeni dëshmia më e gjallë se mërgata jonë është shtyllë e fortë dhe e pathyeshme e Republikës sonë të lirë e sovrane.
Në ditët më të vështira të historisë sonë, kur liria ishte e ndaluar, mërgata ishte ajo që na e mbajti gjallë shpresën. Ishte ajo që organizoi, që protestoi, që foli në emrin e Kosovës dhe të popullit të Kosovës në kancelaritë më të rëndësishme të botës. Ishte ajo që hapi rrugë, ishte ajo që ndërtoi ura e miqësi. Ishte ajo që ndihmoi familjet, që mbajti gjallë arsimin nën okupim, që përkrahu luftën për liri dhe dinjitet. Ishte mërgatë, e gatshme kurdoherë për t`u kthyer në atdhe, madje edhe duke rrezikuar jetën.
Këtë e dëshmuan shumë pjesëtarë të mërgatës sonë duke iu bashkuar fillimisht rezistencës paqësore të ndërtuar nga Ati themeltar i Republikës sonë, Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Duke ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës kur neve na mohohej liria e dëshmuan sërish kur djem e vajza nga mërgata u kthyen në tokën e Kosovës për të luftuar për mbrojtjen e atdheut, duke u bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kapitullit më të lavdishëm të historisë sonë.
E këtë e dëshmoni secili prej jush edhe sot, sa herë ktheheni në Kosovë, sa herë mbështetni familjet tuaja, sa herë investoni këtu, sa herë jeni prezentë. Ju, jo vetëm që e ndihmoni Kosovën, ju bashkërisht me secilin prej nesh ndërtoni të ardhmen e vendit tonë.
Sot shumë të rinj e të reja kthehen në Kosovë edhe për të investuar, për të zhvilluar Kosovën e për ta bërë edhe më të fortë.
E ky refleks i kthimit, kjo thirrje e brendshme, ka qenë gjithmonë pjesë e shpirtit të mërgatës sonë. Pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë, Kosova hyri në një kapitull të ri. Një kapitull të mbushur me shpresë, por edhe me sfida.
Në këtë proces, mërgata nuk është vetëm kujtim i së kaluarës, por mbi të gjitha është partner i së ardhmes. Sot, Kosova sërish ka nevojë për kontributin tuaj, për idetë tuaja, për përvojën tuaj, për dijen që keni fituar në vendet ku jetoni dhe punoni.
Ka nevojë për nisma që sjellin akoma më shumë zhvillim, për projekte që krijojnë vende pune, për teknologji dhe inovacion. Ka nevojë për ekspertë që kthehen, qoftë përkohësisht apo përgjithmonë, për të ndarë dijen, për të ndërtuar institucione edhe më të forta, për të ngritur standarde edhe më të fuqishme profesionale.
E po aq sa Kosova ka nevojë për mërgatën, edhe mërgata ka nevojë për një shtet që e dëgjon, që e respekton dhe që e përfshin. Një shtet që vazhdon të krijojë kushte të drejta, ligje të fuqishme dhe një klimë besimi, ku kthimi fizik apo profesional nuk është sakrificë, por është një mundësi e përbashkët.
Kjo zemër që vjen me vrap drejt Kosovës gjithnjë, sa herë që kemi nevojë është edhe thirrje për bashkëpunim. Është dëshirë për të qenë gjithnjë pjesë e diçkaje më e madhe se vetvetja. Është dëshmi se lidhja ndërmjet Kosovës dhe mërgatës nuk është thjesht një nostalgji, por edhe kapital njerëzor dhe moral.
Prandaj, sot, më shumë se kurrë, kjo lidhje duhet të forcohet. Në një botë të paqëndrueshme, me sfida të reja gjeopolitike, ekonomike dhe shoqërore, Kosova ka nevojë për unitet, për mendje të hapura dhe për bashkëpunim të gjithanshëm.
Kjo dashuri për Kosovën gjithnjë ka qenë forca jonë më e madhe. Le ta shndërrojmë atë në zhvillim, në mirëqenie dhe në një të ardhme më të sigurt për brezat që vijnë pas nesh.
E duke qenë në prag të një viti të ri, dua që kjo pritje dhe ky takim me ju të shoqërohen edhe me urimet më të përzemërta për secilin prej jush. Le të jetë viti që vjen një vit i begatë, me suksese personale dhe profesionale, me shëndet të mirë për ju dhe familjet tuaja, dhe me paqe e harmoni në çdo shtëpi shqiptare.
Uroj që viti i ri të sjellë më shumë mundësi, më shumë bashkëpunim dhe më shumë arsye për t’u kthyer në atdhe, për t’u afruar dhe për të ndërtuar së bashku. Le të jetë ky një vit kur ëndrrat marrin formë, ku puna shpërblehet dhe kur Kosova jonë e dashur ecën edhe më shumë përpara me besim e me dinjitet. Le të kontribuojmë pra në këtë ëndërr secili prej nesh, ashtu siç kumbon refreni i këngës epike që na ka bashkuar e na bashkon edhe sot të gjithëve, pavarësisht se ku jetojmë:
“Oj Kosovë, oj nana ime, ndonëse jam i mërguar, dashninë tande zemra kurrë s’ka me harruar.”
Mirë se erdhët në atdhe, mirë se erdhët në Kosovën tuaj!
Zoti e bekoftë Republikën tonë të dashur, të gjithë qytetarët tanë dhe mërgatën tonë! Gëzuar!”
E-Diaspora
-
Thirrja nga KQZ për votuesit e diasporës Procesi po zhvillohet në gjithsej 40 vendvotime, të organizuara në 16 ambasada dhe 13 konsullata të... -
Në Bruksel fillon votimi: Demokracia në veprim – çdo votë çon peshë -
Pamje nga votimi në ambasadën e Kosovës në Bernë -
Kosova nis sot procesin zgjedhor me votimin e diasporës në 18 shtete -
Mbi 18 mijë votues nga Zvicra për zgjedhjet në Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Pse autoritetet e Cyrihut po i anashkalojnë intervistat për natyralizim? Shifrat e reja kantonale tregojnë se komunat në Cyrih po mbështeten gjithnjë e më pak në... -
Qyteti i Lozanës rrit përkohësisht pritjen emergjente për të pastrehët -
Nga 1 janari, do të jetë e mundur të plotësohen boshllëqet në kontributet për shtyllën e 3-të -
Shërbimi vullnetar zviceran i transportit të njerëzve sjell 9,100 njerëz të sigurt në shtëpi -
Fishekzjarrët e Vitit të Ri janë të rrallë në Zvicër













