Kosova
Pa qytetari aktive nuk do të ketë ndryshime pozitive
Pas 19 viteve liri dhe 10 viteve pavarësi, bilanci i zhvillimeve në shumë sfera në Kosovë është i përzier. Përderisa qytetarët janë më aktiv dhe më të vetëdijshëm për rolin që kanë, politika zyrtare ende është në gjendje lufte, sidomos për pushtet dhe ndikim, duke harruar misionin për një shtet të pavarur dhe sovran të qytetarëve
Para 19 viteve, i jemi gëzuar lirisë. 9 vite më vonë edhe shtetësisë. Pas shumë sakrificave, Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran. 17 shkurti të vitit 2008 u prit me festë, lot gëzimi dhe me këngë e valle. Jo vetëm në Kosovë, por anekënd ku jetonin shqiptarë. Me shpalljen e pavarësisë u lidhën shpresat për një shoqëri të mirë, të zhvilluar, për një Kosovë të lulëzuar, për një vend si shembull për të gjitha vendet përreth. Punëtori ëndërronte punë dhe mirëqenie sociale, nxënësi shkollim të mirë për t’u përgatitur sa më mirë për sfidat e jetës, i riu punësim dhe liri të lëvizjes, shkencëtari kushte për zbulime dhe hulumtime, i sëmuri përkujdesje kualitative mjekësore dhe shërim, mërgimtari kthim në vendin e kujtimeve dhe të mallit. Kjo ishte ëndrra e tyre. Shumë shpejtë realiteti u tregua shumë më ndryshe.
Në vend të zhvillimeve pozitive, vendi përballet edhe sot me shumë probleme. Shkaktarë janë jo vetëm rrethanat dhe zhvillimet përreth, por edhe politikanët vendorë dhe ata ndërkombëtarë. Të parët synojnë pushtetin e privilegjet e të dytët prioritet kanë një lloj stabiliteti e paqeje të rreme në regjion, në kurriz të zhvillimit ekonomik, shtetit të mirëfilltë dhe demokratik. Ndërsa Serbia, e mbështetur nga Rusia, ende përpiqet shumë për të destabilizuar Kosovën dhe për ta kthyer atë nën kontrollin e vet. Ajo shfrytëzon me mjeshtëri shtetasit serbë të Kosovës për të paralizuar vendin, për të cunguar edhe më shumë territorin dhe parandaluar shtrirjen e sovranitetit. Korrupsioni dhe nepotizmi ngulfatën zhvillimet ekonomike. Klanet politike ngritën në pozitat kyçe njerëz servilë ndaj tyre. Shërbëtorët e tyre nuk i detyrohen qytetarit, Kosovës, idesë dhe vizionit për një shtet të fortë dhe sovran, por njerëzve të pushtetit, nga mëshira e të cilëve varej fati i tyre. Njerëzit e varur janë militantë të dëgjueshëm.
Në vend se Kosova të bëhej shtet model për të mirë për shumë vende përrreth, ajo u radhit në familjen e shteteve më të pazhvilluara dhe më të korruptuara. Kosova sot – jo vetëm për faj të vetin – është vendi më i izoluar në Evropë!
Kosova ka një rini të vullnetshme për punë, një mërgatë të ngritur profesionalisht dhe të gatshme për të derdhur dijen dhe paranë në fondet e Kosovës. Kjo mërgatë përpos lobimit politik u angazhua edhe që investues të ndryshëm të përfitoheshin për të investuar në një treg të ri dhe u munduan të hapin udhë dhe mundësi, që kapitalin e tyre ta investojnë në Kosovë, të hapin vende pune dhe të ndihmojnë ekonominë e vendit, jo vetëm për arsye filantropike, por edhe si mundësi përfitimi.
Kosova me resurse të shumta natyrore vazhdon të vuajë nga një politikë e gabuar vendore dhe ndërkombëtare. Përkundër këtyre fakteve të hidhura, ka pasur edhe zhvillime pozitive. Ndërtimi i infrastrukturës është një zhvillim pozitiv. Shumica e njerëzve punojnë, ndershëm dhe me përkushtim. Rinia, sidomos gjenerata e lindur pas luftës, tregon pjekuri të madhe dhe ka filluar të marrë fatin në duart e veta. Nisma të ndryshme qytetare nuk presin shumë prej politikanëve dhe klasës politike dhe kanë filluar të shfrytëzojnë dijen, vullnetin, kreativitetin për të ndryshuar shoqërinë. Tash janë duke u krijuar ura lidhëse mes Kosovës dhe mërgatës së saj. Në të mirë të Kosovës dhe të të ardhmes së qytetarëve të saj. Vizioni i tyre është përparimtar dhe ne bëjmë mirë të jemi pjesë e këtij vizioni. Urime Kosovë pavarësia!
- Autori është nëpunës në sidnikatën Unia dhe aktivist i komunitetit shqiptar në Zvicër
E-Diaspora
-
Mynih
Zamira Gashi, juristja shqiptare që po ndërton karrierë të suksesshme në Mynih Juriste e specializuar në të Drejtën Publike Ekonomike dhe Prokurimin Publik, me karrierë të spikatur në... -
Orë letrare në Cyrih për Ditën e Pavarësisë së Kosovës -
Lozanë
SHKA “Teuta” në Lozanë në përgatitje për festën e 17 Shkurtit -
Londër
Hapet në Londër shkolla më e re shqipe “Aleksandër Xhuvani” -
Dhuna në familje: shenjat, frika dhe parandalimi – përkrahja në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Çfarë i duhet Cyrihut për të qenë një qytet gjithëpërfshirës? Ky panel synon të hapë një debat të gjerë mbi politikat publike, barazinë, aksesin dhe përfshirjen... -
Lozana kompenson bizneset e goditura nga punimet publike -
Produkte “pa gluten” që mund të përmbajnë gjurmë gluten shkaktojnë konfuzion tek konsumatorët -
Komunat në rajonin Jura Arc përballen me rreziqet e varësisë nga tatimpaguesit e mëdhenj -
Një muaj pas zjarrit në Crans-Montana: 23 të plagosur ende në spitalet zvicerane, 41 po trajtohen jashtë vendit













