Sport

Pak hapësira për Gashin

“Në kokën e tij por edhe më shumë në këmbët e tij peshon ende ai gabim në minutat finale të ndeshjes kundër Zvicrës gjatë të vetmes mundësi që trajneri De Biasi i dha”, shkruan faqja e specializuar “Mlssocceritalia.com”

Shkëlzen Gashi, një mundësi e humbur për të shijuar klasin e sulmuesit shqiptar. Kjo është kryefjala e një shkrimi të publikuar në faqen “Mlssocceritalia.com” që trajton gjerësisht çështje të kampionatit amerikan të futbollit, përcjell albinfo.ch.

Gashi është pjesë e skuadrës së Colorado Rapids dhe sipas faqes italiane, Gashi u aktivizua vetëm tetë minuta nga Gianni De Biasi në këtë Evropian, duke mos arritur të nxjerrë në pah cilësitë e tij.

“Në kokën e tij por edhe më shumë në këmbët e tij peshon ende ai gabim në minutat finale të ndeshjes kundër Zvicrës gjatë të vetmes mundësi që trajneri De Biasi i dha”, shkruan faqja e specializuar, duke shtuar se në ndeshjet pasardhëse, sulmuesi shqiptar nuk gjeti më vend në formacionin kuqezi.

“Mlssocceritalia.com” shton gjithashtu se Gashi nuk e priste aspak një Evropian të tillë pasi tifozët e futbollit nuk arritën të shijonin asgjë nga klasi i tij.

Aktualisht Gashi po shfrytëzon ditët e pushimit pas “Euro 2016” dhe shumë shpejt do të bashkohet me Colorado Rapids, skuadër që këtë sezon lufton për titullin kampion në Major League Soccer.