Tematike

Partitë, kundër qeverisë rreth uljes së “socialit” për shtetasit jashtë BE-së

Ndryshimi i ligjit parashikon zvogëlimin e mbështetjes sociale për shtetasit e vendeve të treta gjatë tre viteve të para pasi të kenë marrë lejen e qëndrimit

Në fund të janarit, Këshilli Federal pati dorëzuar për konsultim në Parlament ndryshimet në Ligjin për të Huajt dhe Integrimin (AIG). Konsultimi ka përfunduar të martën (sot).

Ndryshimi i ligjit parashikon zvogëlimin e mbështetjes sociale për shtetasit e vendeve të treta gjatë tre vjetëve të para pasi të kenë marrë lejen e rregullt të qëndrimit (B) ose një leje qëndrimi të shkurtër, transmeton albinfo.ch. Njëkohësisht ligji parashikon të rritet stimulimi për ata të huaj që angazhohen për të ndjekur kualifikimin profesional.

Qeveria synonte gjithashtu të bënte plotësimin e kritereve të integrimit në ligjin e përmendur: Kështu, kur jepet leja e përhershme e qëndrimit, tani e tutje duhet të merret parasysh, veç tjerash, edhe shkalla e promovimit të integrimit të fëmijëve, gruas ose burrit.

Së treti, Këshilli Federal kërkon të specifikojë kriteret e integrimit për lëshimin e lejeve të qëndrimit për personat e pranuar përkohësisht në rastet e ashtuquajtura “të rënda”, shkruan srf.ch. Kjo për të siguruar që kriteri i integrimit përmes arsimit të barazohet me kriterin e pasjes së punës.

SP, GP dhe GLP, kundër

Shumica e palëve të konsultuara (partive) kanë reaguar negativisht. PS, të Gjelbrit dhe GLP hedhin poshtë “trajtimin e pafavorshëm” të përfituesve të ndihmës nga vendet e treta. Sipas tyre, me këtë rast do të prekeshin veçanërisht familjet dhe prindërit e vetëm, me fëmijë. Sipas PS-së dhe të Gjelbërve, promovimi i integrimit më të mirë të atyre që preken nga ulja e ndihmës sociale është i pahijshëm dhe cinik.

Meqenëse ka shumë pak raste, potenciali i kursimit së do të sigurohej, gjithsej rreth tre milionë franga, është i ulët, transmeton albinfo.ch. Ndihma sociale, përveç asaj të azilit është gjithashtu një çështje e kantoneve, sipas PS dhe Partisë së Gjelbër. Rregullorja e re e planifikuar gjithashtu shkel parimin e ndalimit të diskriminimit.

Sipas GLP, propozimi pajtohet me faktin që shkurtimet në kantone do të shkaktonin dallime të mëdha mes tyre. Për sa i përket promovimit të integrimit të anëtarëve të familjes, GLP flet për rrezikun e “përgjegjësisë fisnore” (kolektive) në rastet kur, për shembull, njerëzit ndëshkohen për shkak të sjelljes së anëtarëve të familjes, të cilët nuk tregohen kooperativë.

SVP bën thirrje për masa të mëtejshme

SVP dhe Partia e Qendrës” (Mitte), nga ana tjetër, mirëpresin paketën e masave të Këshillit Federal. Sipas SVP-së, një pjesë e konsiderueshme e rritjes së kostos së asistencës sociale ka ndodhur për shkak të njerëzve me prejardhje migrimi. Për më tepër SVP bën thirrje për masa më largvajtëse, si kufizimi i bashkimit familjar.

Partia e Qendrës beson se është e drejtë që njerëzve nga vendet e treta, të cilëve u jepet leje qëndrimi afatshkurtër ose leja e rregullt e qëndrimit, t’u kërkohet të jenë në gjendje të mbajnë veten dhe që t’u jepet ndihmë më e ulët sociale, përcjell albinfo.ch. Megjithatë, kjo duhet të kufizohet vetëm në tre vjetët e para. FDP ka kërkuar shtyrje të afatit deri më 9 maj për të sjellë përgjigjen e saj në konsultim.

Sipas qeverisë federale, shpenzimet për kostot e mirëqenies sociale nga kantonet dhe komunat janë rritur për pothuajse 900 milionë CHF, duke arritur në 2.8 miliardë CHF, midis 2010 dhe 2019.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI