Lajme
PEN Qendra e Austrisë bën bashkë shkrimtarët nga Ballkani
Vjenë, 4 nëntor 2024: Nën moton ‘‘Letërsia si instrument politik’’, PEN Qendra e Austrisë ka nisur serinë e takimeve letrare, në të cilat në Vjenë do të prezantohen autorë nga rajoni i Ballkanit. Në premierën e këtij projekti mysafirë të ftuar ishin poeti i njohur kosovar, Fahredin Shehu, dhe eseisti dhe romansieri nga Beogradi, Vladimir Arsenijeviq.
Në një ambient të përshtatshëm për ngjarje të tilla kulturore dhe me pjesëmarrjen e shumë artdashësve austriakë, shqiptarë dhe të tjerë, që në fjalën e saj përshëndetëse, presidentja e PEN Qendrës së Austrisë, Dr. Marion Wisinger, nënvizoi rëndësinë e takimeve të tilla, të cilat synojnë që të mbështesin komunikimin dhe bashkëpunimin mes krijuesve.
Udhëheqësi i kësaj ore letrare, Anton Marku, i cili është anëtar i bordit të PEN Qendrës së Austrisë, mes të tjerave tha: ‘‘Në kohën kur nuk ka lajme edhe aq inkurajuese nga Serbia dhe Kosova, dy autorë nga këto shtete, përmes letërsisë, po përpiqen te ndërtojnë ura miqësie. Këtë herë Vjena po bashkon njerëzit në një mbrëmje letrare, në të cilën do të flitet për rolin e artit të të shkruarit në procesin e përballjes me të kaluarën dhe të pajtimit mes popujve’’.
Më pas tekste të autorëve të ftuar në gjuhën gjermane i lexoi aktori i teatrit vjenez Felix Kurmayer. Programi u përcoll edhe me tinguj muzikorë performuar nga grupi ‘‘Mickylee’’, pjesë e të cilit është edhe instrumentist dhe solisti Ilirian P. Ahmeti.
Publiku i pranishëm ishte kureshtar të mësojë më shumë lidhur me letërsinë e shkruar në rajonin e Ballkanit dhe përmes pyetjeve drejtuar mysafirëve tematizoi edhe kritikoi ndalimin që këtë vit iu bë nga ana e autoriteteve serbe festivalit ‘‘Mirdita – Dobar dan’’, i cili ka vite që promovon artistë nga të dyja shtetet. Më tej u fol për kualitetin e letërsisë dhe rolin e saj në shoqëri.
Ishte ky edhe një manifestim i suksesshëm i PEN Qendrës së Austrisë, që është pjesë e PEN-it ndërkombëtar, kësaj organizate mbarëbotërore të letërsisë, e cila në nivel global është prezent në mbi 130 shtete të botës.
Fahredin Shehu është shkrimtar dhe piktor. Ai ka përfunduar studimet për orientalistikë në Universitetin e Prishtinës dhe vepron si hulumtues i pavarur shkencor në fushën e trashëgimisë shpirtërore botërore. Shehu ka botuar mbi 20 libra, të cilët janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë si dhe ka marrë pjesë në shumë konkurse ndërkombëtare të poezisë, ku ka fituar disa çmime. Në vitin 2017 ka qenë i nominuar për çmimin Pulitzer. Ai është po ashtu edhe anëtar i PEN Qendrës së Kosovës dhe themelues i festivalit poetik ndërkombëtar me emrin ‘‘Poetry and Wine’’, i cili është zhvilluar në qytetin e tij të lindjes, në Rahovec, dhe ka pasur 7 edicione.
Vladimir Arsenijeviq është eseist, prozator, intelektual publik dhe kolumnist. Ai ka marrë shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër ta edhe çmimin NIN për romanin e tij të parë. Ka botuar 12 libra. Veprat e tij janë të përkthyera në mëse 20 gjuhë. Arsenijeviq shkruan edhe për film dhe teatër si dhe për gazetat ditore, revista dhe portale të ndryshme. Në këto shkrime ai kritikon nacionalizmin serb, sistemin politik aktual, raportet e tij me shtetet fqinje dhe rolin e shtetit të Serbisë në luftërat e ish-Jugosllavisë. Ai po ashtu është themelues i festivalit regjional ‘‘Krokodil’’.
E-Diaspora
-
Kurti në Cyrih: Mërgata nuk është rezervë emocionale, por forcë zhvillimi dhe shtyllë e shtetit Kurti sonte në Cyrih: “Nga ndjenja kombëtare te vetëdija shtetërore – diaspora si partner i Kosovës”... -
Gjykata Federale mbështet dënimin e shtetasit kosovar për tentativë vrasjeje -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025 -
Dega e LDK-së në Austri kandidon Besart Berishën për deputet të Parlamentit të Kosovës -
Suzanna Shkreli kandidon për Sekretare Shteti në Michigan
Jeta në Zvicër
-
Lindjet në kantonin zviceran bien në nivelin më të ulët rekord Numri i foshnjave të lindura në kantonin Jura, në veriperëndim të Zvicrës, ka qenë në rënie... -
Ulen kostot e shtetësisë zvicerane në Bazel dhe Bernë -
Zvicra planifikon të zgjerojë radarët e zhurmës në rrugë -
Aeroporti i Cyrihut do të heqë kufizimet për lëngjet në vitin 2026 -
A keni nevojë për një certifikatë mjekësore në ditën tuaj të parë të pushimit në Zvicër?



















