Lajme
Vota e diasporës vendos në Kosovë, por mungon në Zvicër
Mobilizimi i komunitetit shqiptar për pjesëmarrje në politikën lokale dhe në proceset demokratike të vendit ku jetojnë mbetet ende i kufizuar
Të dhënat tregojnë se diaspora kosovare në Zvicër vazhdon të ketë interes për proceset politike në Kosovë. Mijëra qytetarë u regjistruan dhe votuan në zgjedhjet parlamentare të fundit, duke dëshmuar se lidhja me vendin e origjinës mbetet e fortë edhe pas shumë vitesh jetese jashtë tij. Në disa procese zgjedhore në Kosovë, vota e diasporës madje ka qenë vendimtare, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar dhe në ndarjen e mandateve parlamentare.
Megjithatë, zgjedhjet lokale të mbajtura më 8 mars 2026 në disa kantone të Zvicrës treguan edhe një realitet tjetër: mobilizimi i komunitetit shqiptar për pjesëmarrje në politikën lokale dhe në proceset demokratike të vendit ku jetojnë mbetet ende i kufizuar.
Kjo nuk vlen vetëm për zgjedhjet lokale. Edhe në zgjedhjet nacionale të Zvicrës, si dhe në referendumet e shumta që mbahen gjatë vitit, vërehet një interes relativisht i ulët për të votuar nga një pjesë e komunitetit shqiptar. Kjo është edhe më e dukshme duke pasur parasysh se sot shumë prej tyre kanë fituar të drejtën e votës përmes shtetësisë zvicerane, ndërsa në disa kantone është mundësuar pjesëmarrja në zgjedhje edhe për banorët me lejeqëndrim të përhershëm.
Debati për pjesëmarrjen politike të komunitetit shpesh hapet vetëm kur ka zgjedhje në Zvicër dhe zakonisht përfundon sapo ato kalojnë. Ndërkohë, realiteti po ndryshon gradualisht. Sot në parlamentin federal në Bernë kemi dy deputetë me rrënjë shqiptare, Islam Alijaj dhe Arber Bullakaj. Po ashtu vazhdon përfshirja e politikanëve me prejardhje shqiptare në asambletë komunale dhe në qeveritë komunale në shumë qytete të Zvicrës.
Në Cyrih, për shembull, Përparim Avdili ishte kandidat për kryetar të qytetit, por nuk arriti të zgjidhet, përkundër një fushate sfiduese dhe të guximshme në një konkurrencë shumë të fortë politike.
Pjesëmarrja politike nuk duhet të shihet si një zgjedhje mes Kosovës dhe Zvicrës. Përkundrazi, të dyja janë të rëndësishme. Angazhimi në zgjedhjet në Kosovë tregon përgjegjësi ndaj vendit të origjinës, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhjet lokale dhe nacionale në Zvicër është mënyra më e drejtpërdrejtë për të ndikuar në vendimet që prekin jetën e përditshme të komunitetit këtu.
Një komunitet i fuqishëm politikisht është ai që merr pjesë aktivisht në të dyja hapësirat: duke ruajtur lidhjen me vendlindjen dhe duke u integruar plotësisht në shoqërinë ku jeton.
E-Diaspora
-
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani Nga 22 maji kanë hyrë në fuqi rregulla të reja për regjistrimin, ri-fitimin dhe natyralizimin e... -
Albin Kurti nesër në Zvicër, takim me mërgatën shqiptare në Cyrih -
LDK mban takim me bashkatdhetarë në Vjenë -
Koncerti Zvicerano-Kosovar bashkon diplomacinë, kulturën dhe miqësinë në SHBA -
Zvicër
Policia zvicerane arreston 67-vjeçarin nga Kosova si të dyshuar për tentim mashtrimi me telefon
Jeta në Zvicër
-
Dy gjyqtarët në lidhje dashurie mbeten në detyrë Ky vendim u mor nga kryetarët e trupës gjykuese të departamenteve përkatëse në Gjykatën Supreme Federale... -
Spitali Universitar i Cyrihut raporton në prokurori 10 vdekje të dyshimta -
Më pak njerëz punojnë në sektorin kulturor në Zvicër -
Marrëveshjet Zvicër-BE mund të jenë subjekt i shumicës së dyfishtë të popullit dhe kantoneve -
Gruaja zvicerane vdes pas një aksidenti me furgon shpërndarjeje pa shofer në Cyrih













