Të tjera
NE DHE BOTA DIGJITALE – Komunikimi në epokën e inteligjencës artificiale
Gjatë historisë njerëzore, mënyrat dhe regjistrat me të cilët komunikojmë kanë ndryshuar krah për krah me zhvillimet e teknologjisë, të cilat kanë shërbyer si mjete për ta bërë transmetimin e informacionit më të shpejtë dhe më efikas
Komunikimi, qoftë i shkruar apo i folur, është një nga tiparet themelore që na bën njerëzorë. Që nga kohët më të hershme, madje edhe përpara përdorimit të gjuhës së artikuluar kur njerëzit komunikonin përmes simboleve dhe vizatimeve, njeriu ka gjetur gjithmonë mënyra të ndryshme për të shprehur veten dhe për të krijuar lidhje emocionale, shoqërore, profesionale dhe romantike me të tjerët.
Komunikimi i mirëfilltë ndërton besim, mundëson arritjen e marrëveshjeve të suksesshme dhe ndihmon në zgjidhjen e konflikteve. Megjithatë, ai mund edhe t’i nxisë ato, siç po e dëshmojnë zhvillimet globale të kohëve të fundit. Komunikimi i dobët shkakton dëme katastrofale, duke thelluar përçarjet dhe duke përshkallëzuar kriza që prekin shoqëri të tëra. Ai mund të dëmtojë edhe marrëdhëniet më të mira ndërpersonale dhe, në raste ekstreme, të kontribuojë në shpërthimin e konflikteve të mëdha, madje edhe të luftërave. Pikërisht për shkak të këtij roli thelbësor, mënyrat se si njerëzit komunikojnë kanë qenë gjithmonë në zhvillim dhe në përshtatje të vazhdueshme.
Gjatë historisë njerëzore, mënyrat dhe regjistrat me të cilët komunikojmë kanë ndryshuar krah për krah me zhvillimet e teknologjisë, të cilat kanë shërbyer si mjete për ta bërë transmetimin e informacionit më të shpejtë dhe më efikas, sidomos në botën e biznesit.
Letrat ia lanë vendin postës elektronike, distanca u tkurr përmes thirrjeve me video, ndërsa informacioni filloi të qarkullonte me një ritëm që dikur do të dukej i paimagjinueshëm. Edhe vendi ku zhvillohej bashkëbisedimi ndryshoi: dikur ishin zyrat dhe gazetat e shtypura, ndërsa sot është bota virtuale. Tashmë kemi platforma si Microsoft Teams dhe rrjete sociale si Instagram Reels. Megjithatë, të paktën deri në nëntor 2022, kur u përballëm për herë të parë me ChatGPT, një element mbeti i pandryshuar: në themel të çdo mesazhi qëndronte njeriu, si krijuesi dhe bartësi i informacionit. [1]
Sot, ky themel po lëkundet.
Me zhvillimet e fundit dhe me shfaqjen e inteligjencës artificiale, komunikimi nuk është më vetëm një akt njerëzor. Mjete si ChatGPT dhe Claude nuk janë më thjesht transmetuese të informacioneve, por janë në gjendje t’i gjenerojnë ato. Kjo është një dukuri tërësisht e re në historinë e komunikimit. Një email, një raport apo një analizë, si dhe tekste të tjera me përmbajtje rutinore, mund të krijohen brenda pak çastesh, pa kaluar domosdoshmërisht nëpër procesin tradicional të mendimit dhe përvojës njerëzore, siç ndodhte më parë. Ndërkohë që njeriu ul gotën e kafesë dhe fillon të mendojë se si ta titullojë nje raport zyrtar, LLM-të (Large Language Models/ Modele të Mëdha Gjuhësore) kanë shkruar tashmë të gjithë dokumentin njëzet faqësh, madje kanë ofruar edhe rekomandime të hollësishme për ta thelluar e zgjeruar temën më tej.
Atëherë, nëse inteligjenca artificiale është në gjendje të gjenerojë informacione dhe të prodhojë tekste, çfarë mbetet për njeriun?
Në një botë ku shumë procese po automatizohen, edhe komunikimi njerëzor po kalon një transformim të thellë. Shprehja ‘e gjeneruar nga AI’ është bërë tashmë pjesë e zakonshme e diskursit, si në shkolla, ashtu edhe në media, në vendin e punës dhe në bisedat e përditshme mes miqve. Megjithatë, përballë një etiketimi të tillë, krijohet pothuajse automatikisht një distancë dhe njëfarë mosbesimi ndaj informacionit që vjen nga një burim i tillë. Instinktivisht, vërehet se diçka mungon në këtë lloj komunikimi.
Pavarësisht kësaj, përdorimi i aplikacioneve dhe bashkëpunimi me inteligjencën artificiale po bëhen gjithnjë e më të përhapura, duke u integruar pothuajse në çdo aspekt të jetës së përditshme.
Inteligjenca artificiale po merr përsipër një pjesë të madhe të detyrave rutinë të shkrimit, dhe po e bën këtë në mënyrë efektive, duke u lënë hapësirë aftësive njerëzore të përqendrohen më pak te krijimi i tekstit dhe më shumë te interpretimi, evaluimi, selektimi dhe përdorimi strategjik i informacionit. Sot, sfida nuk lidhet më me mungesën e informacionit, por me teprinë e tij, të përforcuar nga ritmi i shpejtë me të cilin operojnë inteligjenca artificiale dhe chatbot-et.
Kjo dukuri është trajtuar jashtëzakonisht mirë nga historiani Yuval Noah Harari në librin e tij të fundit “Nexus”. Ai shprehet se historia e njerëzimit mund të kuptohet si një evolucion i rrjeteve të informacionit, përmes të cilave njerëzit bashkëpunojnë, ndërtojnë institucione dhe krijojnë kuptime të përbashkëta. Në këtë kuptim, komunikimi nuk është thjesht një mjet për të shkëmbyer informacione, por një mekanizëm themelor që formëson realitetin shoqëror. Megjithatë, Harari argumenton se prodhimi i një sasie të madhe informacioni nuk çon automatikisht drejt së vërtetës. Shpesh ndodh e kundërta: sa më shumë informacion, aq më shumë konfuzion, mosbesim dhe hapësirë për manipulime. [2]
Pikërisht në këtë tepricë informacionesh, aftësitë për t’i kuptuar, interpretuar dhe vlerësuar ato bëhen thelbësore. Kjo rrit rëndësinë dhe kërkesën për aftësitë njerëzore, të ashtuquajturat ‘soft skills’.
Një sistem mund të formulojë një mesazh, por nuk mund të krijojë një marrëdhënie ku ndërtohet besim i ndërsjellë ashtu siç ndërtojnë dy njerëz që kanë një histori të përbashkët, të bazuar në konsistencë dhe transparencë. Inteligjenca artificiale nuk mund të ndiejë tensionin e një bisede në botën e biznesit apo të politikës, as të lexojë atë që fshihet pas fjalëve dhe në mes të rreshtave. Pikërisht këtu qëndron thelbi i komunikimit njerëzor: aftësia për t‘i kuptuar ato gjëra që nuk artikulohen në mënyrë eksplicite. Siç e shprehte Peter Drucker, gjëja më e rëndësishme në komunikim është t‘i dëgjojmë edhe ato që nuk janë thënë. Kjo lloj zotësie, së paku deri tani, mbetet jashtë mundësive të inteligjencës artificiale.
Këtu qëndron edhe dallimi.
Lidershipi, mendimi kritik dhe vendimmarrja strategjike, së bashku me aftësinë për të dëgjuar me vëmendje, për të kuptuar kontekstin, për të lexuar atë që fshihet pas fjalëve, për të ndërtuar besim me bashkëbiseduesin apo lexuesin dhe për të folur me sinqeritet, janë aftësi që e bëjnë të mundur një komunikim që mbetet, pavarësisht gjithçkaje, thelbësisht njerëzor. [3] [4]
Ndërkohë, edhe tregu i punës po e pasqyron gjithnjë e më qartë këtë transformim. Kërkesa për shkathtësi unike njerëzore po rritet në të njëjtin hap me zgjerimin e përdorimit të inteligjencës artificiale. Siç duket, dhe siç raportohet nga kompani si McKinsey & Company, e ardhmja e komunikimit nuk do të jetë as tërësisht njerëzore, as tërësisht artificiale. [5]
Pra ky ndryshim në mënyrën se si komunikojmë nuk kërkon shmangie të inteligjencës artificiale, por një bashkëveprim me të, sidomos në mjedise profesionale. Kërkon përdorimin e saj me vetëdije, drejtimin e saj me qëllim dhe, mbi të gjitha, aftësinë për të mos u humbur brenda saj, për të dalluar çfarë vlen të thuhet dhe si duhet thënë. World Economic Forum, e mbështet këtë pikëpamje, duke theksuar se e ardhmja i përket një “augmented workforce” (fuqi punëtore e zgjeruar dhe e përforcuar nga teknologjia), ku teknologjia nuk e zëvendëson njeriun, por e fuqizon atë, duke rritur aftësitë, produktivitetin dhe ndikimin e tij. [6]
[1] McKinsey & Company, Sixty Years of Innovation in Business Technology. https://www.mckinsey.com/capabilities/tech-and-ai/our-insights/sixty-years-of-innovation-key-moments-in-business-technology
[2] Yuval Noah Harari, Nexus, 2024.
[3] Harvard Business Review, Why Soft Skills Still Matter in the Age of AI.
https://www.library.hbs.edu/working-knowledge/why-soft-skills-still-matter-in-the-age-of-ai
[4] LinkedIn, Skills on the Rise 2026.
https://news.linkedin.com/2026/Skills-on-the-rise-2026
[5] McKinsey Global Institute, The Future of Work: Agents, Robots, and Us. https://www.mckinsey.com/mgi/our-research/agents-robots-and-us-skill-partnerships-in-the-age-of-ai
[6] World Economic Forum, Augmented Workforce (2022).
https://www3.weforum.org/docs/WEF_Augmented_Workforce_2022.pdf
E-Diaspora
-
Nga Shkodra në garën për Miss Belgium 2027, Griselda Stragu synon të shkëlqejë në skenën ndërkombëtare E reja me origjinë shqiptare është zyrtarisht kandidate në konkursin prestigjioz të bukurisë në Belgjikë, duke... -
Arbenita Sopaj publikon librin e saj shkencor, kurorëzon një tjetër sukses akademik -
Gjermani
I riu nga Kosova, Adrian Simnica, mban fjalim në Bundestagun Gjerman -
Fatlume Bunjaku bëhet anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit -
Numërimi i votave të para nga diaspora ia shton një ulëse VV-së
Jeta në Zvicër
-
Edhe 10 vjet ndalesë për “Hamas”-in në Zvicër Periudha e vlefshmërisë së ndalimit të Hamasit në Zvicër, e cila ka qenë në fuqi prej... -
Qeveria zvicerane lançon një platformë digjitale raportimi për sëmundjet -
Taksitë autonome të Postës Zvicerane do të transportojnë pasagjerë nga viti 2027 -
Këshilli Federal dëshiron të imponojë gjuhën e dytë kombëtare në shkollat fillore -
Swissaid ndihmoi 300,000 njerëz në mbarë botën në vitin 2025













