Kosova

Për herë të parë në Kosovë miratohet paga e 13-të për sektorin publik

Në shtetin e Kosovës parashihet pagesë shtesë për të gjithë punonjësit publikë, ndërsa përfshin edhe ata që nuk kanë punuar 12 muaj të plotë dhe gratë në pushim lehonie.

Qytetarët e Kosovës e kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë, që për herë të parë në vend parashikon dhënien e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik, në një periudhë kur ata përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe kostos së jetesës, transmeton albinfo.ch.

Vendimi është marrë nga ekzekutivi i udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me synimin që të shpërblehet kontributi i punonjësve të administratës publike dhe të krijohet një standard i ri për trajtimin financiar të tyre.

Ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati, sqaroi se paga e 13-të nuk do të përfitohet vetëm nga punonjësit që kanë qenë të angazhuar gjatë gjithë vitit, por edhe nga ata që kanë punuar më pak se 12 muaj, të cilët do ta marrin pagesën shtesë në mënyrë proporcionale me kohëzgjatjen e punësimit.

Një element tjetër i rëndësishëm, sipas Muratit, është se gratë në pushim lehonie do të trajtohen si të punësuara me orar të plotë gjatë kësaj periudhe, duke përfituar pagën e 13-të të plotë, pa u penalizuar për mungesën nga puna.

Murati theksoi se kjo masë synon të vendosë një praktikë të re në sektorin publik dhe se paga e 13-të ka qenë një nga premtimet kryesore të Kurtit gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa tashmë është paraparë edhe në buxhetin për vitin 2026.

Megjithatë, zbatimi i këtij vendimi do të varet nga respektimi i rregullave fiskale, konkretisht nga moskalimi i kufirit të deficitit buxhetor prej 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Rritet edhe paga minimale

Paralelisht me këtë vendim, Qeveria ka miratuar edhe rritjen e pagës minimale në dy faza, e cila pritet të arrijë në 500 euro deri në korrik të vitit 2026.

Aktualisht paga minimale është 350 euro, ndërsa do të rritet fillimisht në 425 euro në janar 2026, dhe më pas në 500 euro në korrik 2026, për të gjithë punonjësit me orar të plotë.

Sipas Muratit, kjo rritje pritet të ndikojë drejtpërdrejt rreth 150 mijë të punësuar në sektorin privat, ndërsa është marrë pas analizave mbi ndikimin ekonomik dhe mundësitë e tregut.

Paga minimale ndër vite

Përpara ndryshimeve ligjore të vitit 2023, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata deri në 65 vjeç. Më pas ajo u rrit në 350 euro gjatë vitit 2024, duke mbetur ende ndër më të ulëtat në Europë, krahasuar me vende si Luksemburgu ku paga minimale kalon 2,500 euro.

Vendimi për pagën e 13-të konsiderohet si një hap i rëndësishëm në sektorin publik dhe një zhvillim që për herë të parë po vendoset si praktikë në Kosovë./Albinfo.ch