Zgjedhjet parlamentare në Zvicër 2023

Për një deputet shqiptar në Parlamentin e Zvicrës  

Ajo që duhet të bëjmë është: të votojmë në mënyrë masive dhe duke zgjedhur politikanët e duhur, të lëmë një shenjë në kohën dhe vendin ku po jetojmë 

Është një konstatim mjaft i konsumuar tashmë dhe që përsëritet para çdo procesi zgjedhor në Zvicër: shqiptarët duhet të kenë një ose më shumë përfaqësues në legjislativin e vendit, gjegjësisht në Parlamentin e Zvicrës. Por, përtej retorikës dhe euforisë parazgjedhore, bazuar në shkallën e integrimit të shqiptarëve në shoqërinë zvicerane, dalja e një deputeti federal nga ky komunitet duhet të ishte rezultat fare normal dhe i pritshëm, madje prej disa vitesh. Kjo mund të thuhet në rrethanat kur prania shqiptare është tashmë realitet i prekshëm jo vetëm në të gjitha sferat e jetës, por edhe (pothuaj) në të gjitha nivelet. Përveç, u mor vesh, në rrafshin legjislativ dhe ekzekutiv federal. Në të cilin, pra, pritet të ndodhë ndryshimi. 

22 tetori 2023 është data që mund të hyjë në historinë e shqiptarëve të Zvicrës. Janë afër tridhjetë kandidatë me rrënjë shqiptare që i kanë hyrë garës zgjedhore që pritet të sjellë njërin/njërën prej tyre në Pallatin Federal, në Bernë. Se sa realiste është kjo pritje, do të tregohet pasditen e të dielës së 22 tetorit. Edhe në zgjedhjet e mëparshme të këtij niveli, shpresat për përfaqësim në nivelin nacional kanë qenë të mëdha. Numri i kandidatëve ka qenë madje edhe më i madh se në zgjedhjet aktuale. Por, megjithatë, bazuar në pjekurinë që vjen natyrshëm me kalimin e kohës, gjegjësisht me rritjen e shkallës së integrimit tonë në shoqërinë zvicerane, dhe duke parë praninë më të madhe të këtyre kandidatëve në mediat zvicerane, shpresat kësaj radhe kanë mbështetje më të madhe në realitet.   

albinfo.ch, duke ndjekur misionin e platformës sonë për mbështetjen e integrimit të shqiptarëve në Zvicër, ka bërë edhe në këtë numër, atë që i takon: prezantimin e kandidatëve shqiptarë për zgjedhjet parlamentare të 22 tetorit. Përveç prezantimit telegrafik të të gjithë atyre, për kandidimin e të cilëve kishim informacion, redaksia jonë ka realizuar edhe intervista me disa nga kandidatët. Me disa të tjerë, intervistat me të njëjtën temë janë publikuar në numrat pararendës të revistës.   

Kur jemi te kandidatët, duhet të themi se ata kësaj radhe vijnë nga të gjitha partitë parlamentare të Zvicrës, pra janë të shpërndarë në gjithë spektrin politik, nga e majta, në të djathtë. Kështu, do të ketë kandidatë shqiptarë për të gjitha “shijet” e elektoratit dhe nuk do të ketë vend justifikimi se nuk pati kandidatë të iks partisë së preferuar. Ajo që mbetet është: të dalim në zgjedhje, të votojmë dhe duke zgjedhur politikanët e duhur, të lëmë një shenjë të dalluar në kohën dhe vendin ku po jetojmë.  

Përveç zgjedhjeve të 22 tetorit që janë në fokus, ky numër i revistës ofron edhe materiale të tjera të pasura nga sfera të ndryshme të jetës si dhe rubrikat e veta standarde.   

 (Editorial i botuar në numrin e ri të revistës. Autori është redaktor përgjegjës i Albinfo.ch)