Kosova

Petritsch: Kosova është pranë kolapsit

Kosova është pranë dështimit dhe shumë e ndarë. Kështu vlerëson diplomati austriak, Wolfgang Petritsch.

Ai, në një intervistë për Deutsche Welle, ka bërë një analizë të situatës në Ballkan dhe, mes tjerash, ka folur edhe për atë se si e sheh gjendjen aktuale në Kosovë. “Kosova është thellësisht e ndarë. Është një shtet i dobët pranë kolapsit, krahasuar me Serbinë, që është zhvilluar fuqishëm ekonomikisht, por edhe në fusha të tjera”, ka thënë ai.

Politikani austriak ka folur edhe për pajtimin final mes Kosovës e Serbisë. Ai thotë se Bashkimi Evropian tani ka një rast historik për të ecur përpara në këtë drejtim, për shkak të rrethanave aktuale.

Petritsch, në vitet 1997-99 kishte shërbyer si ambasador i Austrisë në Beograd dhe si i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën, ku në këtë cilësi kishte vepruar edhe si kryenegociator i BE-së në bisedimet e paqes në Rambuje, përcjell albinfo.ch.