Tematike

Pikëpyetje pas vdekjes mbi timon të Zendel Aliut

Behluli: "Te ne ai ka qenë i angazhuar për një vozitje provuese, deri në Cyrih, ku pastaj autobusin do ta merrte një shofer yni i rregullt"

Rasti i vdekjes nga infarkti të një shoferi mbi timon, derisa ishte duke ngarë autobusin, ka bërë jehonë të madhe në mediet zvicerane. Personi i ndjerë është shqiptari nga Maqedonia, Zendel Aliu, 53 vjeç.

Siç kemi shkruar edhe në portalin tonë, në autobusin në fjalë ndodheshin 11 persona, tifozë të Juventusit që ishin nisur për në Milano, për të shikuar një ndeshje futbolli. Udhëtarët dhe autobusi shpëtuan pa asnjë dëmtim, falë ndërhyrjes së shpejtë të njërit nga udhëtarët, i cili e mori timonin në dorë dhe i shpëtoi të gjithë nga më e keqja.

Por, pas bërjes publik të rastit, mediet, duke hulumtuar, kanë arritur në konstatimin se ngasësi fatkeq i autobusit po punonte në të zezë. Ato kanë konstatuar se Zendel Aliu ishte i punësuar me normë 100 për qind në një firmë tjetër si shofer kamionësh. Ndërsa, pronari i firmës Durmo Tours, Ismail Behluli, autobusin e të cilit e ngiste i ndjeri, citohet nga gazetat të ketë thënë se nuk është e vërtetë se ai ka punuar në të zezë.

Ai ka qenë vetëm në një vozitje të shkurtë provuese, sipas tij.

I kontaktuar nga albinfo.ch, Ismail Behluli mohon që Z. Aliu të ketë punuar pa letra. “Janë spekulime. Ai nuk ka qenë në të zezë. Zendeli ka punuar në mënyrë të rregullt në Zvicër prej 30 vitesh. Te rasti i firmës sonë ai ka qenë i angazhuar vetëm për një vozitje provuese, për herë të parë, sa për tu njohur me punën, me makinën dhe me udhëtarët. Ai ka pasur të transportojë udhëtarët vetëm deri në Cyrih, ku pastaj autobusin do ta merrte një nga shoferët tanë të rregullt”, thekson Behluli.

Ai shpreh keqardhjen e tij të thellë për vdekjen e Zendelit. Por nënvizon se vdekja ka qenë e natyrshme dhe është diçka që mund t`i ndodhë në çdo moment secilit. Po kështu pronari i autobusit thotë se është ndjerë keq kur disa medie kanë raportuar sikur autobusi të jetë shkatërruar, djegur etj. “Autiobusi është në gjendje të rregullt”, thotë ai.

Ndërkaq lidhur me përgjegjësinë eventuale të tij si pronar i firmës, Ismail Behluli thotë për albinfo.ch se nuk ndiqet nga policia dhe as nga ndonjë instancë tjetër. Por, thekson ai: “Unë nuk i ik përgjegjësisë. Të gjithë i nënshtrohemi rregullave dhe ligjeve që vlejnë në Zvicër. Nëse organet vlerësojnë se kam përgjegjësi, unë jam këtu dhe i gatshëm të përgjigjem. Ne punën e kemi bërë në mënyrë korrekte por vdekja, fatkeqësisht nuk ndalet”, shprehet Behluli.

I pyetur nëse statusi i paqartë i angazhimit të të ndjerit në firmën e tij mund të ketë pasoja në sigurimin që në raste të aksidenteve me pasoja tragjike u takon familjarëve të mbetur, bashkëbiseduesi ynë është i prerë: “Z. Aliu ka qenë i punësuar në mënyrë të rregullt në një ndërmarrje tjetër dhe rrjedhimisht ka pasur edhe sigurimin përkatës”.

Ndërkohë, siç shkruajnë gazetat dhe portalet e ndryshme zvicerane, as policia dhe as pronari i ndërmarrjes ku i ndjeri punonte 100 për qind, nuk do të iniciojnë procedura penale ndaj pronarit të Durmo Tours. Por ky i fundit, është shprehur se është evidente që punëtori i tij tashmë i ndjerë, në firmën tjetër ka punuar në të zezën.

Pas jehonës së rastit tragjik, gazeta “Blick” ka vizituar familjen e shoferit të ndjerë që jeton në Kreuzlingen (TG) dhe ka bartur versionin e bashkëshortes dhe fëmijëve të tij lidhur me tragjedinë. Sipas të vesë së tij, nevoja për të fituar pak më shumë e ka shtyrë Zendelin të merrte këtë rrugë në një ditë pushimi.

“Unë e luta të mos shkonte. Për 200 franga nuk ia vlen”, thotë Senka 43 vjeçe. Por ai nuk e ka dëgjuar. Sipas saj, ai ishte ankuar javëve të fundit për therje në zemër, por e kishte neglizhuar këtë gjë. Ai ishte punëtor i madh dhe dëshironte të fitonte pak më shumë, për të mbajtur familjen.

Edhe fëmijët e të ndjerit thonë se babai i tyre ka punuar shumë dhe puna e tepërt i ka sjellë vdekjen.

Zendeli Aliu ka lënë gruan Senka, 4 vajza nga 19 deri në 30 vjet, djemtë: Benjaminin, 19 vjeç, Gazmendin 17, Tahirin 13 dhe Belminin 5 vjeç dhe 4 vajza.