Futboll

Politikani Wermuth mbron Xhakën nga sulmet e komentatorit Ruefer

“Graniti është shumëçka, por jo edhe zviceran”, ka thënë Ruefer. Ndërsa Wermuth thotë: “Emri Granit tani është një emër normal zviceran, si Markus apo Andrea”

Komentatori i njohur i futbollit në SRF, Sascha Ruefer, thuhet të ketë deklaruar në një emision televiziv se kapiteni i kombëtares, Granit Xhaka “nuk ishte zviceran”, transmeton albinfo.ch lajmin që sot është publikuar dhe komentuar me të madhe në shumë media zvicerane.

Kjo thënie është fshirë ndërkohë, me kërkesën e tij. Duke i dalë në mbrojtje Xhakës, bashkëkryetari i PS-së, miku i njohur i shqiptarëve, Cédric Wermuth, thotë se debate të tilla janë të dëmshme për shumë njerëz.

Fjalia “Graniti është shumëçka, por jo edhe zviceran” që Rueffer e kishte thënë në serinë e emisioneve për Nati-n “The Pressure of Game” nuk u transmetua kurrë.

Gazeta javore “WOZ” i ka bërë publikë këta rreshta me përmbajtje “shpërthyese”  të enjten, ndërsa SRF nuk i ka mohuar ato. Kjo thënie ka shkaktuar tashmë debate të urrejtjes deri në Pallatin Federal. Bashkëpresidenti i PS-së (Partia Socialdemokrate) Cédric Wermuth  thotë për 20 minuten: “Për të ardhmen, i bëj thirrje Sascha Ruefer dhe të gjithëve që më në fund të varrosin këtë debat”.

Për politikanin e njohur Wermuth është e qartë: “Skuadra e sotme e futbollit është një simbol që tregon se sa e vërtetë është Zvicra, transmeton albinfo.ch. Ai pasqyron vendin tonë shumë më mirë sesa, për shembull, Parlamenti”. Biografia e Granit Xhakës është “po aq zvicerane sa ajo e Erwin Müller nga Emmental”.

Wermuth: “Emri Granit është sot një emër normal zviceran”

Ai po lufton që ky reealitet më në fund të njihet në gjithë Zvicrën. Por ne nuk mund t’u kërkojmë njerëzve si Granit Xhaka të heqin dorë nga identiteti i tyre. Në lidhje me njerëzit nga Ballkani Perëndimor, Wermuth thekson arritjet integruese të shoqërisë zvicerane.

“Kur isha i ri, në këndin e lojërave ka pasur gjithmonë përleshje mes shqiptarëve, serbëve dhe zviceranëve”, thotë kryetari 37-vjeçar i partisë, përcjell albinfo.ch. Tani vendi ka ecur më tej. “Emri Granit tani është një emër normal zviceran, si Markus apo Andrea”.

Fakti që çështja e “zviceranëve të vërtetë” ngrihet në vazhdimësi është shumë lëndues për shumë njerëz. “Uroj që edhe komentuesi i kombëtares së Zvicrës të jetë i vetëdijshëm për këtë”, tha Wermuth, i cili është edhe kryetar i grupit parlamentar Zvicër-Kosovë.

Kur jemi te Ruefer, duhet theksuar se rasti i përmendur me Xhakën nuk ka qenë i vetmuar. Ai ka pasur në vazhdimësi deklarime të ngjashme, të paktën “të pamatura” edhe në raste të tjera, te adresuara ndaj lojtarëve shqiptarë të Nati-t.

Edhe politikani i SVP-së mbron Xhakën, me pak dilema

Edhe deputeti nacional Lars Guggisberg, kapiteni i FC Nationalrat, e sheh atë në mënyrë të ngjashme. “Ne të gjithë brohorasim kur Nati fiton. Nga këndvështrimi im, të gjithë lojtarët me fanella të kuqe janë zviceranë. Ata “lënë kockat e tyre për vendin e tyre dhe bëjnë më të mirën”, është shprehur ai.

Megjithatë ai e sheh ndryshe çështjen rreth Rueferit dhe Xhakës. “Të dyja palët veprojnë në mënyrë të pashije. Më duken të bezdisshme disa incidente rreth Granit Xhakës, si gjesti në ndeshjen kundër Serbisë”.

Kjo është arsyeja pse ai ka “njëfarë kuptimi për kritikat e bëra nga Sascha Ruefer”. Por Guggisberg e bën të qartë: “Nëse Ruefer vërtet ka thënë se Xhaka nuk është zviceran, kjo është e pakuptimtë dhe çon në polemika të panevojshme”, transmeton albinfo.ch. Motoja duhet të jetë: “Mbaje topin për toke”.

I lindur në Bazel, Xhaka shihet si lider i padiskutueshëm në kombëtare dhe respektohet nga bashkëlojtarët. Arritjet e tij për Zvicrën në fakt flasin gjithashtu një gjuhë të qartë: që nga viti 2008 dhe pjesëmarrja në ekipet U-17 të Zvicrës, Xhaka mban këto trofe: Kampion i Botës U-17 2009, U-21 Vice Kampion i Evropës 2011, Futbollisti Zviceran i Vitit 2017 dhe 2022, me 113 ndeshje ndërkombëtare ai është ylli ende aktiv i kombëtares me më së shumti paraqitje për Zvicrën.

Madje, nëse do ta mbajë shëndeti këtë vit, ai do të jetë rekordmen absolut në Zvicër në vitin 2023, transmeton albinfo.ch. Aktualisht vetëm Heinz Hermann është para Granit Xhakës, me 118 paraqitje kombëtare.
I pyetur për këtë para ndeshjes kualifikuese të Kampionatit Evropian kundër Izraelit, 30-vjeçari tha: “Do të më mbushte (fitorja) me shumë krenari – veçanërisht për njerëzit që thonë se nuk jam krenar që luaj për Zvicrën”.