Literaturë

Pranvera e Poezisë 2023 vë në pah veprën e Ndriçim Ademajt

Në këtë fill të stinës letrare, Pranvera e Poezisë 2023 u shënua nga një takim i veçantë, organizuar nga shoqata Tulalu?! dhe Qendra e përkthimit letrar e Lozanës (CTL). Ky takim u bë shkas për përpushjen e honeve poetike të veprës së Ndriçim Ademajt, në një mbrëmje mbërthyese, organizuar në hapësirat me nam të Qarkut letrar të Lozanës. Mbrëmja iu kushtua përmbledhjes me poezi të titulluar Këngë nga Rruga e Farkëtarëve/Chants de la Rue des Forgerons, përkthyer nga shqipja në frëngjisht nga Festa Molliqaj, botuar në format dygjuhësh nga Éditions d’en bas në vitin 2022.

Poezitë e kësaj përmbledhjeje endin lexuesin nëpër rrugët e Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke shpalosur nuanca të ndryshme të dashurisë, mallit dhe përkatësisë përmes prizmit të jetës urbane. Vargjet a autorit, fërkeme të një poezie sade dhe të drejtpërdrejtë, me nota lirizmi dhe ndjeshmërie, prekin thelbin e ekzistencës njerëzore, shprushin ato çaste që lumnojnë et godasin herë pas here, pandrojtshëm.

Përkthimi letrar si akt dialogu dhe takimi mes gjuhëve dhe kulturave: shembulli i Ndriçim Ademajt dhe Festa Molliqajt

Gjatë mbrëmjes, të pranishmit patën rastin të njihen me prapaskenat e përkthimit të veprës së Ndriçim Ademajt nga shqipja në frëngjisht. Festa Molliqaj bashkë me autorin kanë ndarë përvojat e tyre, mëdyshjet para zgjedhjeve të fjalëve të caktuara dhe vështirësitë që kanë hasur për të përcjellë thelbin e secilës poezi. Ata kanë kujtuar sfidat por edhe kënaqësinë që u ka dhënë krejt ky proces i përkthimit, i cili ngre pyetje thelbësore filozofike dhe gjuhësore. Ç’është gjuha? Çfarë melodie ka? Cilat janë pamundësitë e përkthimit? Si të ruhet zëri poetik i autorit duke mos u cenuar virtytet dhe veçoritë e njërës gjuhë dhe tjetrës? Këto pyetje thelbësore u trajtuan me shumë zell dhe erudicion gjithë mbrëmjen e lume.

Një ndër magjitë e përkthimit letrar është vënja në pah e kompleksitetit të gjuhës dhe kulturës së prejardhjes, si dhe mënyrave të nduarndurshme të të shprehurit. Biseda mes autorit dhe përkthyeses na kujtoi se përkthimi letrar është një akt dialogu dhe takimi mes gjuhëve dhe kulturave. Është një akt që çel dritare të reja drejt botës. Ky dialog na solli në mendje çështjet e ngritura nga Umberto Eco në veprën e tij Dire presque la même chose (Të thuash thuajse të njëjtën gjë, shën. përkth.), një libër ky që ka për qëllim “të provojë të kuptojë sesi, duke e ditur që kurrë nuk e themi dy herë të njëjtën gjë, mund të themi thuajse të njëjtën gjë.” Kunji qëndron mu në këtë fjalë, “thuajse”. Si të përkthehet duke i ndenjur në besë të gjitha nënkuptimeve të një fjale, ritmit dhe melodisë të një shprehjeje apo ndërtimit të një vargu.

Një kredhje në poezinë e autorit kosovar

Kjo biseda e udhëhequr nga Valmir Rexhepi dha mundësi për t’u njohur më nga afër me kthinat e veprës së Ndriçim Ademajt, shkrimtar kosovar, i cilësuar si një ndër përfaqësuesit e brezit të ri të shkrimtarëve në vendin e tij. Ani pse veç 30 vjeçar, ai ka të botuar tashmë tri përmbledhje me poezi dhe një roman, ka marrë Çmimin e Frankofonisë në konkursin ndërkombëtar të poezisë nga Universiteti i Sorbonës në Paris në 2022. Kjo përmbledhje me poezi e përkthyer në frëngjisht nga Festa Molliqaj ka marrë Mirënjohjen e veçantë për përkthim nga PEN Klubi francez në 2023.

Stili i shkrimit i Ademajt dallohet për nga aftësia e tij për të endur peizazhe distopike dhe poetike, si dhe nga vrazhdësia e hijeshia e tij paepur. Ai nuk ngurron të përdorë një gjuhë therëse për të prishur rehatinë shoqërore e morale, por ka gjithashtu një zell të zjarrtë për të përjetësuar magjinë e çastshme. Proza e tij, e rallë për nga mprehtësia e saj, shpërfaq jetën me të gjitha dritëhijet e kundërthëniet e saj, duke kërkuar hijeshinë dhe vuajtjen e ekzistencës. Ndriçim Ademaj është një shkrimtar që provokues, i cili prek tema thumbuese në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe poetike. Pikturat e tij të jetës së përditshme i falen dritës që i sjell ato në jetë apo që mund edhe t’i ngufatë. Edhe pse të zymta, shkrimet e tij lënë çdoherë vend për shpërthime të së bukurës apo edhe të trishtimit që e mbërthejnë lexuesin. Akëcili takim, secili harrim, çdo kujtim a trandje çohet deri në pikën më të lartë të dëlirjes, nga fati i tyre për t’u zhdukur. Tek e mbrama, pena e Ndriçim Ademajt është një grishje për të vështruar e t’u përsiatur mbi vetë jetën dhe mbi vetë rrëfimin tonë karshi botës.

Mbrëmja e organizuar nga Tulalu?! dhe nga Qendra e përkthimit letrar e Lozanës (CTL) u bë kështu shkas që publiku zviceran të mund të zbulojë zërin e veçantë e të fuqishëm të Ndriçim Ademajt, si dhe vështirësitë komplekse të përkthimit letrar për të cilat foli edhe Festa Molliqaj. Ç’është e vërteta, bashkëbisedimi mes autorit dhe përkthyeses së talentuar mundësoi që të vihen në pah sfidat me të cilat ballafaqohen përkthyesit letrarë, të cilët mundohen të gjejnë një baraspeshë delikate mes besnikërisë ndaj tekstit origjinal dhe krijimit të një vepre të re, që ajo të mund të prekë një publik të ndryshëm.

Me dy fjalë, kjo mbrëmje në kuadër të Pranverës së Poezisë 2023 ishte një çast prekës për dashamirësit e poezisë e letërsisë në përgjithësi, i cili u ofroi atyre një kredhje mbresëlënëse në rrokullinë poetike të Ndriçim Ademajt si dhe një përsiatje rreth përkthimit letrar si akt dialogu e takimi mes kulturash. Asociacioni Tulalu?! dhe Qendra e përkthimit letrar e Lozanës (CTL) janë për çdo lavd për zgjedhjen e mençur që të vënë në pah një autor në ngritje dhe të talentuar, si dhe për përpjekjen e tyre në afirmimin e poezisë dhe letërsisë në përgjithësi.

Në qytetin tim

Nëpër qytetin tim derdhet një lumë
që herë-herë ndahet në dysh

mbi të kërruset nje urë e ngushtë
ku s’mund të kalojnë njëherësh
dy të penduar si unë e ti

nën urë ndihen herë-herë
ofshama njerëzish që tradhtojnë disa të tjerë

kujtohu moj, kur të t’shteren sytë
në këtë qytet, çdo ikje kthehet dyfish

Dans ma ville

Dans ma ville coule un fleuve
qui parfois se sépare en deux

par-dessus s’incline un pont étroit
où deux repentis comme toi et moi
ne peuvent pas passer côte à côte,

en dessous, on entend parfois
les gémissements d’amants qui en trahissent d’autres

souviens-toi, quand tes yeux auront tari
dans cette ville, chaque départ compte deux fois