Tematike

Prindërit donin të bënin synet vajzën 11 vjeçe

Njëri nga prindërit kishte pyetur një mjeke myslimane në një spital zviceran nëse ajo, si mjeke bënte edhe synetinë e femrave

Një vajzë 11 vjeçe, me njerkun irakian dhe nënën zvicerane të konvertuar në fenë myslimane, mund të bëhej viktimë e synetit për femra, një ndërhyrjeje rreptësisht të ndaluar kirurgjike. Fajtorë për këtë do të ishin prindërit e saj.

Më 13 korrik 2007 njëri nga prindërit kishin pyetur një mjeke me përkatësi fetare islame në një spital zviceran nëse ajo, si mjeke bënte edhe synetinë e femrave. Pasi që kjo kundërshton në mënyrë të vendosur, nëna i thotë se ajo po kërkonte dikë që do t`ia bënte këtë ndërhyrje vajzës së saj. Mjekja sërish kishte refuzuar, shkruan 20 minuten.

Pak ditë më vonë, në bazë të kësaj telefonate, në shtëpinë e konvertites vijnë policët, dhe pasi i marrin në pyetje të dy prindërit, vajzën e tyre për ta mbrojtur nga rreziku, e strehojnë për gjashtë muaj në një familje kujdestare. Që nga ajo kohë, Fatma duhet të kontrollohet për çdo gjashtë muaj te gjinekologu, për të vërtetuar se gjenitalet e saj janë të padëmtuara.

Në vitin 2010 prindërit qenë dënuar me një dënim me kusht me të holla dhe me një gjobë prej 200 respektivisht 400 franga për përgatitje për shkaktim të lëndimit të rëndë.

Dy prindërit, Dorothea dhe Burim (redaksia e 20 minuten përdor emra fiktivë dhe me këtë rast e ka ngatërruar emrin shqiptar Burim me përkatësinë fetare të irakianit) janë ankuar dhe për këtë arsye dje, më 1 dhjetor ishin para gjyqit të qarkut në Lenzburg.

Prerja e gjenitaleve të vajzës së saj nuk ka qenë objekt i bisedës, ka thënë e ëma dhe ajo vetë është kundër kësaj ndërhyrjeje. Bisedën me mjeken ajo e ka bërë për të marrë këshilla pedagogjike lidhur me synetin e femrave, është mbrojtur zvicerania.

Por gjyqtarja ka sjellë si provë një letër që Dorothea ia kishte dërguar ish bashkëshortit të saj, babait biologjik të vajzës. Në atë letër ajo i kishte shkruar atij se vërtetë ishte konsultuar me mjeken për t`i prerë gjenitalet e vajzës.

Nga marrja në pyetje është konstatuar se familja jeton sipas rregullave të ashpra islamike. Vajza nuk lejohet të shkojë në kampet shkollore dhe të marrë pjesë në orët e notit, ashtu si dhe dy vëllezërit e saj. Fatma po ashtu kishte agjëruar edhe kur i kishte 11 vjet, kishte thënë mësuesi i saj i atëhershëm.

Ndonëse avokati i familjes kishte thënë se telefonatën e ka zhvilluar gruaja, trupi gjykues ka bindjen se bashkëshorti i saj ka qenë ai që ka telefonuar me mjeken.

Për këtë arsye gjykata e qarkut në Lenzburg e ka dënuar atë me kusht me të holla, 150 njësi ditore nga 90 franga dhe me gjobë prej 400 frangash. Veprim përgatitor për shkaktim të lëndimit të rëndë trupor është vepra penale e kryer. Bashkëshortja, për shkak të çorientimit të organeve të drejtësisë ka marrë dënimin me kusht me të holla prej 40 njësish ditore nga 10 franga si dhe një gjobë prej 200 frangash.

Mbrojtësi i çiftit ka paralajmëruar vazhdimin e procesit.