Integrimi

As procedura e lehtësuar nuk i josh të rinjtë të marrin pasaportën zvicerane

Që nga viti 2018, emigrantët nën moshën 25 vjeç kanë mundur të natyralizohen më lehtë. Por, një vlerësim fillestar tregon se vetëm një pjesë e përdor këtë opsion

Të huajt, gjyshërit e të cilëve kanë jetuar në Zvicër, konsiderohen se i përkasin gjeneratës së tretë. Që nga shkurti 2018, ata kanë pasur mundësinë të kalojnë një proces natyralizimi të thjeshtuar. Por, një bilanc i Komisionit Federal të Migracionit FCM tani tregohet jo shumë inkurajues, transmeton albinfo.ch. Sipas tij, deri në fund të vitit 2020, vetëm rreth 1,800 nga 25,000 emigrantë të mundshëm kishin shfrytëzuar natyralizimin e thjeshtuar.

Përse ndodh kjo? A heqin dorë emigrantët e rinj nga aplikimi për shtetësinë zvicerane apo “natyralizimi i thjeshtuar” është në fakt ende shumë i ndërlikuar?

“Të dyja,” thotë Walter Leimgruber, kryetar i Komisionit Federal të Migracionit EKM, shkruan 20minuten.ch. Nga njëra anë, shumë emigrantë zviceranë janë shtetas të BE-së dhe për këtë arsye, edhe pse të huaj, nuk kanë pothuajse asnjë kufizim në Zvicër. Nga ana tjetër, natyralizimi i thjeshtuar është gjithçka tjetër veçse i thjeshtë dhe i lehtë. “Barrierat burokratike janë ende shumë të larta,” thotë Leimgruber.

Ai shpesh dëgjon se emigrantët që kanë lindur dhe janë rritur në Zvicër e përshkruajnë si “jomiqësor” faktin që duhet të kalojnë një procedurë komplekse për të vërtetuar se gjyshërit e tyre kishin statusin e qëndrimit ose se prindërit e tyre kanë shkuar në shkollë në Zvicër.

Natyralizimi duhet të bëhet edhe më i lehtë

Nëse personat nën moshën 25 vjeç ende dëshirojnë të natyralizohen, ata duhet të dëshmojnë se gjyshërit e tyre kanë jetuar në Zvicër ose se njëri prind ka ndjekur shkollën e detyrueshme në Zvicër për të paktën pesë vjet, transmeton albinfo.ch. Dhe pikërisht këtu qëndron vështirësia, thotë Arbër Bullakaj, anëtar i bordit drejtues të PS-së Migrant:innen.

“Si mund të gjej një dokument që është lëshuar 40 apo 50 vjet më parë? Apo edhe më e vështirë: Po sikur gjyshërit e mi të kenë vdekur tashmë?”, pyet në mënyrë retorike Bullakaj.

Përpjekja për të gjetur një dokument të tillë është e vështirë dhe i pengon shumë njerëz të përfitojnë nga natyralizimi i thjeshtuar. Pra: natyralizimi i lehtësuar nuk sjell atë që premton. Sipas Bullakajt, disa kanë zgjedhur edhe procesin e rregullt të natyralizimit edhe pse kishin të drejtën e atij të thjeshtuar.

Ka ndodhur gjithashtu që natyralizimi të ishte hequr plotësisht “nga rendi i ditës” për shkak të kompleksitetit. “Për shumë njerëz është jashtëzakonisht e rëndësishme të jesh zviceran. Edhe nëse nuk e thonë hapur”, thotë Bullakaj.

Isabel Garcia, kryetare e Secondas të Cyrihut, gjithashtu ndan këtë mendim, përcjell albinfo.ch. Gjërat e zakonshme janë shpesh pengesa më e madhe. “Është një proces jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe i gjatë, thotë Garcia.

Nëse natyralizimi do të bëhet më i lehtë, duhet të lehtësohen pengesat e larta burokratike. Kështu kërkojnë Bullakaj nga PS Migrant:innen dhe Leimgruber nga EKM.

E djathta është kundër thjeshtimit të mëtejshëm të natyralizimit

Deputetja nacionale nga SVP, Barbara Steinemann ka qëndirm të prerë kundër çdo thjeshtimi të mëtejshëm të natyralizimit. Sipas saj, pengesat e supozuara si të larta ishin të njohura edhe para hyrjes në fuqi të nenit kushtetues. “Komisioni Federal i Migracionit dhe e majta janë sigurisht edhe lobistë natyralizimi,” thotë Steinemann, transmeton albinfo.ch. Megjithatë, ajo mbështet deklaratën e Komisionit të Migracionit se emigrantët nuk duan të natyralizohen. “Por ne nuk mund ta thjeshtojmë edhe më shumë natyralizimin vetëm sepse EKM dhe e majta nuk kanë arritur efektin e dëshiruar me këtë reformë”, thotë Steinemann.

EKM-ja e sheh ndryshe këtë. Ajo dëshiron të thjeshtojë më tej natyralizimin. Një mundësi në këtë drejtim është heqja e kufirit të moshës sepse mosha është një tjetër pengesë. Kjo pasi deri në moshën 25 vjeçare janë të pakët njerëzit që mendojnë për shtetësinë e tyre. “Vetëm kur emigrantët krijojnë familje, për shembull, mendojnë më shumë për natyralizimin. Por atëherë ata janë zakonisht më të vjetër se 25 vjet,” thotë Leimgruber nga EKM.

Mbi bazë të rregulloreve kalimtare, kufiri i moshës për natyralizim të thjeshtuar është ende 40 vjeç. Kjo vlen deri në mes të shkurtit 2023. Megjithatë, sipas Leimgruber, shumë emigrantë nuk janë në dijeni të kësaj. Dhe as komunitetet shpesh nuk e dinë që kjo mundësi ekziston.

“Ne duam që komunitetet në të cilat jetoni të jenë proaktive në të ardhmen dhe të theksojnë se natyralizimi është më i lehtë,” thotë Leimgruber.