Lajme
Protestë masive në Shkup, studentët shqiptarë kërkojnë provimin e jurisprudencës në shqip
Diaspora shqiptare po i ndjek me shqetësim zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, ndërsa studentët kërkojnë zbatim të ligjit dhe barazi institucionale për gjuhën shqipe.
Diaspora shqiptare në Zvicër dhe në vende të tjera evropiane po i ndjek me vigjilencë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut, ndërsa protesta e sotme e studentëve shqiptarë në Shkup ka marrë vëmendje dhe solidarizim të gjerë në rrjetet sociale dhe në opinionin publik shqiptar. Kërkesa për mundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është perceptuar nga shumë bashkatdhetarë si një çështje që prek drejtpërdrejt barazinë, dinjitetin qytetar dhe respektimin e të drejtave të garantuara me ligj.
Në këtë frymë, studentët shqiptarë marshuan sot në Shkup nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe mundësimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, transmeton albinfo.ch.
Me pankarta si “Ligj në letër, diskriminim në praktikë”, “Respekto Ligjin për Gjuhët” dhe “Gjykata destabilizuese”, protestuesit kërkuan që dispozitat ligjore të mos mbeten vetëm formale, por të zbatohen në praktikë nga institucionet shtetërore.
Njëri nga organizatorët e protestës, Mevlan Ademi, deklaroi para protestuesve se studentët shqiptarë janë përballur me pengesa dhe kontrolle gjatë organizimit të marshit drejt Shkupit. Ai theksoi se protesta është paqësore dhe se kërkesa e studentëve nuk lidhet me privilegje, por me realizimin e një të drejte të garantuar me ligj dhe me Marrëveshjen e Ohrit. “Ne nuk jemi kundër këtij shteti, ne jemi këtu për dinjitet, barazi dhe respekt”, u shpreh ai gjatë fjalimit para Ministrisë së Drejtësisë.
Organizatorët kërkuan nga institucionet që të japin një zgjidhje konkrete dhe të mos e trajtojnë çështjen me indiferencë institucionale, duke paralajmëruar se injorimi i zërit të studentëve vetëm sa do të rrisë pakënaqësinë qytetare. Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka nxitur debat të gjerë në Maqedoninë e Veriut gjatë muajve të fundit. Rreth 385 studentë shqiptarë nga universitetet shqiptare në vend kanë kërkuar që provimi të mbahet edhe në shqip, duke argumentuar se Ligji për përdorimin e gjuhëve obligon institucionet shtetërore të mundësojnë përdorimin e shqipes në procedurat përkatëse.
Ndërkohë, pavarësisht deklaratave të zyrtarëve se po punohet për një zgjidhje ligjore dhe institucionale, deri më tani nuk është prezantuar një vendim konkret. Protesta e sotme ishte protesta e dytë e organizuar nga studentët shqiptarë, pas asaj të mbajtur më 6 prill në Shkup.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
MPJD u bën thirrje qytetarëve të shmangin kalimin përmes Serbisë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, përfshirë bashkatdhetarët... -
Suedi: Vritet një i ri nga Kosova, raportohet se ishte kalimtar rasti -
Pse emigrantët po i kthejnë shpinën Gjermanisë -
Thirrje për të rinjtë e diasporës shqiptare dhe Ballkanit: Bashkohuni në Bootcamp-in “Building DiverCity” në Itali! -
Denoncon avokati Koci: Dyshime se një familjeje kosovare iu morën 2000 euro në kufirin Serbi–Kroaci
Jeta në Zvicër
-
Zvicra dhe Austria planifikojnë blerje të përbashkëta të armatimit Zvicra dhe Austria kanë vendosur të thellojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, duke planifikuar blerje të... -
Të ardhurat shtesë pa taksa? – Debat në Zvicër për bakshishet -
Nënkontraktorët e DHL-së në Zvicër paralajmërojnë rrezik falimentimi -
Model i ri banimi në Zvicër: Sa më shumë banorë në një apartament, aq më e ulët qiraja -
Një valë e re nxehtësie godet Zvicrën, alarm për valë të nxehti në disa rajone frëngjishtfolëse















